Noka: Ju po e shndërroni këtë parlament në një palo-parlament!

Seanca e fundit parlamentare është shoqëruar me tensione të larta. Gjatë fjalës në foltore, deputeti Flamur Noka ka lëshuar një lumë akuzash drejt mazhorancës dhe drejtuesve të seancës, duke i bërë përgjegjës për injorimin total të zërit të qytetarëve.

Duke kërkuar fjalën për procedurë, Noka theksoi se, kërkesat e grupit të tij parlamentar, të cilat përputhen me ato të protestuesve që ndodhen prej gati dy muajsh në shesh, po hidhen në kosh nga qeveria. Situata politike në vend u cilësua nga ai si një “narkoregjim” i zhytur në babëzi dhe shkatërrim, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve të Kuvendit që t’i përmbahen rregullores dhe të fusin urgjentisht në rendin e ditës kërkesat e tyre.

Flamur Noka: Një kërkesë, të grupit tonë parlamentar, e cila përputhet plotësisht me kërkesën e atyre qytetarëve që protestojnë, po bëjnë gati dy muaj që janë në shesh, me pika të përcaktuara të kërkesave të tyre, ju i neglizhoni apo ju i hidhni tutje në kosh dhe nuk i konsideroni. Ata janë qytetarë, kjo është opozita e vendit. Ata janë qytetarë të këtij vendi që protestojnë kundër narko-regjimit, kundër babëzisë, kundër shkatërrimit dhe për një Shqipëri normale dhe për një qeverisje normale dhe jo për një narko-qeveri. Ndaj duhet, duhet ju, bazuar në rregullore, sepse keni detyrë, e keni detyrë kërkesat t’i trajtoni, të fusni me urgjencë në rend dite çështjen e kërkuar nga opozita dhe të mbështetur edhe nga qytetarët dhe nga protesta e tyre.

Ju po e shndërroni këtë parlament në një palo-parlament. Shikoni edhe sondazhet. Çfarë tregojnë? Po shndërrohet në institucionin më të, më të pabesueshëm, më të poshtëruar. Një institucion i zhgarravitur. Pra, po po, i zhgarravitur. Shiko, ju jeni zhgarravina, unë nuk doja t’ju thoja që ju jeni zhgarravina por s’kam ç’ju them, ashtu jeni. Tani, kjo është, ky është një realitet. Ndaj zotëri, në rast se do t’i japësh parlamentit hijen e një parlamenti normal, trajto dhe fut në rend të ditës me urgjencë kërkesat e opozitës dhe të protestuesve që janë prej 50 ditësh në shesh.

About Redaksia

Check Also

Kush përfiton nga “investitori strategjik”?

Kërkesa “Shqipëria nuk shitet” keqinterpretohet kur paraqitet si refuzim i çdo investimi. Interpretimi i saj …