Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ergys Agasin, një nga figurat kyçe të dosjes “AKSHI”, i arrestuar dy ditë më parë.
Pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë dhe pretendimeve të mbrojtjes, gjyqtarja Rudina Palloj vendosi të konfirmojë masën e sigurisë ndaj Agasit.
Në seancë ishin të pranishëm prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti.
Në qendër të argumenteve të prokurorisë janë edhe disa video të regjistruara në zyrën e biznesmenit.
Sipas akuzës, pamjet janë realizuar nga vetë Ergys Agasi dhe përmbajnë takime me persona të ndryshëm, të cilat konsiderohen si pjesë e provave të dosjes hetimore.
Sipas avokatit, pas analizimit të provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë, kjo akuzë është rrëzuar ndaj klientit të tij.
Sa i përket akuzës për korrupsion pasiv, avokati tha se mbrojtja ka ngritur pikëpyetje mbi materialin e paraqitur deri tani nga organi i akuzës.
Sipas tij, kjo akuzë është paraqitur në kuadër të kërkesës për vijimin e masës së sigurisë ndaj klientit të tij.
“Problemi është që akuza e heqjes së paligjshme të ;lirisë në drejtim të zotit Agasi me analizat që iu bënë provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë, tregoi dhe çoi në çlirimin e kësaj akuze në ngarkim të zotit Agasi.
Akuza për korrupsion pasiv, pasiguria e matrialit të paraqitur deri tani e ka ndjekur akuën për të qendruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës, sot u paraqit kjo akuzë.
Klienti foli dhe dha shpjegime dhe insistoi e provoi se nuk ka qenë kurrë pjesëmarrës në tendera, nuk ka apsur asnjë përfitim dhe nëpërmjet tenderimin dhe nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme”, tha ai.
Arrestimi i Agasit
Ergys Agasi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, pas disa muajsh në kërkim pas hetimeve në lidhje me skandalin e aferave të AKSHI-t.
Arrestimi u bë në kuadër të një operacioni të SPAK-ut, pas disa javësh vëzhgim nga autoritetet.
Në të njëjtin operacion u arrestua edhe ish-zyrtari i Policisë, Ulian Shpataraku.
Sipas të dhënave të bëra publike, automjeti me të cilin udhëtonte Agasi së bashku me Shpatarakun u pikas fillimisht në qytetin e Elbasanit. Pas koordinimit me prokurorët e posaçëm, policia bllokoi akset kryesore dhe ndoqi automjetin.
Në momentin që makina, e drejtuar nga Shpataraku, mbërriti në zonën e Plepave në Durrës, ajo u rrethua nga Forcat e Posaçme Operacionale.
Pas arrestimit, automjeti u kontrollua me imtësi dhe sipas burimeve, Agasi dhe Shpataraku kishin me vete një shumë prej rreth 4 mijë eurosh.
Detaje të tjera të operacionit vijojnë të mbahen sekret, ndërsa hetimet e SPAK-ut kanë përfshirë më herët edhe sekuestrimin e një automjeti “Land Rover Defender”, i cili u gjet në garazhin e një vile në “Equos Resort”.
Akuzat
Me anë të një reagimi pas arrestimit të tij, SPAK doli me një njoftim zyrtar duke zbardhur akuzat ndaj tij.
SPAK e lidh hetimin me një sërë veprash penale, duke nisur nga ndërhyrjet e paligjshme në konkurrencë dhe tendera publikë, deri te korrupsioni, pastrimi i parave dhe aktiviteti kriminal në kuadër të një grupi të strukturuar.
Agasi dyshohet për “Konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqjen e paligjshme të lirisë”, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pastrimin e produkteve të veprës penale, si dhe për “Grupin e strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta.
Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezultoi nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.
Gazeta RD