Gjykata e Posaçme ka kthyer për plotësim hetimesh dosjen e ish-kreut të Prokurimeve Publike vartësit të Ballukut, Jonaid Myzyri, i akuzuar për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar pushimin e çështjes me argumentin se pasi u ezauruan të gjitha fazat e hetimit u konstatua se fakti ekziston, por nuk përbën vepër penale, ndërkohë që sot gjykata ka vendosur të kthejë dosjen, duke i caktuar 45 ditë kohë Prokurorisë, të kryejë veprime shtesë hetimore, përfshirë një akt-ekspertim.
Myzyri u hetua për një periudhe dy vjeçare nga organi i akuzës nën dyshimet se institucioni i drejtuar prej tij ka kryer shkelje në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro të kryer në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 59 kilometra.
Bazuar në këto dyshime, struktura e posaccme në qershorin e vitit të kaluar mori të pandehur Myzyrin për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Tenderi në atë kohë u zhvillua nga ARRSH, procedurë në të cilën u konstatuan shkelje ligjore, të cilat u shpërfillën nga komisioni i prokurimit publik që drejtohej nga Myzyri.
Në keto dyshime shtriu hetimet prokuroria e Posaçme, e cila tha se KPP në kundërshtim me ligjin favorizoi bashkimin e kompanive “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, të cilat fituan tenderin 2.2 milionë euro me dokumente false. Në këtë proces pati ankesa nga operatorë të tjerë, si “KTHELLA”, i skualifikuar nga komisioni me arsyetimin se oferta me vlerë më të ulët që kishte paraqitur ishte anormale.
Gazeta RD