Nga Petrit VASILI
Në Shqipëri, pas çdo sipërmarrjeje të madhe private, por për fat të keq edhe publike, janë kompani të regjistruara në offshore.
Biznesmenët, trafikantët e drogës apo armëve, mafiozët, të korruptuarit – një larmi njerëzish përdorin kompanitë offshore për të fshehur identitetet dhe aktivitetet e tyre.
Ndërkohë shohim që në Shqipëri, në banka private, në investime shumë të mëdha, në koncesione, në tendera publikë, shfaqen pa pushim kompani të tilla fantazmë, me persona fantazmë, me para fantazma.
Pyetja e madhe që lind natyrshëm:
Shqipëria është në Europë, kontinentin më të zhvilluar të globit, që ka me dhjetëra mijëra kompani të njohura, me reputacion absolut, që punojnë prej dekadash të tëra, po përse asnjë prej tyre nuk është në Shqipëri?
Përse gjithmonë shfaqen kompanitë offshore në çdo rast kur bëhet fjalë për shumë para?
Përse qeveria ka frikë nga kompanitë me reputacion të lartë dhe të njohur ndërkombëtarisht?
Përse nuk miratohen ligje për t’i penguar këto kompani të dyshimta, që të përfitojnë fonde apo interesa publike?
Ashtu si tek inceneratorët, edhe në Zvërnec, por edhe tek koncesione të rëndësishme, shfaqen gjithmonë rrufeshëm ustallarët e offshoreve.
Dezinfektimi i vetëm i një korrupsioni kaq të madh si ky që ka pushtuar vendin është vetëm transparenca.
Por qeveria, e cila është pjesëmarrëse dhe promovuese e aferave gjithnjë e më të errëta, nuk e duron dot transparencën, ndaj adhuron kompanitë offshore, ku me sa duket është edhe vetë brenda kokë e këmbë.
Gazeta RD