Albana VOKSHI
Kjo e stomja është një seancë shumë e rëndësishme.Për herë të parë gjatë këtij mandati po diskutohet një Raport për procesin e integrimit. Në fakt, kjo duhet të ishte për të gjithë ne, por sidomos për ata që mungojnë sot (pas meje), një ditë reflektimi për atë çfarë është bërë deri tani, për atë çfarë nuk është bërë, për atë që nuk është bërë siç duhet e për atë që është bërë keq.
Partia Demokratike dhe forcat politike aleate të saj kanë mbështetur vazhdimisht, dhe vijojnë të mbështesin, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si rrugën më të mirë, rrugën e vetme, të qëndrueshme për të ardhmen e vendit.
Ne besojmë fuqimisht se, është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë që mbi 90% duan anëtarësimin e plotë, por edhe në interesin e qytetarëve europianë, procesi i anëtarësimit të bazohet në meritë dhe reforma të vërteta, dhe jo propagandë, jo fasadë , jo pazare politike personale si ato të Edi Ramës.
Përveç kriterit gjeopolitik, Shqipëria nuk ka përmbushur deri më tani asnjë nga kriteret e tjera të Kopenhagenit.
AFET thekson se: “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga reforma të qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme në të gjitha fushat që mbulohen nga grupkapitulli ‘Themeloret’.”
Shqipëria hyn në këtë fazë me mbi 15 vite vonesë. Ka qenë Edi Rama, e mbani mend, kur ishte në opozitë që bllokoi tre kushtet e fundit, dhe është po Edi Rama që në tre mandatet e tij qeverisëse po mban peng procesin e integrimit. Ai është përgjegjësi kryesor pse Shqipëeria ndodhet në këtë situatë në këtë fazë të procesit të integrimit.
E ndaj, pavarësisht miratimit të kësaj rezolute (shpresoj të miratohet nga të gjithë deputetët në këtë sallë), personalisht jam skeptike, sepse pavarësisht se është një hap pozitiv dhe maxhoranca ka reflektuar edhe nga tërheqja e veshit nga ana e ndërkombëtarëve, apo nga rezistenca që ka bërë opozita, që kjo rezolutë do të zbatohet në cdo pikë të saj. Jam skeptike që maxhoranca do të intensifikojë luftën ndaj krimit të organizuar, ndaj korrupsionit, apo do të ndëërtojë shtet ligjor, të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme e kështu me rradhë sipas pikave të rezlutës.
Pra kërkesa legjitime e të gjithë deputetëve të opozitës është që kanë kontribuar në këtë rezolutë, është të zbatohet ajo, të monitorohet nga ky parlament e të raportohet periodikisht zbatimi nga institucionet shtetërore.
Por sa janë arritur realisht standardet dhe sa është ndryshuar vendi përmes këtij procesi? Mjafton të përmendim një cështje (e preku edhe Ministrja para dy ditësh në mbledhjen e Komisionit) çështjen e dixhitalizimit të pronave: ndërsa qeveria flet për reforma moderne, shqiptarët shohin çdo ditë grabitjen e pronave private dhe publike, madje edhe të atyre të dixhitalizuara dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Ndaj, pikat e rezolutës që përcaktojnë rolin qendror të Kuvendit janë të rëndësishme e duhen zbatuar.
Rezoluta kërkon që Kuvendi:
- “Të forcojë rolin e tij në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”;
- “Të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke garantuar cilësinë e legjislacionit, përafrimin me acquis të BE-së dhe zbatimin konkret të tij në praktikë.”
Po ashtu, Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave:
- “Të raportojë në përputhje me kuadrin ligjor, përfshirë plotësimin e piketave përmbyllëse për të gjithë grupkapitujt negociues dhe konkluzionet e konferencave ndërqeveritare”;
- “Të garantojë zbatim të plotë dhe të qëndrueshëm të legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së, duke përshpejtuar reformat në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin dhe fushat e tjera të Grupkapitullit I ‘Themeloret’.”
Sot kontradiktat janë edhe më të forta.
Nga njëra anë, raporti flet për reforma dhe për procesin e integrimit europian. Nga ana tjetër, kemi Kryeministrin Edi Rama, i cili propozon disa dyer të tjera anësore për të hyrë në BE, duke përfituar nga tregu i përbashkët, por jo me të drejta të plota. E ku e ka marrë lejen Edi Rama që të bëjë të tilla propozime kur nuk këtë sallë nuk është diskutuar asnjë herë? E kjo bije ndesh me vullnetin e jo vetëm me standardet europiane, por edhe me vullnetin e mbi 90% të shqiptarëve, të cilët mbështesin anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
AFET ja ka tërheque veshin:
“Paralajmëron se iniciativat e zhvilluara jashtë kornizës së BE-së, përfshirë të ashtuquajturën nismë ‘Ballkani i Hapur’, rrezikojnë të krijojnë struktura paralele që mund të dëmtojnë Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal të BE-së.”
