Rama i shkruan Zelenskit/ “Jemi me ty pavarësisht qëndrimit për Kosovën”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd lidhur me qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës, duke theksuar se mbështetja e Shqipërisë për Ukrainën nuk kushtëzohet nga qëndrimet politike të Kievit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama e cilëson Zelenskyn “mik të dashur” dhe shprehet se deklarata e tij për mosnjohjen e Kosovës ka nxitur reagime të forta nga nacionalistë në Shqipëri dhe Kosovë.

Sipas Ramës, qëndrimi kundër agresionit rus dhe në mbështetje të Ukrainës nuk mund të shihet si një marrëdhënie ku palët duhet t’i kthejnë njëra-tjetrës favore politike.

“Liria nuk është një marrëdhënie shkëmbimi”, shkruan Rama, duke argumentuar se mbështetja ndaj një vendi që përballet me luftë nuk duhet të tërhiqet për shkak të një qëndrimi të tij në një çështje tjetër.

Kryeministri pranon se Ukraina mund të ketë një qëndrim të gabuar për Kosovën, por thekson se kjo nuk e ndryshon, sipas tij, të drejtën e popullit ukrainas për të qenë i lirë.

“Ukraina mund të jetë, dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme”, shprehet Rama.

Ai shton se Shqipëria duhet të jetë në gjendje të mbajë njëkohësisht dy qëndrime: të kundërshtojë pozicionin e Ukrainës për Kosovën dhe të vijojë mbështetjen për Ukrainën në përballjen me agresionin rus.

Në përfundim të reagimit, Rama thekson se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Ukrainës, duke e mbyllur mesazhin me sloganin: “UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë.”

About Krye Redaktor

Check Also

Ndryshon kursi në Uashington/ SHBA u jep detyra të reja diplomatëve

Departamenti Amerikan i Shtetit i jep fund praktikave të ndërhyrjes së ambasadorëve në politikat e brendshme të shteteve …