Muçollari: Pse hesht Rama për kushtet e Brukselit?!

Nga Grigels MUÇOLLARI

Pasi Brukseli dhe vendet anëtare të BE-së thanë se Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin, lidhjet me krimin, duhet të lejojë drejtësinë të veprojë e të mos ruajë imunitetin e qeveritarëve, si edhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, u vendos të ulen në tryezë me qeverinë së cilës i adresohen të gjitha këto shqetësime, kërkesa dhe kushte.

Ajo që nis sot është provimi i vështirë për Edi Ramën, i cili deri më tani ka lundruar nëpër qendrat e Europës me batuta e atlete.

Që në momentin kur doli raporti i IBAR me detyrat e rrepta të shtëpisë, Kryeministri ynë, në asnjë rast e për asnjë minutë, nuk ka folur për asnjërën prej tyre. Ka disa orë live në dorë, por hesht për kushtet.

Vetëm shan e mallkon Opozitën. Dhe kjo sjellje e nxjerr zbuluar. Ai nuk e do, në fakt, integrimin; thjesht e shfrytëzon këtë moment për politikën e ditës.

Nëse vërtet do të punonte për ecjen përpara, reagimi i parë i një kryeministri në këto kushte do të ishte: e ka lexuar me vëmendje çfarë kërkon Brukseli dhe çfarë duan vendet anëtare, dhe se do të bëjë gjithçka për t’i realizuar.

Edi Rama do duhej të dilte në publik e t’u thoshte shqiptarëve se do të angazhohet të mos mbrojë me vota në Kuvend korrupsionin; se do të luftojë krimin dhe bandat; se do të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese; se do të punojë për zgjedhje të lira e të ndershme; se do të ndalojë ushtrinë e patronazhistëve; se nuk do të blejë e nuk do të kërcënojë me vendin e punës për votën; dhe se do të ketë transparencë për koncesionet e tenderat.

Këtë duhet të bënte një kryeministër i përgjegjshëm.

Asnjë fjalë për këto. Asnjë reflektim. E vetmja gjë: sharje, ofendime dhe mallkime për kundërshtarët, për Partinë Demokratike.

Ndaj, Edi Rama është në fakt kërcënimi më i madh për integrimin, sado të shkojë në Bruksel e të bëjë propagandë. Duhen vepra. Vepra që flasin. Dhe ato të Kryeministrit tonë flasin për keq.

About Redaksia

Check Also

IDU e drejtuar nga republikanët e presidentit Trump uron Berishën për rikonfirmimin në krye të PD

IDU uron Sali Berishën për rizgjedhjen në krye të PD:  Do të luftojë për të …