Pasi Edi Rama më së fundi e pranoi para një viti që “Ballkani i Hapur” ka dështuar, risjellja e këtij paragrafi me tone të forta kritike lidhet drejtpërdrejt me letrën e përbashkët Rama–Vuçiç, e cila riaktivizoi diskutimet për “Ballkanin e Hapur” në nivel të lartë politik, duke detyruar Parlamentin Europian të ritheksojë kundërshtimin ndaj çdo nisme që devijon nga korniza dhe standardet e Bashkimit Europian e ti thojë: JO! Anëtarësim i plotë, duke përmbushur standartet.
Edhe rezoluta që po miratojmë është shumë e qartë në këtë pikë:
Këshilli i Ministrave “Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.”
Nga njëra anë, qeveria flet për pavarësi të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër, mazhoranca përdor votën parlamentare për të mbrojtur zëvendëskryeministren, pikërisht në mes të procesit të vlerësimit për sundimin e ligjit dhe IBAR. Përpjekja për të bllokuar hetimet mbi abuzimet masive dhe korrupsionin ka krijuar një sistem shtresash mbrojtëse. Po mundohet Edi Rama të krijojë shtresa mbrojtëse për veten tij dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe ministrat.
Kur kërkohet hetim apo pezullim i ministrave, ai depoziton ndryshime në Nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale duke krijuar një “superimunitet” de facto për zyrtarët e lartë.
Kur kërkohet arrestimi, i vë në rradhë deputetët për të refuzuar heqjen e imunitetit.
Këto pra janë shtresat të cilat Rama po i krijon për të mbrojtur korrupsionin, për të mbrojtur veten e tij, Lindat dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Rasti i AKSHI-t është kthyer në simbol të kapjes së shtetit në Shqipëri. Ai ngre shqetësime serioze për korrupsionin, kontrollin politik të sistemeve sensitive shtetërore, keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, manipulimin e tenderave publikë dhe lidhjet me rrjete të krimit të organizuar. Qindra procedura jotransparente, raste intimidimi, rrëmbimi dhe presioni ndaj dëshmitarëve dhe ish-zyrtarëve, ndërsa vetë Kryeministri ka zgjedhur të dalë publikisht në mbrojtje të drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, edhe një ditë para diskutimeve për IBAR në COELA. A e kutoni ju të nderuar qytetarë se kush po e mban peng integrimin? Si mundet një ditë para se të diskutohet IBAR nga COELA ai del e mbron ata që po hetohen me akuza zyrtare konkrete që janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale, përvec akuzave për korrupsion dhe abuzim.
AFET kujton gjithashtu se “imuniteti parlamentar është pjesë e kornizës kushtetuese për funksionimin e institucioneve demokratike” dhe se çdo vendim duhet të merret “pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa të pajustifikuara”.
Ndaj është e domosdoshme që pikat e rezolutës që i referohen luftës ndaj korrupsionit të jenë të zbatueshme.
Problemi sot nuk është mungesa e raporteve. Problemi është mungesa e besueshmërisë. Qeveria e Edi Ramës ka dështuar në çdo aspekt të kritereve themelore europiane.
Ka dështuar në garantimin e zgjedhjeve sipas standardeve të Kopenhagenit. Edhe AFET i ka referuar këto shqetësime në raportin e tij, në referencë të Raportit të ODIHR. Falë Edi Ramës, Shqipëria tashmë është kthyer në autokraci elektorale.
Ndaj ky Parlamen ka për detyrë që të miratojë, në bazë edhe të rezolutës, e të marrë masat për përmbushjen e të gjitha rekomandimev e të OSBE/ODIHR, si dhe të marren parasysh të gjitha propozimet e e opozitës në Komisionin e reformës zgjedhore.
Edhe në fushën e medias, qeveria ka dështuar të mbrojë lirinë e shprehjes, pluralizmin mediatik dhe sigurinë e gazetarëve. Të paktën gjashtë raporte ndërkombëtare flasin për një përkeqësim të ndjeshëm të situatës së medias në Shqipëri. Në Rezolutë janë dy pika që i referohen këtij shqetësimi e që kërkojnë:
“respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizmit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë, duke garantuar një mjedis mediatik të lirë, konkurrues dhe profesional.”
E do e mbyll fjalën time pikërisht paragrafit të fundit të Rezolutës: që kërkon qartë:
“Përparimin në procesin e anëtarësimit duhet të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe arritjeve të verifikueshme, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.”
Gazeta RD