Deputetja e PD dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, në fjalën e saj gjatë seancës plenare u shpreh se vendi ndodhet përballë një krize të thellë politike dhe sociale, ku qeveria e Rilindjes ka humbur kontaktin me qytetarët dhe nuk po i dëgjon kërkesat e tyre.
Ajo theksoi se protestat e të rinjve janë shenjë e një pakënaqësie të gjerë ndaj sistemit qeverisës dhe politikave që kanë shtyrë shqiptarët të largohen nga vendi.
Tabaku nënvizoi se situata aktuale kërkon ndryshim të thellë politik, duke theksuar se ky ndryshim nis me largimin e Partisë Socialiste nga pushteti, si një domosdoshmëri për të hapur një kapitull të ri për Shqipërinë.
Tabaku: Të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë,
Së pari, sot Tirana ka një realitet tjetër, Shqipëria ka një realitet tjetër. Të rinjtë apolitikë, politikë, të djathtë, të majtë, kanë mbushur sot sheshet për të treguar se janë kundër sistemit të Rilindjes. Kundër atij sistemi që i ka detyruar ata për vite me radhë të largohen. Kundër atij sistemi që sot e ka kthyer Shqipërinë në të pajetueshme, e ka kthyer Shqipërinë të shtrenjtë, e ka kthyer Shqipërinë në një vend të pakicës, jo në një vend të shumicës.
Për vite me radhë flasim për këtë sistem, dhe veshët kanë qenë të mbyllur, sytë kanë qenë të mbyllur; nuk janë dëgjuar asnjë nga kërkesat që ne këtu kemi bërë në vite. Ato sot nuk po protestojnë për një projekt; ato sot protestojnë për një realitet, po protestojnë për atë që kanë përjetuar për vite me radhë, për faktin që ky parlament dhe sidomos Partia Socialiste nuk i përfaqëson më ata. Ato sot protestojnë për sistemin e kapur, protestojnë për ligjet që vijnë këtu dhe miratohen duke mbrojtur pakicën e qytetarëve, protestojnë sot edhe për faktin që nuk duhet të largohen.
Kam qenë ditën e parë që shkova në atë protestë, që ditën e parë që jam ulur me ato qytetarë, dhe nuk ka pasur emocion më të madh se të dëgjosh e të shohësh të rinjtë shqiptarë me flamurin e bukur në krah, që këndojnë himnin dhe që janë kundër asaj që Rilindja sot ka mbjellë, kundër asaj që Rilindja ka bërë në këto 13 vite, kundër asaj që po ndodh sot në Shqipëri.
Për katër vite me radhë, bashkë me kolegët e Partisë Demokratike, kemi dërguar mbi 14 shkresa në Komisionin Europian dhe në Parlamentin Europian, për ligjin e zonave të mbrojtura, për ligjin e investimeve strategjike, për ligje të tjera, duke vazhduar me atë të koncesionit të porteve, për të treguar që e ardhmja e Shqipërisë është në udhëkryq, dhe që vendimet e qeverisë po e pengojnë Shqipërinë të ecë përpara në procesin e integrimit.
E kemi paralajmëruar këtë situatë. Kjo situatë nuk është një situatë e vjetër për parlamentin, por sot realiteti është tjetër. Sot është ngritur e gjithë Shqipëria në këmbë, dhe ne duhet ta dëgjojmë. Së pari, ta dëgjojmë ne si forcë politike, dhe sigurisht që të jemi pjesë atje, patjetër, siç kemi qenë që ditën e parë, por ta dorëzojë, ta dëgjojë edhe qeveria me kërkesën e tyre legjitime për dorëheqje.
Me kërkesën e tyre legjitime për të ndryshuar Shqipërinë sot, dhe ndryshimi fillon me largimin e Partisë Socialiste.
Gazeta RD