Menaxhimi i sezonit turistik në Vlorë përballet me një kolaps të gjithanshëm!

Nga Rezenbrik Serjani-Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

Menaxhimi i sezonit turistik në Vlorë këtë vit është përballur me një kolaps të gjithanshëm. Kryeinstitucioni që menaxhon dhe është drejtpërdrejt përgjegjës për menaxhimin urban dhe infrastrukturor të qytetit, ku këto të fundit janë në funksion të plotë të turizmit, cilësisë së tij dhe ofrimit të aksesueshmërisë urbane për vizitorët e qytetit, Bashkia Vlorë, si pasojë e paaftësisë, arrogancës dhe korrupsionit, ka bërë që të mos jetë më institucioni i parë në krye të punëve të qytetit të Vlorës.

Keqmenaxhimi është kryefjala e drejtimit në Bashkinë Vlorë.

Jemi ndeshur këto ditë vere me pamje të kryetares 7% të Bashkisë Vlorë, nëpër rrugët e qytetit, përmes videove propagandistike ku pretendohet se po përmirësohet infrastruktura dhe po asfaltohen rrugët kryesore të qytetit. Por, përveçse punime për të kaluar radhën dhe për të mbushur Facebook-un e kryetares së bashkisë, ato nuk rezultojnë të jenë asgjë tjetër. Qyteti është në mëshirë të fatit. Sezoni turistik po ashtu.

Bashkia, me tendera pastrimi me vlerë 4 milionë euro, me tenderime të llojeve, përmasave dhe emërtimeve nga më të ndryshmet, ende nuk arrin të pastrojë siç duhet as kontenierët e mbetjeve urbane.

Këtë vit, kjo bashki nuk kishte asnjë plan masash për menaxhimin e sezonit turistik. I vetmi plan ishte miratimi, në fillim të sezonit, i plazheve publike me tarifa 7 mijë lekë; absurdi tjetër ishte ndarja e çoroditur e plazheve, duke mos i menaxhuar ato siç duhet, Dhe kjo butafori vazhdon më tej me planifikimin aq qesharak, aq të turpshëm dhe aspak të lidhur me nevojat reale të qytetit, për blerjen e makinave të vogla që përdoren në fushat e golfit, ose, siç quhen ndryshe, buggy.

Kryetares 7% të Bashkisë Vlorë, nuk i intereson nëse Vlora është pa ujë, nëse furnizimi është i cunguar, nëse zonat me intensitet të lartë turistik, si Zvërneci, Orikumi dhe Radhima, janë pa ujë ose me furnizim të parregullt me energji elektrike; nëse ujërat e ndotura vazhdojnë të derdhen në det; nëse Vlora ende nuk ka një flotë të mirëfilltë pastrimi apo makineri të tjera që do të ndihmonin në këtë drejtim, edhe pse në letra ato janë tenderuar me qindra mijëra euro. Kryetares së Bashkisë i intereson vetëm abuzimi !

Bashkia Vlorë është shndërruar në institucionin e fundit në krah të interesit të qytetarëve të saj. Ajo është shndërruar në një institucion të udhëhequr nga paaftësia, keqmenaxhimi, korrupsioni dhe arroganca.

Sezoni turistik, si periudha më vitale e qytetit, është braktisur nga Bashkia Vlorë. Përveç investimeve, dëshirës së mirë për të punuar, përkushtimit dhe shërbimit që subjektet dhe operatorët turistikë vlonjatë ofrojnë, asnjë mbështetje e mirëfilltë publike nuk i kushtohet kësaj periudhe jetike për qytetin.

Gjej rastin të shpreh mirënjohje për subjektet dhe operatorët turistikë vlonjatë, për të cilët duhet të jemi të gjithë krenarë.

Bashkia Vlorë nuk është krah interesit qytetar. Ajo është krah abuzimit, si kryefjalë e drejtimit të saj këto vite.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Çmimi i parë i Ramës për mbrojtjen kibernetike si çmimi i parë për ushqimin në botë gjatë komunizmit

Mariglen Kume, MCN TV: Dhe një pyetje tjetër, ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama publikoi …