Profesori Lush Susaj mbajti një fjalim në ditën e 67-të të protestës qytetare ku kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të ardhmen e vendit dhe duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës.
Në fjalën e tij, Susaj deklaroi se sipas tij nuk mjafton më kërkesa për dorëheqje, por se qytetarët duhet t’i kërkojnë kryeministrit të largohet nga pushteti.
“Jemi në kohën kur duhet t’i themi: Rama shporru”, u shpreh ai para protestuesve.
Profesori tha se mijëra maturantë po përgatiten të studiojnë jashtë vendit, pasi, sipas tij, sistemi arsimor është dëmtuar rëndë nga politika.
Fjala e profesorit Lush Susaj
Të nderuar bashkëqytetarë, shqiptarë të nderuar e të përgjegjshëm që doni me ia shlyer borxhin Shqipërisë në ditët më të vështira të saj, dhe borxhi më i mirë e mënyra më e mirë me ia shlyer borxhin vendit tuaj nuk keni se me ra në sheshet e lirisë, e me i dhënë fund bandës së qeverisjes që nuk ju duam, dhe jo më Rama jep dorëheqjen, po jemi fiks në kohën kur duhet t’i themi Rama shporru, le të qelbet në trojet tona.
Së pari, dua ta filloj me një respekt të veçantë për çdo protestues dhe çdo shqiptar që e kupton përgjegjësinë historike për t’i dalë zot dhe për t’u bashkuar në këtë protestë të bashkimit dhe të shpëtimit kombëtar.
Së dyti, kam dy momente. Momenti i parë që më vjen ndërmend dhe ia kam borxh unë dhe çdo prind i Shqipërisë, janë 26,600 maturantë të Shqipërisë të cilët po përgatiten me konkurru në universitetet e rajonit dhe të botës dhe me u largu nga Shqipëria, sepse në vendin tonë ka ra kolera e dijes. Në vendin tonë politika e masakroi sistemin arsimor.
E unë ju bëj thirrje këtyre 26 mijë maturantëve, mos ikni, po regjistrohuni në universitetet shtetërore të Shqipërisë. Regjistrohuni, sepse me ndihmën e Zotit dhe të zgjimit të kombit shqiptar, do t’i kthejmë universitetet tona në universitete të edukimit profesional dhe qytetar të të rinjve, e jo më në universitete të punësimit nepotik e hajdutëror të partisë.
Me ndihmën e Zotit, do t’i kthejmë shkollat dhe universitetet e Shqipërisë në shërbim të krijimit të karaktereve të forta kombëtare, të nxënësve dhe studentëve që i duhen Shqipërisë, e jo siç i kemi sot në shpella të zeza ku dhunohet karakteri i nxënësit e i studentit, ku krijohen servila për t’i shërbyer linjave nepotike që ngjasin prej 1945-ës, por do t’i kthejmë në shkolla ku kultivohet qytetaria dhe ndërshmëria evropiane.
Në këtë rast i bëj thirrje çdo profesori dhe mësuesi të Shqipërisë, në rast se nuk e ka hëngër lugën e çorbës së prishur të korrupsionit komunist dhe neokomunist, ngrihuni dhe zbrisni në sheshet e lirisë në mbrojtje të fëmijëve tuaj dhe fëmijëve të Shqipërisë, që i keni si fëmijët tuaj. Nxënësin dhe studentin e kemi amanet prej Zotit, nuk e kemi prej rrogës.
Së dyti, i bëj thirrje fermerëve dhe blegtorëve të Shqipërisë, zbrisni në sheshet e lirisë e mbroni produktet tuaja, djersën tuaj, tokën tuaj. Mos zbatoni ikjen. Rruga e ikjes është rruga e lehtë, por është rruga e turpit. Ata po kërkojnë, ju detyrojnë me ikë edhe me ua lënë pronat për pesë lekë. Mos ikni, qëndroni këtu. Ama, mos harroni e të kuptoni e të kujtoni, sot e 1,000 vjet, se toka e shqiptarëve është e vetmja tokë në Ballkan e në Evropë e pambjellur, e ndarë në djerr, a thua ka mbetur shkretë, dhe shkretë e kanë lënë politikat e kësaj qeverisjeje.
Mos harroni, produktet blegtorale të Shqipërisë, prodhimet shtazore të Shqipërisë, janë të vetmet produkte të rajonit e të Evropës që nuk mund të qarkullojnë në tregun e Bashkimit Evropian, sepse qeverisja injorante, nepotike e hajdutërore që i ka shpallur luftë veterinerit dhe agronomit, që i poshtëroi agronomin dhe veterinerin, që i mbyt agronomin dhe veterinerin, që i largoi nga Shqipëria agronomin dhe veterinerin, i ka lënë bujqësinë dhe blegtorinë jashtë kontrollit dhe për pasojë, edhe popullsia është totalisht e rrezikuar nga mungesa e sigurisë ushqimore. Prandaj ju them, dilni në sheshin e lirisë.
E mbyll me muajin gusht. Muaji gusht, jua kam thënë dhe jua përsëris, është muaji i vrasjes mizore, të varur në litar të poetit Havzi Nela. Kanë varur në litar, këta të tillat e komunizmit, kanë varur në litar mësuesin dhe poetin Havzi Nela. E përse u desht me u varur poeti e mësuesi?
Sepse ju tha: eni ju motra, eni ju gra, eni ju vajza ta vajtojmë këtë nënë që horrat e kombit e kanë shtrirë në këmbë. Vargjet e Havzi Nelës janë aktuale. Ne duhet të mblidhemi, ose me e vajtuar Shqipërinë, ose me larguar ata që e kanë futur Shqipërinë nën këmbë. Unë ju sugjeroj shqiptarëve të rinj, kudo që janë, mblidhuni të largojmë ata që e kanë futur Shqipërinë nën këmbë.
Duke e mbyllur, duke uruar çdo shqiptar, rrofshin shqiptarët, rroftë Bashkimi Evropian, rrofshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përsëri, me një lutje, rroftë drejtësia shqiptare, u bëftë drejtësia shqiptare!
Burra, gra, motra e vëllezër, e kemi të thellë, sepse vijmë nga komunizmi i fëlliqur, vijmë nga kopilat e komunizmit të 1945-ës, ama mos harroni se jemi autoktonë, e do të lindin nënat djem në Shqipëri që do të bëjnë drejtësi, prandaj drejtësinë ta urojmë, ta inkurajojmë dhe ta forcojmë me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Paçi faqen e bardhë, ju ruajtë Zoti!
Gazeta RD