Nga Nikola KEDHI
Nesër në Vlorë, në orën 17.00, në Pallatin e Kulturës, do të diskutohet ndarja e re territoriale. Për ne, kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë thjesht një hartë e re administrative, por një mundësi për ta afruar pushtetin sa më pranë qytetarëve, nevojave të tyre reale dhe zhvillimit të çdo komuniteti, duke marrë në konsideratë zhvillimet demografike dhe shoqërore.
PD e ka një vizion të qartë për të ardhmen e vendit, ka parimet që do duhet të formësojnë qëndrimet tona politike. Harta e re territoriale, të paktën propozimi ynë për të, do duhet të jetë produkt i këtyre parimeve, i nevojave të komuniteteve të ndryshme lokale, dhe i vizionit tonë për vendin, dhe për qarkun Vlorë në veçanti.
Vlora dhe gjithë Jugu kanë potencial të jashtëzakonshëm për bujqësi, turizëm, peshkim, përpunim, energji, tregti dhe lidhje logjistike. Ka komunitete të ndryshme, secila me vlerë të shtuar dhe potencial shumë të madh. Do duhet t’u krijojme mekanizmat për ta çliruar atë.
Ndarja territoriale dhe decentralizimi duhet t’i shërbejnë këtij vizioni më të madh: një Jug Prodhues, nga Vlora, Orikumi, Novosela, Selenica, Himara, Delvina, Finiqi, Saranda, Konispoli, me bashki më funksionale, ekonomi lokale më të fortë dhe shërbime më pranë qytetarëve.
Shqipëria Prodhuese nis nga territore që punojnë, prodhojnë dhe mbajnë njerëzit në vendin e tyre.
Vlora duhet të jetë një nga qendrat kryesore të këtij vizioni.
Gazeta RD