Vijon protesta e banorëve të disa fshatrave të zonës naftëmbajtëse përballë zyrave të Bankers Petroleum, ku situata është tensionuar pas përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Disa prej përfaqësuesve të banorëve janë lejuar të futen brenda ambienteve të institucionit për të paraqitur kërkesat e tyre, ndërsa pjesa tjetër e banorëve nuk është lejuar të hyjë.
Kjo situatë ka sjellë përplasje mes protestuesve dhe policisë, pasi banorët kanë kërkuar të futen edhe ata brenda ambienteve të kompanisë. Forcat e policisë kanë bllokuar hyrjen, duke shkaktuar tensione dhe debate me protestuesit.
Banorët e Belinës, Marinëzës, Kallmit, Sheqishtës dhe Zharrëzës protestojnë për mospagesën e qirave të tokave të tyre, të cilat, sipas tyre, nuk janë shlyer që prej muajit mars.
Ata kërkojnë respektimin e kontratave dhe pagesën e detyrimeve të prapambetura për tokat që përdoren nga kompania për aktivitetin e saj, ndërsa kundërshtojnë edhe kërkesën për uljen e çmimit të qirasë.
Banorët paralajmërojnë se protesta do të përshkallëzohet nëse nuk marrin një zgjidhje për detyrimet e papaguara.
Ndërkohë, tensionet para ambienteve të kompanisë vijojnë, me banorët që kërkojnë të dëgjohen dhe të marrin përgjigje për paratë që, sipas tyre, u detyrohen prej muajsh.
Gazeta RD