Protesta në Divjakë/ Rama po na merr pronat si Enver Hoxha në ’46

Në protestën e 13-të radhazi në Divjakë kundër propozimit të PS-së për reformën territoriale, një i moshuar ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e krahasuar qasjen e qeverisë ndaj pronave me atë të diktaturës së Enver Hoxhës.

Ai paralajmëroi banorët se rreziku, sipas tij, nuk lidhet vetëm me shkrirjen e bashkisë, por edhe me pronat e tyre, duke përmendur konkretisht rastin e ullishtës.

I moshuari u ndal edhe te mbështetja që Divjaka i ka dhënë Partisë Socialiste ndër vite, duke theksuar se banorët kanë votuar PS-në në 9 nga 11 palë zgjedhjet politike të zhvilluara. “Edi Rama po ju merr pronat, ju merr jetën, ju merr dinjitetin”, u shpreh ai, duke kritikuar ata që, sipas tij, vendosin interesat e partisë mbi interesat e Divjakës. Ai bëri thirrje për organizim dhe reagim ndaj vendimit për shkrirjen e bashkisë.

I moshuari: Mirëmbrëma të gjithëve. Nuk doja të dilja sonte të flisja para jush se duket sikur po bëhem bozë. Por unë mendoj që situata është më e rrezikshme se çfarë mendojmë ne që është realisht situata. Nga ç’kemi parë në takimin e kryeministrit me disa kryetarë bashkie dhe në mes të rreshtave mund të kuptohet ajo që kryeministri ynë i nderuar e ka vendosur që ne të na shkrijë. E ka vendosur. Dhe kjo është një situatë jashtëzakonisht e vështirë. Edhe unë dëshiroj t’u them gjithë divjakasve, mos mendoni… mos mendoni larg qimes, mos mendoni se kjo është një problem i thjeshtë, një reformë e thjeshtë. Kam shumë frikë që është pjesë e një programi më të madh, e një hajdutërie më të madhe, e një vjedhje më të madhe edhe më konkrete.

Ndoshta ne mund të themi që nuk jemi të interesuar për pyjet, se pylli është i shtetit… nuk e di se sa e dinë të gjithë divjaksit, unë e kam marrë vesh shumë vonë, që ne kanë dashur dhe duan të na marrin konkretisht pronat tona, pa na pyetur ne fare! Siç është rasti i ullishtës. A i dini ju? A i keni ngritur ndonjëherë zërin ju? Janë pronat tuaja! Është e pafalshme që qeveria e sotme e Edi Ramës të marrë pronat në kundërshtim me pronarët, njëlloj siç i bëri Enver Hoxha në ’46-ën. Dhe ne nuk reagojmë! Jo vetëm nuk reagojmë, por ne e mbështesim siç e thashë më përpara. Ka shumë njerëz që vënë interesat e partisë mbi interesat e Divjakës.

Para dy-tre ditësh ishte një video e kohës së fushatës me kryetarin e bashkisë me nja 30 burra të Divjakës mbrapa që bënin thirrje ‘votoni Edi Ramën, votoni Partinë Socialiste’. Unë deri këtu jam dakord. Por ama, ata që votuan Edi Ramën e votuan Partinë Socialiste edhe tani Edi Rama po ju merr pronat, ju merr jetën, ju merr dinjitetin… ata janë fshehur! Shikoj këtu, mos gjej ndonjë nga ato fytyrat, nuk është asnjëri! Sepse ata duan më shumë Edi Ramën se Divjakën. Duan më shumë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste sesa të gjithë juve këtu. Ata nuk janë burra, ata janë burrecë. Dhe ne duhet t’i pështyjmë në fytyrë! Ata ok, dakord, të votonin për një parti politike, se kështu është fushata. Por në momentin që partia politike e tyre dhe udhëheqësi i tyre i tradhton, u merr pronat, i shkatërron, ata duhet të kundërshtojnë. Se jo vetëm ullishtën, por edhe derën e shtëpisë vijnë ua marrin edhe as ju pyesin fare! Në një kohë kur në gjithë botën e qytetëruar, edhe atje ku thotë Edi Rama do t’ju çojë në Evropë, prona është e shenjtë.

