Hetimet e SPAK në kuadër të dosjes së njohur si “Veliaj 2” duket se po zgjerohen në disa drejtime, duke vënë në fokus jo vetëm aktivitetin e kryebashkiakut të Tiranës, por edhe persona dhe kompani të lidhura me rrethin e tij familjar dhe profesional.
Raportohet se një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me kompaninë “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut. Prokuroria po verifikon nëse kjo kompani ka përfituar favore apo avantazhe për shkak të pozitës së Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, si dhe nëse klientë të saj kanë pasur më pas marrëdhënie apo interesa të lidhura me institucionin vendor.
Në mesin e deklarimeve publike për këtë çështje, gazetarja Klodiana Lala tha se hetuesit po analizojnë me kujdes lidhjet financiare dhe juridike mes kompanisë së Arbër Veliajt dhe kompanive të Ajola Xoxës. Sipas saj, SPAK po shqyrton nëse ka pasur kontraktime mes tyre dhe çfarë natyre kanë pasur marrëdhëniet ekonomike apo juridike.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se deri në këtë fazë nuk ka ende një konkluzion përfundimtar mbi dosjen, ndërsa verifikimet vijojnë paralelisht në disa drejtime. Fokus i hetuesve mbetet raporti mes funksionit publik të Veliajt dhe përfitimeve të mundshme që mund të kenë pasur persona apo kompani të afërta me të.
Në kuadër të këtyre hetimeve janë marrë në pyetje një sërë personash, mes tyre zyrtarë, ekonomistë, financierë dhe biznesmenë. Gjithashtu janë administruar dhe shqyrtuar kontrata të ndryshme, si edhe pajisje celulare që mund të ndihmojnë në zbardhjen e marrëdhënieve dhe transaksioneve të dyshuara.
Mes personave të pyetur rezulton edhe deputetja Klotilda Bushka, ndërsa SPAK po vijon analizën e dokumentacionit dhe provave të sekuestruara për të kuptuar nëse ka elementë që mund të provojnë favorizime apo përfitime të paligjshme.
Gazeta RD