Nga Arlind BAJAJ
Shqipëria ndodhet sot në një gjendje të jashtëzakonshme. Sot, një prej protestave më të mëdha që ka njohur Shqipëria hyn në ditën e saj të tridhjetë. Një muaj protestë, një muaj shpresë, një muaj liri.
Thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” duket se sa kohë kalon, aq edhe më shumë shtohen. Një rebelim i shqiptarëve, të cilët prej më shumë se dhjetë vitesh dalin në sheshe për të protestuar, duket se sot po arrin kulmin e tij. Për tridhjetë ditë me radhë, një numër i lartë qytetarësh kanë dalë në protestë me një qëllim të vetëm: rrëzimin e diktatorit Rama. Kjo protestë e jashtëzakonshme ka gjetur jehonë të madhe edhe në mediat e huaja. Të gjitha mediat flasin për pushtetin absolut të Ramës në Shqipëri dhe ngritjen masive të shqiptarëve kundër tij.
Ndërsa ditët kalojnë, vendosmëria e protestuesve nuk zbehet, por forcohet. Sheshet vazhdojnë të mbushen me qytetarë të çdo moshe, të bashkuar nga bindja se ndryshimi nuk mund të shtyhet më. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është i përhershëm kur përballet me një shoqëri që kërkon me këmbëngulje ndryshim. Protesta e sotme synon të dërgojë një mesazh të qartë: qytetarët kërkojnë një Shqipëri ku institucionet t’u shërbejnë njerëzve dhe ku përgjegjësia politike të mos jetë thjesht një premtim elektoral.
Qëllimi i protestës po arrihet! Tridhjetë ditë protestë kanë mjaftuar që reagimet e kryeministrit të jenë jashtë normales, gjestet e tij u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale si të pamatura dhe aspak të zakonshme. Me anë të propagandës qeveritare, e cila kontrollon një pjesë të konsiderueshme të medias në vend, krimministri kërkon, në një mënyrë apo në një tjetër, të shpërndajë vëmendjen nga protestat, duke përmendur “arritjet” e tij. Arritje të cilat nuk shihen askund.
Ai flet për aeroportet e ndërtuara, me siguri ka parasysh aeroportin në bashkinë e Safet Gjicit ku ende fluturimet mbeten të rralla, pasi aeroporti i Vlorës, edhe pse ishte premtuar të hapej muaj më parë, ende nuk ka rezultat konkret. Përkundrazi, një rrëmujë e madhe ka kapluar atë projekt dhe nuk dihet ende se në duart e kujt ndodhet. Ai flet për turizmin që ka arritur shifra rekord, por këta turistë nuk shihen askund. Përkundrazi, bizneset në qytetet bregdetare turistike me zor presin stinën e verës për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për jetesë. Ai flet për transformim në arsim dhe shëndetësi, kur të gjithë e dinë shkatërrimin e këtyre dy sektorëve jetikë. Në rastin e parë, shembulli më i qartë është degradimi i shkollave, qofshin universitare apo parauniversitare. Ndërsa në rastin e dytë, mjafton të shohim disa prej denoncimeve që deputetë të opozitës kanë bërë në parlament, për të kuptuar gjendjen alarmante të sektorit të shëndetësisë. Ai flet për “kthimin në shina” të ekonomisë, kur në fakt dhjetra mijëra familje shqiptare e kanë gjetur emigrimin si shpëtimin e vetëm për një të ardhme të mirë, për shkak të ekonomisë së shkatërruar.
Por ai vazhdon të flasë plot gënjeshtra, me një qëllim të vetëm: të fitojë kohë përballë situatës së tij gjithnjë e më alarmante. Kryeministri vërtet ndodhet në një pozitë aspak të lehtë, në fundin e tij politik. Me anë të kësaj propagande, ai kërkon edhe pak kohë që të kontrollojë rrënien e vet dhe të minimizojë pasojat.
