Deputetja e PD, Jozefina Topalli votoi në referendumin për votëbesim e kryetarit Sali Berisha në qendrën e votimit ngritur në selinë PD.
Ajo theksoi se përpjekjet për ta izoluar atë, heqja e emrit nga fleta e votimit apo edhe fillimi i fushatës nga arresti, kanë dështuar të thyejnë mbështetjen masive.
“Ka ndodhur një rast unikal. Është sulmuar në mënyrë të paprecedent. Është lobuar për ta shpallur non-grata. Ka pasur një izolim planetar sikur jo për herë të parë dhe ia ka dalë për t’u rikthyer përmes besimit të njerëzve.
Jeni dëshmitarë që në zgjedhje i kanë hequr vulën, ia kanë hequr emrin nga fleta e votimit, e kanë arrestuar dhe ka filluar fushatën nga arresti. Kur liderit i heq instrumentet më normalë politikë, ti ke kapërcyer kufijtë e politikës.
Dhe kur ai në këto kushte merr besimin e mbi gjysmë milion shqiptarëve, hyn në një territor tjetër që është territori i simbolikës. Dhe në territorin e simbolikës, ai nuk funksionon më me logjikën e establishmentit”, tha Topalli.
Gazeta RD