Policia ka zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil, ngjarje e ndodhur mëngjesin e sotëm në ambientet e lokalit “Principote”.
Në kuadër të hetimeve, 11 persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar gjithashtu 41 persona për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
Autori i dyshuar, 29-vjeçari S. L., alias S. V., banues në Helshan të Hasit, u kap në Levan të Fierit, i fshehur në bagazhin e një automjeti. Në makinë ndodheshin edhe një 31-vjeçare dhe një 38-vjeçar, të dy shtetas turq, të cilët, sipas policisë, kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në automjet me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës. Të dy u arrestuan.
Në pranga kanë përfunduar gjithashtu katër kamarierë të lokalit “Principote”, S. S., E. B., I. C. dhe M. Zh., të cilët, sipas hetimeve, dyshohet se janë përfshirë në konflikt dhe kanë goditur me grushte 20-vjeçarin para se ai të goditej me thikë.
Policia ka arrestuar edhe katër persona që shërbenin si bodyguard në lokalin “Principote”. Mes tyre është M. M., punonjës policie në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër; L. S., punonjës i IEVP Fier; R. Sh., punonjës i Bashkisë Gjirokastër; si dhe K. K.
Sipas policisë, këta persona kishin detyrë të garantonin sigurinë në lokal, por nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar konfliktin dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar se ka goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit, si dhe B. B., 36 vjeç, pronari i lokalit “Principote”.
Sipas dinamikës së zbardhur nga hetuesit, ngjarja ka nisur rreth orës 05:15 në ambientet e “Principote” dhe më pas ka vijuar në plazhin “Paradise”. Gjatë konfliktit, S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin portugez, i cili humbi jetën.
D. H., i shpallur në kërkim, dyshohet se e ka goditur gjithashtu me grushte viktimën. Për të dy rëndon akuza për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet kanë përfshirë edhe pronarin e lokalit. Sipas policisë, B. B. ndodhej në ambientet e “Principote” në momentin e ngjarjes, por pas krimit është larguar pa e kallëzuar atë në autoritetet përkatëse.
Njoftimi:
Veprime intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil.
Vihen në pranga 11 shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor, kapjen dhe arrestimin e autorit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil, Sarandë, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç.
Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja E. P., 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi N. M., 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.
Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;
N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke;
S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë;
E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi;
I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd;
M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan;
M. M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër;
L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër;
R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër;
K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore rezulton se:
Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi B. B., i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Gazeta RD