Djalli vishet me atlete të bardha

Nga Agim NESHO

Për kombin tonë, integrimi europian është më shumë se pranimi në familjen europiane. Ky është momenti historik ku Shqipëria përcakton të ardhmen perëndimore të saj, që në shumë raste është sakrifikuar nga egoizmi, injoranca dhe aventurizmi i liderave të saj. Shpesh jemi dënuar nga ndarjet e mëdha të interesave të fuqive të mëdha, si në Kongresin e Berlinit, kompromiset e Maltës dhe Yaltës, por shpesh kemi shpërdoruar momentin historik nga lidera injorantë dhe aventurierë si lëvizja e Haxhi Qamilit apo shfaqjet tallava pro europiane te Edi Ramës. Njëri i panxënë dhe besnik ndaj sulltanit, duke kërkuar Dum Babën dhe mos pranuar Princ Vidin, tjetri megalloman, pa vizion që mbetet argat i liderave që e përdorin,

Edi Rama asnjëherë nuk e ka dashur integrimin europian të Shqipërisë, por e ka përdorur për interesa pushteti. Të punosh për integrimin europian nuk e kthen vendin tënd në platformë të përdorimit dhe shpërndarjes së drogës; të jesh pjesë e BE-së nuk mund ta kthesh vendin në një lavatrice të pastrimit të parave të krimit të organizuar; të kërkosh të jesh pjesë e BE-së nuk mund ta kthesh korrupsionin në një platformë qeverisjeje duke shpërdoruar pronat dhe financat publike; të bëhesh pjesë e BE-së nuk punon ta shkatërrosh opozitën dhe të kapësh institucionet e shtetit.

Ai shet integrimin europian për të larë duart si Ponc Pilati, për tu bashkuar më vonë në inisiativa të tjera si Ballkani i Hapur, ku nuk ka asnjë detyrim për llogaridhëni dhe transparencë, vecse konsolidon një pushtet të pakontrolluar. Propaganda e ethshme e Ramës pro BE-së bëhet vetëm për një qëllim: të fitojë kohë në krizën politike aktuale dhe ta përdorë justifikimin e tij në fund të mandatit të tij 2029 për të gjetur një zgjidhje tjetër.

Rama sot argumenton se është Komisioni Europian që vlerëson punën e qeverisë së tij, por harron se procesi i integrimit nuk është thjesht një process teknik dhe burokratik, por një proces politik ku më së pari duhet të pranosh vlerat dhe parimet europiane të funksionimit të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Vendim-marrja për futjen në BE ju përket shteteve anëtare të vendosin, të cilat që në fazën e parë të procesit të kontrollit të vijimësisë së punëve kanë ngritur probleme serioze (mos miratimi i IBAR-it).

Rama akuzon opozitën se flet keq në Bruksel dhe vendet e tjera europiane, duke e konsideruar atë jo si një institucion brenda sistemit por në një shtojcë të vendim-marrjes së tij, duke shprehur mentalitetin e autokratit ballkanik se ‘Shteti jam Unë’.

Rama përcmon popullin e tij duke i barazuar me afganët, irakienët në përpjektet utopike të Perëndimit për të eksportuar demokraci në vende pa kulturë demokratike, institucionale që jetojnë në një ambient korruptiv endemik, por shqiptarët kanë fatin të kenë Europën (jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Por mbi të gjitha kanë fatin të kenë një lider “me vizion”, që ju përcakton të ardhmen e tyre: ose me Edi Ramën në BE ose nuk ka alternativë tjetër.

Rama, në prezencë të Ambazadorit Gonzato, thotë se Opozita “shet ajër”, duke përdorur diskursin politik në terma të zhvillimit të hapësirave urbane, ku hapësirat mbi ndërtesa mund të rishiten prapë me vendime ekzekutive.

Integrimi i Shqipërisë në BE duket një mision i pamundur, pavarësisht pozitivitetit gjeopolitik të Bashkimit Europian. Dhe pengesa më e madhe për këtë integrim është Edi Rama dhe mungesa e vullnetit politik të regjimit të tij të korruptuar. Ajo që do të mbetet nga ky proces është vetëm paraqitja e kryeministrit në takimet zyrtare me atletet e tij të bardha (I vetmi!)

Dhe kur lideri global do të na thotë në 2029 se ne na pranoi Komisioni Europian por nuk na pranuan shtetet Europiane, se pavarësisht euro-skeptikëve ne kemi sjellë Europën në Ballkan, ne do të kujtojmë atletet e bardha europiane të veshura tashmë me kostumin sllav apo me rrobat kandura të sheikëve arabë.

About Redaksia

Check Also

Kush ka luksin për t’u marrë me “puthjen”?!

Nga Iva V.GRILLO Aktori Ndrenika me apo pa dashjen e tij ia bëri shërbimin Veliajt …