Propaganda e radhës

Nga Arlind BAJAJ

Në një prej postimeve të tij të shumta në rrjetet sociale, krimministri Edi Rama, me germa të mëdha, shkroi propagandën e radhës. Njësoj si babai i tij shpirtëror, krimineli komunist Enver Hoxha, që çdo ditë thurte lavde për regjimin e tij, për të shuar urinë e një populli fatkeqësisht mjeran. “LAJM I PABESUESHËM POR 100% I VËRTETË”.
Këtë herë, lavdet nuk ishin për uljen e superfuqisë botërore amerikane, siç bënte dikur regjimi komunist, por për “arritjen” e Shqipërisë në vendin e parë sipas indeksit ndërkombëtar National Cyber Security Index (NCSI).
Por çfarë është në të vërtetë NCSI?
NCSI, si indeks ndërkombëtar, përgatit renditjen e shteteve lidhur me sigurinë kibernetike në aspektin ligjor, strukturor, politik dhe institucional. Më konkretisht, ai verifikon nëse shtetet kanë strukturat e nevojshme për menaxhimin e sigurisë kibernetike, njësitë për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike.
Në thelb, jo të gjitha shtetet mund të jenë aq të sofistikuara sa të jenë të gatshme të përballen me krimin kibernetik në aspektin e strukturave dhe institucioneve. Por një gjë është e sigurt: Shqipëria ende nuk ka arritur në një shkallë të tillë sigurie sa të kalojë vende ku teknologjia dhe siguria kibernetike përbëjnë një nga shtyllat kryesore të shtetit, si Australia, Kanadaja, Estonia, Gjermania, Singapori, Zvicra etj.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja: Sa reale është kjo renditje?
Dyshimet shtohen kur shohim se kush qëndron pas këtij indeksi. National Cyber Security Index (NCSI) zhvillohet nga Fondacioni e-Governance Academy, i cili është themeluar në vitin 2002 nga Qeveria e Estonisë, United Nations Development Programme (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) dhe Open Society Institute (Instituti i Shoqërisë së Hapur), ose Fondacioni i sotëm i Shoqërisë së Hapur i George Soros. Deri këtu, asgjë e pazakontë. Problemi nis pikërisht në momentin kur krimministri Edi Rama fotografohet gjatë pushimeve të tij me Alex Soros, të birin e krijuesit të Fondacionit Shoqëria e Hapur, si edhe me Andi Dobrushin, drejtorin e kësaj shoqërie në Ballkanin Perëndimor. A mund të jetë e gjitha kjo një rastësi? Apo thjesht hesapet dhe propaganda e radhës? A janë përdorur si provë të gjitha dokumentet zyrtare? A janë interpretuar saktë nga NCSI? A mund të verifikohen të njëjtat pikë edhe nga burime të tjera të pavarura?
Nëse do të flisnim për një renditje të vërtetë të sigurisë kibernetike dhe të mbrojtjes së saj, por edhe për atë se sa e sigurt është qeveria shqiptare ndaj rrezikut të sulmeve kibernetike dhe, po ashtu, qytetarët e thjeshtë, personalisht, si një njeri i teknologjisë së informacionit, do ta përgatisja totalisht në një tjetër mënyrë.
Kriteri i parë do të ishte vëzhgimi i sulmeve kibernetike të arritura gjatë një viti. Për këtë arsye, raporti i vitit 2026 do të duhej të kryhej dhe publikohej në vitin pasardhës. Pikërisht këtu qëndron edhe absurditeti i raportit të kryer në rastin e mëparshëm.
Kriteri i dytë do të ishte përqindja e informacionit të marrë nga pajisja apo pajisjet e prekura gjatë sulmit.
Kriteri i tretë do të ishte vëzhgimi i mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike: sa tentativa sulmesh kanë qenë të pasuksesshme për shkak të mbrojtjes kibernetike dhe çfarë masash janë marrë ndaj dështimeve të mbrojtjes.
Vetëm këto tre kritere (nga dhjetëra të tjera që mund të merren si bazë për një statistikë) do të mjaftonin për të vënë në pah gjendjen skandaloze dhe mjerane të sigurisë kibernetike kombëtare në Shqipëri.
Për të mos folur për skandalet e viteve të mëparshme, ku ende miliona dokumente dhe të dhëna personale shiten, blihen e qarkullojnë nga një dorë në tjetrën në tregun e zi të internetit, le të mbetemi te shifrat dhe statistikat e sulmeve kibernetike të këtij viti. Në vitin 2026 pati konstatim për vetëm dy sulme kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, nga grupi famëkeq iranian i hakerëve “Homeland Justice”, të cilët sulmuan Kuvendin e Shqipërisë dhe Postën Shqiptare. Si provë të këtij hakerimi, ata publikuan emaile, por edhe disa prej të dhënave që vodhën nga këta dy serverë. Mirëpo, raportimi e konstatoi këtë sulm si të pasuksesshëm.
Pra, çfarë vihet re?
Përveçse propaganda qeveritare e krimministrit Rama ka kryer një punë të kënaqshme, mbrojtja kibernetike ka bërë krejt të kundërtën. Rreziqet që kanosin çdo ditë institucionet qeveritare sa vijnë dhe shtohen. E megjithatë, mbrojtja kibernetike ndaj tyre mbetet po e njëjtë, edhe pse miliarda euro investohen në këtë drejtim.
Kjo është siguria kibernetike që sot na shitet si “arritje”?

About Redaksia

Check Also

Ukraina si problem i vogël, por edhe mik i dobishëm

Nga Genc POLLO* Që të qartësojmë perspektivën: 1- Mosnjohja diplomatike e Kosovës nga ana e …