Tabaku: Shtet personal! Fermerët refuzohen për TVSH-në, KAYO përfiton përjashtime fiskale

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se po aplikon politika fiskale selektive, pasi sipas saj politikat fiskale të qeverisë nuk u shërbejnë sektorëve të gjerë të ekonomisë, por një rrethi të kufizuar kompanish të privilegjuara.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku sjell në vëmendje rastin e kompanisë KAYO, e cila siç shkruan, përfiton nga përfshirja e makinerive që përdor apo do të përdorë në listën e pajisjeve të përjashtuara nga TVSH-ja.

Deputetja e PD-së e cilëson këtë rast si një tjetër shembull të asaj që ajo e quan “shtet personal”.

“Si ta kuptojmë shtetin personal? Është folur gjatë për ligjet me porosi dhe shtetin personal. Megjithatë, ka ende qytetarë që pyesin se si mund të dallohet një politikë e tillë. Ja një shembull i freskët”, shkruan Tabaku.

Sipas saj, fermerët dhe blegtorët kërkojnë prej më shumë se një mandati lehtësimin e TVSH-së për bujqësinë, një sektor që përbën rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, punëson një pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve dhe po përjeton një prej rënieve më të forta në ekonomi.

Tabaku thekson se kjo kërkesë është refuzuar vazhdimisht nga ministrat përgjegjës gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ndërsa për kompani të lidhura me interesat e qeverisë krijohen me shpejtësi lehtësi të posaçme.

“Për bujqit nuk gjendet zgjidhje. Për kompanitë pranë oborrit qeveritar gjenden menjëherë përjashtime fiskale, status investitori strategjik dhe tokë publike”, shprehet deputetja demokrate.

Ajo sjell si krahasim edhe politikat e vendeve të rajonit, të cilat aplikojnë norma më të ulëta për produktet e shportës ushqimore dhe mbështesin konkurrueshmërinë e prodhimit vendas. Në Shqipëri, sipas Tabakut, qeveria vazhdon t’i rëndojë fermerët me TVSH, të dobësojë produktet “Made in Albania” dhe të nxisë informalitetin.

“Një qeveri në krah të një pakice të privilegjuar dhe kundër shumicës së harruar. Ky është shteti personal. Ky është sistemi socialist”, përfundon Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Deputetja e larguar nga PS: U kujdesët për “Paketën e Maleve”, por po digjet pasuria e vendit!

Deputetja e larguar tashmë nga grupi parlamentar i PS, Marjana Koçeku ka reaguar lidhur me …