Edhe ata që ndjekin rrjetet sociale mund të kenë parë që ndërtohet autostrada, edhe dikush nuk do ta lëvizë shtëpinë atje nga fusha… dhe autostrada është devijuar. Sepse është pronë private. Sistemi ynë është i mbështetur mbi bazën e pronës private. Edhe ne duhet të kemi shumë të qartë, që ky rrezik që kemi nuk zgjidhet me lutje. Nuk zgjidhet me temena. Siç kam vërejtur ndonjëherë që vijnë këtu dhe flasin: ‘O shoku kryeministër, aman të lutem na e lër Divjakën bashki’. Nuk është nga ata burra ai që preket, që ka ndjenja, që të dëgjojë njerëzit e vet. Ai e ka bërë kokën shkëmb, ka vendosur për atë se ashtu ka interesin e tij. Sepse ai është një kryebandit, dhe banditi nuk ka ndjenja.

Më falni, por në ’97-ën qarkullon formën e një barsolete dhe unë dua ta përdor këtu. Në ’97-ën kur dolën ato bandat, një bandit i doli përpara stacionit të autobusëve. Në kohën që autobusi po shkonte, ishte i mbushur plot, hipi lart dhe me automatik urdhëroi: ‘Secili do më japë 5 mijë lekë!’. Edhe të gjithë njerëzit 5 mijë lekëshin në dorë. Nga mesi, një fshatar i varfër nuk kishte 5 mijë lekë, kishte 10 mijë lekë. Edhe ia dha atë 10 mijë lekëshin me shpresën se banditi do t’i kthente kusurin. Ai vazhdoi të merrte 5 mijë lekëshat e të tjerëve. Edhe në moment ajo filloi t’i lutej: ‘O shoku kriminel, më kthe kusurin re, o shoku kriminel!’. Ku ka shok kriminel mor?! Krimineli është kriminel, ai kundërshtohet me të gjitha mjetet e mundshme!

Mendoni një gjë. E kam thënë dhe herë tjetër. Vendimet e qeverisë, vendimet e çdo qeverie, janë vendime politike. Mos dali këtu ndonjëri të na japë mend që thotë ‘e duam pa muzikë ne, mos flisni për politikë, mos flisni për këtë, mos flisni për atë’. Sistemi ynë shoqëror është i bazuar mbi partitë politike. Pikë! Nuk ka zgjidhje tjetër. Edhe çdo reagim ndaj vendimeve politike të qeverisë bëhet me reagime politike. Protesta është politike. Nuk e di se sa e keni parë, por para dy ditësh në Greqi ishte bërë një protestë. Kishte ardhur një nga ato kroçerat e mëdha me izraelitë, ishin ushtarë që kishin vrarë njerëz atje, kishin marrë gjak fëmijësh. Edhe doli populli grek me shkelma, për t’i përzënë! Ndërsa ne këtu kemi frikë se na thotë kryeministri po trembim turistët.

Dhe në kuadër të kësaj, unë do të kisha një propozim. Është bërë më përpara propozimi, por me sa duket është pak e vështirë të zbatohet. Çdo lloj proteste nuk mund të jetë e suksesshme në qoftë se nuk është e organizuar. Në qoftë se nuk ka një ekip drejtues. Unë mendoj që disa nga këta të rinjtë që i shoh më aktivë këtu përnatë, ndoshta Bledi Pashkun që e shoh shumë aktiv, që ka mundësi të marrë përsipër krijimin e një grupi, që ta organizojë. Edhe ai grup duhet zyrtarisht edhe në praninë tonë, të ftojë të gjitha forcat politike, të organizohen, kushdo që të jetë përfshirë edhe Partinë Socialiste, të dalin dhe të kundërshtojnë vendimin e qeverisë. T’u bëjë thirrje edhe atyre deputetëve, që ju të gjithë i keni votuar, që të vijnë këtu dhe të mbajnë përgjegjësi. Sepse Divjaka nga 11 palë zgjedhje politike, 9 zgjedhje ia ka bërë peshqesh, megjithëse Divjaka ka 5 të dënuar, ka dhe 72 të vrarë nga forcat komuniste. E megjithatë prapë dominon komunizmi.

Ajo ndërgjegjja, ajo frika, duhet të thyeni frikën. Sepse thyerja e frikës është për interesin tuaj, është për pronat tuaja, është për familjet tuaja, është për fëmijët, për nipërit, për mbesat. Nuk zgjidhen problemet me të lutur, zgjidhen vetëm me revoltë. Edhe ne duhet të jemi më të organizuar edhe më të përgjegjshëm për problemet që kemi, për hallet që kemi. Ju falënderit, Divjaka Bashki!

About Redaksia

Check Also

Do të jetë vjeshta e temperaturave më të larta politike/ Kush e përgjoi Linda Ramën?

Sali BERISHA Narkoshteti po shkërmoqet! Po degradon! Pollet e fundit të bëra nga PS kanë …