Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të ndryshojë pjesërisht vendimin e shkallës së parë në lidhje me sekuestrimin preventiv të pasurive të disa prej të pandehurve në dosjen e njohur si ajo e AKSHI-t.
Vendimi prek ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët vijojnë të jenë në kërkim.
Gjykata e Apelit ka vendosur të heqë masën e sekuestros për një apartament në pronësi të Mirlinda Karçanajt, si edhe për një apartament që i atribuohet Ergys Agasit.
Po ashtu, Apeli ka rrëzuar disa nga sekuestrimet preventive të kërkuara nga Prokuroria e Posaçme për pasuri dhe asete të tjera të të pandehurve në këtë çështje.
Për Gëzim Hoxhën, gjykata ka shfuqizuar sekuestron mbi asetet e një shoqërie private në vlerën 123.6 milionë lekë.
Në rastin e Andis Papës, janë zhbllokuar fondet e dy subjekteve të ndryshme, me vlera përkatësisht 410.5 milionë lekë dhe 94.4 milionë lekë.
Ndërsa për Elision Jorgjin, Apeli ka vendosur heqjen e sekuestros preventive mbi asetet e kompanisë së tij, të vlerësuara në rreth 100.8 milionë lekë.
Vendimi i fundit përbën një ndryshim të pjesshëm të masave të sigurisë pasurore të vendosura më herët nga Shkalla e Parë, ndërsa procesi gjyqësor për dosjen e AKSHI-t vijon ende.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 02.06.2026, disponoi për çështjen penale nr. 20 akti, datë 19.05.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.P, M.K, E.B, A.K, Shoqëria “*”, Shoqëria “*”, Shoqëria “*”: “Ankim kundër vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”, vendosi:
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. G.H.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë * sh.p.k. në shumën 123.629.664 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. A.P.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit * sh.p.k. në shumën 410.595.663 Lekë dhe kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit * sh.p.k. në shumën 94.423.883 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. E.J.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë * sh.p.k. në shumën 100.840.264 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin e Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon disponimit mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi pasurinë me nr. *, e llojit “apartament” dhe me nr. *, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. *, në Vol. *, faqe *, ndodhur në objektin * kate, Lagja *, *, në kryqëzimin e rrugës “*” me “*” dhe “*” në emër dhe për llogari të Z. E.A.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon sekuestrimit preventiv të pasurinë me nr. *, e llojit “apartament” dhe me nr. *, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. *, në Vol. *, faqe *, ndodhur në objektin * kate, Lagja *, *, në kryqëzimin e rrugës “*” me “*” dhe “*”, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe kthimin e pasurisë tek subjekti apelues * sh.p.k.
Miratimin e pjesës tjetër të disponimeve të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër vendimit mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Gazeta RD