Rama flet për BE-në, por raporti IBAR e vë në siklet

Nga Ilda ZHULALI

IBAR të pyet sot zoti kryeministër: 

Cili vend anëtar i BE-së nuk siguron kushte të barabarta në zgjedhje? Cili vend anëtar e ka partinë dhe shtetin të bërë njësh, duke përdorur burimet shtetërore dhe levat institucionale për të devijuar votën e qytetarëve? Cili vend anëtar i BE-së mban të gjallë rrjetet e patronazhit që u qëndrojnë si cekan mbi kokë votuesve?

Cili vend anëtar i BE-së ka një parlament ku mbikëqyrja e ekzekutivit është e kufizuar deri në inekzistencë? Cili vend anëtar i BE-së nuk lejon komisionet hetimore të funksionojnë lirshëm për të kontrolluar qeverinë? Cili vend anëtar i BE-së i kalon ndryshimet buxhetore me akte normative, duke anashkaluar Parlamentin dhe duke i grabitur të drejtat buxhetore? Cili vend anëtar i BE-së miraton ligje pa konsultime thelbësore dhe pa kohë të mjaftueshme për debat gjithëpërfshirës?

Cili vend anëtar i BE-së e ka korrupsionin të përhapur në të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore? Cili vend anëtar i BE-së ka infrastrukturën publike, kadastrën, doganat, tatimet, shëndetësinë, arsimin, prokurimet publike dhe PPP-të si sektorët më të kalbur nga korrupsioni? Cili vend anëtar i BE-së ka një parlament që mbron me imunitet zëvendëskryeministren e kapur në korrupsion? Cili vend anëtar i BE-së kërcënon me amnisti për të shpëtuar të korruptuarit nga drejtësia?

Cili vend anëtar i BE-së ka zyrtarë publikë që ushtrojnë ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un? Cili vend anëtar i BE-së refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ministres së jashtme? Cili vend anëtar i BE-së nuk zbaton standardet e Komisionit të Venecias për heqjen e imunitetit të deputetëve? Cili vend anëtar i BE-së ka 75% të vendeve gjyqësore vakante dhe nuk arrin të plotësojë gjykatat e prokuroritë?

Cili vend anëtar i BE-së e ka policinë shumë të prekshme ndaj korrupsionit, ku integriteti mbetet emergjencë? Cili vend anëtar i BE-së bën emërime, transferime dhe promovime në polici jo mbi bazë merite, por mbi baza partiake? Cili vend anëtar i BE-së ka numër të lartë ndryshimesh në emërime që minojnë profesionalizmin e policisë? Cili vend anëtar i BE-së nuk lejon Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë të hetojë plotësisht dhe pa pengesa shkeljet brenda uniformave blu?

Cili vend anëtar i BE-së ka pasur nevojë të pezullojë amnistinë fiskale që të dalë nga lista e zezë e FATF-it? Cili vend anëtar i BE-së paralajmërohet se amnistitë e mundshme dhe programet e pajtueshmërisë vullnetare tatimore duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, sepse rrezikojnë të pastrojnë paratë e krimit? Cili vend anëtar i BE-së nuk ka një histori të besueshme të hetimeve sistematike financiare për krimin e rëndë dhe pastrimin e parave? Cili vend anëtar i BE-së nuk arrin të krijojë një historik solid në sekuestrimin dhe konfiskimin përfundimtar të aseteve të krimit?

Cili vend anëtar i BE-së është vend origjine, tranziti dhe destinacioni i trafikimit të qenieve njerëzore? Cili vend anëtar i BE-së paralajmërohet se duhet të zbatojë masa mbrojtëse për të parandaluar devijimin e produkteve gjatë kultivimit të ligjshëm të kanabisit? Cili vend anëtar i BE-së nuk ka histori solide hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh përfundimtare për krimin e rëndë dhe të organizuar? Cili vend anëtar i BE-së nuk arrin të sekuestrojë dhe shkatërrojë drogat dhe të konfiskojë asetet përkatëse?

Cili vend anëtar i BE-së nuk i lëshon qytetarëve tituj të qartë dhe të sigurt prone, duke shtyrë regjistrimin e parë deri në 2028 dhe sistemin e plotë deri në 2030? Cili vend anëtar i BE-së nuk publikon hartat kadastrale, duke mbajtur të fshehur procesin e dixhitalizimit? Cili vend anëtar i BE-së ka një Agjenci Shtetërore të Kadastrës që nuk respekton afatin 45-ditor për lëshimin e certifikatave të pronësisë? Cili vend anëtar i BE-së paralajmërohet për dokumente të falsifikuara në çështjet e pronës? Cili vend anëtar i BE-së bën shpronësime në emër të “interesit publik” pa kompensim të drejtë për pronarët legjitimë? Cili vend anëtar i BE-së ka ndikim disproporcional në zonat e minoriteteve kombëtare, në zonat me vlerë të lartë ekonomike dhe zonat bregdetare gjatë shpronësimeve? Cili vend anëtar i BE-së nuk zbaton vendimet gjyqësore përfundimtare për pronën, përfshirë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut?

Cili vend anëtar i BE-së vuan nga siguri e dobët ligjore, nivel i lartë informaliteti, vështirësi në zbatimin e kontratave dhe të drejtave të pronës? Cili vend anëtar i BE-së ka ndërmarrje shtetërore pa transparencë dhe llogaridhënie? Cili vend anëtar i BE-së paralajmërohet se duhet të rivendosë praktikën e ndryshimeve buxhetore nëpërmjet Parlamentit dhe të ndalojë aktet normative arbitrare? Cili vend anëtar i BE-së ka sektorët e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit të infektuar nga korrupsioni, tituj të paplotë prone dhe transaksione jo-financiare? Cili vend anëtar i BE-së duhet të përmirësojë menaxhimin e investimeve publike dhe prokurimin publik, përfshirë PPP-të e dyshimta? Cili vend anëtar i BE-së nuk ka Këshill Fiskal funksional për të garantuar besueshmërinë e shifrave buxhetore? Cili vend anëtar i BE-së e ka konkurrencën e penguar nga mungesa e njohurive sipërmarrëse, shpenzimet e ulëta për arsim dhe kërkim, dhe mbrojtja sociale e pamjaftueshme?

Këto janë plagët e themeleve të shtetit shqiptar të emërtuara një nga një në IBAR, që ju i keni krijuar, i keni thelluar dhe sot do t’i humbisni në përkthim!

About Redaksia

Check Also

A nuk është shoqëria jonë sot në atë çast, kur kambanat bien, por intelektualët nuk dalin në dritare

Nga Ndriçim KULLA Në këto çaste të historisë së kombi tonë drama nuk matet më …