Bardhi i përgjigjet ministrit të Mbrojtjes: E papranueshme është shkelja e Kushtetutës!

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i është përgjigjur deklaratave të Ministrit të Mbrojtjes, i cili e cilësoi të papranueshëm dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh.

Përmes një postimi në Facebook, Bardhi renditi një sërë argumentesh, duke theksuar se e papranueshme është shkelja e Kushtetutës dhe procedurave parlamentare. Ai akuzoi qeverinë se ka miratuar marrëveshjen me procedurë të përshpejtuar, pa u dhënë deputetëve kohën e nevojshme për shqyrtimin e saj dhe duke anashkaluar rolin kushtetues të institucioneve.

Reagimi

Ministri i Mbrojtjes paska konsideruar të papranueshëm dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh.

Dikush duhet t’i shpjegojë se:

E papranueshme është të shpërfillësh hapur Kushtetutën e vendit tënd dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

E papranueshme është që deputetët të votojnë pa u njohur me tekstin e marrëveshjes, me të cilën Shqipëria merr një hua prej 302 milionë dollarësh.

E papranueshme është që Këshilli i Ministrave të marrë një muaj kohë për shqyrtim, ndërsa Kuvendit të Shqipërisë t’i jepen vetëm katër orë për miratim.

E papranueshme është të çosh miliona euro të shqiptarëve për tre inceneratorë që nuk ekzistojnë, ndërsa për të garantuar sigurinë kombëtare të marrësh borxh, sepse nuk arrin ta financosh atë me fondet e Buxhetit të Shtetit.

E papranueshme është ta trajtosh një marrëveshje strategjike me aleatin tonë strategjik sikur të ishte një urdhër i brendshëm i Ministrit të Mbrojtjes.

E papranueshme është që Presidentit të Republikës t’i jepen vetëm 30 minuta për të vlerësuar dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje huaje dhe që ai, brenda po këtyre 30 minutave, të japë pëlqimin pa e lexuar, pa e analizuar dhe pa përmbushur rolin e tij kushtetues të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve.

E papranueshme është t’i trajtosh të gjitha institucionet, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, si anekse të Qeverisë.

Mbi të gjitha, nuk ka gjë më të pranueshme në një vend demokratik sesa mbrojtja e Kushtetutës.

About Redaksia

Check Also

EUROSTAT: 53 përqind e familjeve shqiptare nuk bëjnë dot 1 javë pushime!

Shqipëria është e rrethuar nga dete, liqene dhe Alpe mahnitëse, por më shumë se gjysma …