Ish-konsulli dhe ish-kryekonsulli i Shqipërisë në Stamboll, Mal Berisha, ka reaguar ndaj marrëveshjes për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër.
Në një status në rrjetin social FB, ai shpreh kundërshtimin e tij, duke argumentuar se Serbia nuk ka interes konsullor që të justifikojë një përfaqësi të tillë në qytetin verior dhe ngre dyshime për motivet e kësaj nisme.
Reagimi
Të dashur miq!
PROTESTOJ
Si ish-konsull dhe kryekonsull i Republikës së Shqipërisë në Stamboll, Turqi (1992 – 1997), e ndiej si detyrë të prononcohem lidhur me marrëveshjen Rama–Vuçić për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër.
Konsullatat hapen aty ku ka nevojë për përkujdesje ndaj bashkësive të vendit dërgues që jetojnë në vendin pritës. Në rastin e Stambollit, ato shërbejnë edhe për ripërtëritjen e marrëdhënieve me diasporën shqiptare në atë vilajet, ku, sipas vlerësimeve, jetojnë miliona qytetarë me origjinë shqiptare. Shumë prej tyre e identifikojnë ende veten si shqiptarë, por ka edhe shumë të tjerë që rrethanat i kanë asimiluar, ndonëse ruajnë ndjenjën e përkatësisë së tyre shqiptare.
Një rol të rëndësishëm luan edhe përkujdesja për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ekonomike dhe të biznesit ndërmjet vendit dërgues dhe vendit pritës.
Po ashtu, konsullata ka si detyrë parësore kujdesin për qytetarët e vet që udhëtojnë ose banojnë në zonën që mbulon ajo, në raste problemesh me autoritetet e vendit pritës, humbje dokumentacioni, çështje identiteti, apo pajisjen me dokumente për t’u kthyer në atdhe në raste të tilla si humbja e pasaportës ose situata të tjera të ngjashme.
E konsideroj veten si një nga njerëzit më të përkushtuar, si për kategorinë e parë, ashtu edhe për të dytën, e cila është edhe më e rëndësishme.
Në fakt, me largimin tim nga shërbimi në Stamboll, kam përgatitur dhe dorëzuar në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë studimin e plotë
“Diaspora Shqiptare në Turqi”.
Prandaj, pyes me të drejtë: çfarë interesi konsullor ka Serbia në Shkodër?
Përveçse të merret me veprimtari informative dhe t’u shërbejë marrëdhënieve okulte të boshtit Rama–Vuçić, unë nuk shoh asnjë arsye tjetër.
Natyrisht, derisa edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës është një “Ramë i vogël”, nuk pritet që ai të reagojë për një çështje që ndodh pikërisht në derën e tij.
Mbetet që shkodranët patriotë ta marrin mbi vete këtë detyrë.
Me respekt,
Mal Berisha
Ish-konsull dhe Kryekonsull i Republikës së Shqipërisë në Stamboll (1992 – 1997)
Gazeta RD