Mbrojeni protestën nga xhelozia!

Nga Bislim AHMETAJ
🔹️Ka sëmundje që shkatërrojnë trupin.
Por ka edhe sëmundje që shkatërrojnë shoqërinë.
Njëra prej tyre është xhelozia.
Xhelozia shkatërron familje kur futet mes burrit dhe gruas.
Prish dashuritë më të mëdha kur helmon zemrat e të rinjve. Trondit aleanca dhe ekuilibra ndërkombëtarë kur pushton marrëdhëniet mes shteteve.
Dhe po aq e rrezikshme është kur hyn në një lëvizje qytetare.
Sot, kjo sëmundje ka filluar të shfaqë simptomat e saj edhe rreth protestës qytetare, e cila ka hyrë në javën e tretë.
🔹️Kjo nuk është një protestë e zakonshme.
Është protesta më e madhe, më e bukur, më domethënëse dhe më legjitime që ka njohur Shqipëria në tridhjetë e gjashtë vitet e tranzicionit.
Pikërisht sepse është e tillë, shumëkush dëshiron ta drejtojë, ta përfaqësojë, ta kontrollojë ose të marrë meritën për të.
🔹️Këtu fillon rreziku.
Xhelozia mes grupeve organizatore.
Gara për protagonizëm.
Lufta për primatin.
Xhelozia e opozitës.
Madje edhe xhelozia e opozitës së opozitës.
Por historia na mëson se lëvizjet qytetare nuk dështojnë gjithmonë nga goditjet e pushtetit.
Shpesh ato dobësohen nga plagët që i hapin vetes.
🔹️Protesta nuk ka nevojë për pronarë.
Nuk ka nevojë për njerëz që numërojnë meritat.
Ajo ka nevojë për njerëz që dinë të lënë mënjanë egon dhe të vendosin mbi gjithçka interesin publik.
Sepse ekziston një objektiv që i bashkon pothuajse të gjithë protestuesit: si ata që janë çdo mbrëmje në shesh edhe ata që dalin herë pas here, si shqiptarët që jetojnë në Shqipëri edhe ata që jetojnë në mërgim.
🔹️Ky objektiv është;
-dorëheqja e qeverisë së EdiMarres,
-krijimi i një qeverie kalimtare që t’i japë fund tranzicionit të gjatë e të lodhshëm, të mbushur me gabime të paqëllimshme dhe faje të qëllimshme,
-si dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira, shtet ligjor dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.
🔹️Asnjë emër nuk është më i madh se protesta.
Asnjë grup nuk është më i rëndësishëm se kauza.
Asnjë ego nuk vlen më shumë se shpresa e një populli.
🔹️Prandaj, mbrojeni protestën nga xhelozia.
Sepse, nëse ajo nuk arrin ta mposhtë këtë “armik të brendshëm”, “armiku i jashtëm” do ta ketë shumë më të lehtë ta dobësojë.
Historia nuk do të kujtojë se kush doli i pari në podium.
Do të kujtojë vetëm nëse qytetarët arritën apo jo ta ndryshojnë Shqipërinë.
Tiranë me 22 Qershor 2026

About Redaksia

Check Also

Kur Shqipërisë i vjen era tualet…

Nga Luçiano BOÇI Ka gjëra që nuk kanë nevojë për shumë koment, sepse flasin vetë. …