Por koha e tij ka përfunduar. Mundimi i trembëdhjetë viteve tani po arrin në një rezultat. Rrëzimi i këtij keqbërësi është më afër se kurrë. Betejat kanë qenë të pafundme, të lodhshme dhe sfilitëse për këdo që ka qenë kundër këtij regjimi që nga dita e parë. Por tani ndodhemi në betejën tonë të fundit, betejë që nisi më 16 maj të këtij viti, kur vlonjatët u ngritën për të protestuar. Ishte Vlora djepi nga i cili nisi kjo protestë madhështore. Ishin vlonjatët ata që u ngritën për zonat e mbrojtura dhe transparencën e projektit. Edhe opozita ishte aty, në mesin e qytetarëve, për të mbështetur çdo kauzë të drejtë, njësoj siç ka bërë këto 35 vite të demokracisë. Ishte një grup të rinjsh, të deleguar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike të Vlorës, që mbështetën protestuesit. Ky ishte fillimi i betejës së fundit kundër krimministrit. Ky ishte fillimi i fundit të Edi Ramës.
Edhe pse jemi kaq afër, ajo që duhet të shmanget në mënyrë absolute është bërja e gabimeve. Një gabim, sado i vogël, mund të çojë në pasoja shkatërrimtare. “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Shqipëria e shqiptarëve” janë dy thirrjet themelore të protestës, më të bukurat dhe më të pastrat. Kështu filloi protesta: me thirrjen “Shqipëria e shqiptarëve” dhe kështu duhet të vazhdojë. Ajo çka protestuesit duhet të shmangin janë thirrjet e tjera, si për shembull “Shqipëria e Re”.
Kur dëgjoj shprehjen “Shqipëria e Re”, e cila nuk i ngjan aspak një thirrjeje proteste, më kujton njërin prej librave më të njohur politikë të botuar për Shqipërinë, librin e Fred C. Abrahams, “Modern Albania”, përkthyer në shqip si “Shqipëria e Re”. Ajo çka në pamje të parë duket thjesht si një libër historik i shkruar nga një diplomat i huaj, në thelb fsheh një agjendë krejt tjetër. Vetë autori ka punuar në projekte të ndryshme të financuara nga “Open Society” e George Soros, ai është njëri prej njerëzve të tij më të besuar në Ballkan. I njëjti titull sot vihet në skenë në një prej protestave më të bukura që Shqipëria ka parë. Ajo çka e ndot këtë skenë janë personat që duan ta kthejnë atë titull në moton kryesore të protestës, të njëjtët persona të cilët, duke u paraqitur si organizatorë, u japin fjalën kujt duan dhe ua heqin kujt nuk u pëlqen. Por kjo nuk duhet të jetë gënjeshtra tjetër me të cilën do të mashtrohen shqiptarët. Nuk duhet të jetë si termi “Fillim i Ri” apo “Rilindja”, me të cilin krimministri i sotëm dikur kërkonte të sillte ndryshim dhe pikërisht atë “Shqipëri të Re” duan ta vendosin sot në podiumin e protestës. Por gabohen! Shqiptarët nuk mund të gënjehet edhe një herë nga komunistët modernë, pasardhës të Byrosë Politike.
Prandaj kjo protestë duhet të ngelet e pastër! Ky zë i ngritur nuk duhet të shuhet kurrë! Kjo betejë duhet të përfundojë vetëm me rrëzimin e Edi Ramës dhe fund nuk duhet të ketë derisa të vijë fundi i tij. Ky është vetëm fillimi i një historie që do të mbahet mend me shekuj. Do të kujtohet ndër breza si pushtimi i përkohshëm i diktatorit Rama dhe rrëzimi i tij nga forca e ngritjes qytetare. Do të kujtohet sakrifica e atyre qytetarëve që për vite me radhë protestuan në sheshet dhe rrugët e Tiranës. Do të kujtohet puna e palodhur dhe përkushtimi i të gjithë atyre që shtynë me duart e tyre këtë kalbësi drejt humnerës, që kurrë të mos kemi më qeverisje si kjo e trembëdhjetë viteve të fundit, dhe si ajo e 45 viteve të etërve të tyre. Sepse Shqipëria është e shqiptarëve!
Gazeta RD