Dita Ndërkombëtare e Rinisë, Zhupa: 74 ditë përballë pushtetit, rinia nuk tërhiqet

Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka përcjellë një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, duke e cilësuar rininë që proteston prej 74 ditësh si “shpresën e vërtetë të Shqipërisë”.

Zhupa shprehet se të rinjtë po kërkojnë llogari dhe po refuzojnë një realitet që i detyron bashkëmoshatarët e tyre të largohen nga vendi, ndërsa rendit si shqetësime korrupsionin, padrejtësinë, mungesën e mundësive dhe arrogancën e pushtetit.

Për deputeten demokrate Ina Zhupa, protesta e të rinjve nuk është vetëm për të sotmen, por për të drejtën për të vendosur vetë se në çfarë Shqipërie duan të jetojnë nesër.

Reagimi i Ina Zhupës

Shpresa vjen nga rinia!

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Shqipëria ka shpresë pikërisht nga të rinjtë që nuk janë dorëzuar.

Prej 74 ditësh, ata protestojnë, kërkojnë llogari dhe refuzojnë të pranojnë një vend ku miqtë, shokët, kushërinjtë e tyre bashkëmoshatar detyrohen të largohen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë

Rinia po ngrihet për të marrë në dorë fatet e vendit: kundër korrupsionit, padrejtësisë, mungesës së mundësive, arrogancës së pushtetit dhe një sistemi që ua ka mbyllur dyert atyre, kundra trajtimit te vendit si plackë për kapriçot dhe dëshirat e kryeministrit.

Këta të rinj nuk po protestojnë vetëm për të sotmen. Po protestojnë për Shqipërinë ku duan të jetojnë nesër.

Dhe pas 74 ditësh, mes lodhjes, presionit dhe indiferencës së pushtetit, ata vazhdojnë të qëndrojnë.

Kjo është shpresa e vërtetë e Shqipërisë: një rini që nuk largohet, por ngrihet. Një rini që nuk hesht, por kërkon të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen e saj.

About Redaksia

Check Also

Dita e 74 e protestës/ Mësuesi thirrje kolegëve dhe nxënësve: Bashkohuni me ne, nesër do të jetë vonë!

Një mësues i është bashkuar protestës së ditës së 74-t kundër qeverisë, duke bërë thirrje …