Pse Altini? Pse Entela?…

Nga Bislim AHMETAJ
🔹️Pse Altini? Pse Entela?
Pse Arbeni? Pse Etleva?
Pse Klajdi? Pse Sidorela?
🔹️Po t’i lexonte kërkesat e protestuesve Altini, dikush do të thoshte: “Pse Altini?”
Po t’i lexonte Entela, do të dëgjohej: “Pse Entela?”
Po t’i lexonte Arbeni: “Pse Arbeni?”
Po t’i lexonte Etleva: “Pse Etleva?”
Po t’i lexonte Klajdi: “Pse Klajdi?”
Po t’i lexonte Sidorela: “Pse Sidorela?”
Po t’i lexonte Genti: “Pse Genti?”
“Pse Dritani dhe jo Erlisi?”
E kështu me radhë, derisa t’i trazoheshin eshtrat edhe Faik Beut atje, te Kodrat e Liqenit Artificial, ku prehet prej pak vitesh.
🔹️Por pyetja e vërtetë nuk është kush i lexon kërkesat.
Pyetja është shumë më e thjeshtë:
A jemi dakord me kërkesat e protestuesve, të artikuluara që në ditën e dytë dhe të tretë të protestës dhe të përsëritura edhe mbrëmë nga njëri prej qindra qytetarëve që kanë marrë mikrofonin gjatë këtyre njëzet e tre netëve?
Përgjigjja është:
PO, me të madhe!
🔹️Kërkesat janë të pandryshueshme, të qarta:
1-Dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit dhe e qeverisë.
2-Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3- Ndryshime kushtetuese që garantojnë barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, të miratuara me referendum popullor, duke përfshirë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, reformimin e financimit të partive politike dhe kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.
4-Shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Trashëgiminë Kulturore, “Paketën e Maleve” dhe kuadrin ligjor për Investimet Strategjike.
5-Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, në bashkëpunim me intelektualë, ekspertë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë sheshi i protestës.
🔹️Këto janë kërkesat e shpallura publikisht.
Këto janë kërkesat që bashkojnë protestuesit.
Dhe këto janë kërkesa që nuk ndryshojnë në varësi të emrit të atij ose asaj që merr mikrofonin.
🔹️Le të mos harxhojmë energji duke pyetur “Pse e lexoi ky?” ose “Pse e lexoi ajo?”.
🔹️Le të përqendrohemi te ajo që ka vërtet rëndësi:
A jemi dakord me përmbajtjen?
Nëse përgjigjja është PO, dhe kështu është e vërteta, atëherë gjithçka tjetër është dytësore.
🔹️99.99% të protestuesve i bashkon dorëheqja e kësaj qeverie dhe krijimi i kushteve për një fillim të ri,
✔të një “Shqipërie të re”,
✔të një Shqipërie ndryshe,
✔të Shqipërisë që meritojnë shqiptarët dhe jo të asaj që ndërtuan për veten e tyre qeveritarët.
…dhe, siç do të thoshte Naim Bej: “Të mirat e tjera paskëtaj do të vijnë”.

About Redaksia

Check Also

Edi Rama, kthehu edhe në Londër, pas Parisit!

Nga Bujar Leskaj Kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer dha dje dorëheqjen nga posti …