Zyra-Rama pushtetngrënësja që po zhbëhet nga Protesta!

Nga Petrit VASILI

Askush nuk ka të drejtë t’i bishtnojë faktit që sot në Shqipëri sundon vetëm Zyra-Rama, një përbindësh mafioz, që ka gëlltitur të gjitha pushtetet.

Zyra-Rama është sot dispeçeria e vetme nga ku shpërndahen poste pushtetore, ku ndahen miliarda euro të taksave tona, ku ndahen tendera, ku ndahen koncesione, ku grabiten prona pa fund, ku jepen asete publike të çmuara, ku priten e përcillen narkotrafikantë, ku përgatiten ligje me porosi, ku gatuhen shantazhet e kërcënimet ndaj biznesmenëve, deputetëve, mediave, gjyqtarëve e prokurorëve.

Zyra-Rama ka gëlltitur, ka shitur Kufijtë Detarë, Portin e Durrësit, Bregdetin e Jonit e të Adriatikut, AKSHI-n dhe të gjithë informacionin e Shqipërisë, koncesione pa fund, Tunelin e Llogarasë, rrugët e Shqipërisë, naftën, tenderat, Qendrat e qyteteve, qindra fshatra.

Zyra-Rama ka kthyer Policinë në narkopolici, mbrojtjen në narkombrojtje, shërbimin sekret në zgjatim të narkomafias, pra ka shkatërruar Sigurinë Kombëtare duke e kthyer në siguri për narkomafian.

Zyra-Rama ka gjalluar gjer më sot mbi tre këmbë: shantazhit, kërcënimit dhe mbjelljes së frikës.

Jashtë frikës dhe druajtjes për të folur hapur, Zyra-Rama nuk tremb askënd dhe realisht nuk është asgjë.

Protesta po dërrmon Zyrën-Rama duke i thyer pikërisht këto tre këmbë, pra duke sfiduar hapur frikën, kërcënimin dhe shantazhin.

Për 69 ditë rresht, në një demonstrim unik në pluralizmin shqiptar, Protesta po godet pa mëshirë koren e trashë të frikës të ndërtuar nga Zyra-Rama, përmes zërit të njerëzve të zakonshëm që po i heqin secili prej tyre nga një tullë kësaj Zyre të neveritshme mafioze.

Sot i madh e i vogël sheh qartë se si Zyra-Rama ka gëlltitur Parlamentin, Presidentin, Qeverinë, Gjykatat, Institucionet e Pavarura, shumicën e Medias, ka monopolizuar Biznesin, pra thjesht ka rrëmbyer jetën dhe lirinë e njerëzve duke lënë gjithçka në duart e një njeriu sa të inkriminuar aq edhe totalisht të paaftë.

Protesta ka kthyer fjalën e lirë të thënë pa frikë, ka treguar se Zyra-Rama ka sjellë vetëm plaçkitje dhe shkatërrim, Protesta ka ngritur një Parlament Publik të hapur ku njerëzit flasin dhe tregojnë Shqipërinë reale të mijëra halleve, tregojnë se premtimet e Ramës janë thjesht mashtrime pa mbarim, tregojnë se drejtësia është kapur, nuk vepron dhe është kthyer në një mburojë për Ramën, tregojnë me gisht edhe se shpopullimi ka një shkaktar me emër dhe mbiemër që quhet Edi Rama.

Ndaj krijesa monstruoze, Zyra-Rama, është ajo, që po zhbëhet nga Protesta për të shpëtuar vendin nga një akrep, që ka helmuar çdo ditë për 13 vjet rresht damarët e kombit.

Zyra-Rama duhet shkatërruar medoemos si shembull që askush të mos guxojë që të ngrejë më kurrë një zyrë të tillë të dytë si kjo.

Zyra-Rama pushtetngrënësja, që po zhbëhet nga Protesta!

About Redaksia

Check Also

Kim Mehmeti: Nuk është i fortë piktori – e fortë është “aleanca e qelbësirave” që e mbron!

Nga Kim MEHMETI Nëse, si popull, ke vetëm atë që mund ta vjedhin hajdutët, atëherë …