Aeroporti i Vlorës drejt arbitrazhit ndërkombëtar, Rama tjetër kosto të rëndë financiare për shqiptarët

Aeroporti i Vlorës, një prej projekteve që qeveria Rama e ka promovuar me bujë si simbol të zhvillimit dhe investimeve të mëdha, po përballet me një situatë gjithnjë e më të rëndë, me rrezikun e përfundimit të çështjes në arbitrazh ndërkombëtar. Kompania MABCO, e cila zotëron 98% të kuotave të ndërmarrjes VIA, pretendon se është privuar prej muajsh nga të drejtat që i burojnë nga pronësia dhe se autoritetet shqiptare kanë bllokuar në praktikë aksesin e saj në aeroport dhe në investimin që ajo ka kryer.

Sipas reagimit të MABCO-s, prej prillit 2026 kompania nuk ka më akses në hapësirat dhe objektet e aeroportit të ndërtuara përmes investimeve të saj, duke i pamundësuar administrimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e investimit. Kompania e lidh drejtpërdrejt këtë situatë edhe me bllokimin e punimeve në aeroport.

Pas dështimit të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje përmes rrugëve të tjera, MABCO i ka dërguar autoriteteve shqiptare një “Notice of Dispute”, duke iu referuar Marrëveshjes dypalëshe Zvicër-Shqipëri për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Tashmë çështja ndodhet në periudhën gjashtëmujore të “cooling-off”, e cila u jep palëve mundësinë për të zgjidhur mosmarrëveshjen përmes dialogut dhe negociatave, përpara se çështja të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar, në ICSID, pranë Bankës Botërore në Uashington.

Në reagimin e saj, MABCO thotë se gjatë kësaj periudhe u ka bërë vazhdimisht thirrje autoriteteve shqiptare për dialog konstruktiv, por deri tani nuk ka marrë një përgjigje konkrete.

Kompania shprehet se do ta respektojë të gjithë periudhën e parashikuar nga kuadri ligjor, duke shpresuar që autoritetet shqiptare të angazhohen për zgjidhjen e konfliktit dhe shmangien e arbitrazhit.

Megjithatë, deklarata e MABCO-s ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si qeveria Rama po menaxhon një prej projekteve më të reklamuara të saj. Një investim i prezantuar si histori suksesi po përballet tashmë me bllokim punimesh, konflikt pronësie dhe kërcënimin e një përplasjeje në arbitrazh ndërkombëtar.

MABCO thekson se mbetet e gatshme për dialog dhe një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme, por shton se shmangia e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit varet nga gatishmëria e autoriteteve shqiptare për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive.

Përplasja në arbitrazh do të thotë miliona euro nga xhepat e shqiptarëve, si në rastin e Beketit, për teka të Edi Ramës dhe shpurës së tij.

Image

About Redaksia

Check Also

Rama, armata e iluzionistëve të paguar dhe makina e prishur e komunizmit

Nga Bujar Leskaj Të tmerruar nga fryma, shpresa e ngjallur nga protesta rinore dhe nga …