Bislim AHMETAJ
(Tregim)
E kam bërë zakon që, kur eci buzë detit, sytë t’i mbaj për tokë, në kërkim të gjërave të ndryshme që deti i nxjerr nga barku i tij.
Zakonin e ecjes buzë detit e kam veçanërisht të zhvilluar në Adriatik, pasi Joni s’ta afron këtë luks.
Deti dhe macet, seç kanë diçka të ngjashme me njëri-tjetrin: vetëpastrimin.
Por edhe ndryshojnë shumë. Maceve nuk u tepron asgjë pas tualetit, ndërsa detit i tepron gjithçka.
Shpeshherë kam qenë me fat dhe kam gjetur gjëra me “vlerë”.
Edhe sot nuk dola pa gjë.
Gjeta plot tri palë syze uji: dy palë për fëmijë dhe një palë për të rritur, të gjitha në gjendje shumë të mirë.
Dy palët e syzeve për fëmijë ua fala fëmijëve të parë që hasa. Pashë se si u gëzuan dhe vrapuan drejt prindërve të tyre për t’u treguar trofeun që kishin siguruar falë detit zemërgjerë, i cili shkëmbente dhurata: dikujt ia rrëmbente, të tjerëve ua jepte, kësaj radhe përmes meje, që thjesht i kisha mbajtur në dorë për disa dhjetëra metra buzë tij.
Por, përveç syzeve të ujit, sot gjeta edhe diçka shumë më të rrallë.
Një monedhë dhjetë qindarka.
Dhe ajo monedhë më ktheu fiks një gjysmë shekulli pas.
Dhjetë qindarka në atë kohë, s’ishte asgjë.
Por me katër të tilla mund ta ëmbëlsoje gojën me një hallvë pak më të madhe se një kuti shkrepësesh, por aq të ëmbël sa ia kalonte edhe sheqerit.
Me pesë copë mund të lëpije një kupë akulloreje pak më të madhe se një vezë zogu.
Përveç akullores, në atë çmim përfshihej edhe kaushi.
Po të kishe gjashtë, mund të blije një gurabie të butë, me dhëmbëza.
Me shtatë të tilla siguroje një petull të sheqerosur, ndërsa me dhjetë mund të blije një byrek.
Kupa e akullores me kaush ishte e preferuara ime.
Jo vetëm sepse kushtonte pesë dhjetë qindarka, por edhe sepse akullore kishte vetëm në periudhën pranverë-verë, ndërsa hallvë, gurabie, petulla e byrekë gjeje thuajse gjatë gjithë vitit në mëngjezoren e vetme të qytetit tonë të vogël.
Mëngjezorja ndodhej ballë për ballë me përmendoren e burrit, emrin e të cilit mbante vetë qyteti.
Sot shumëkush i ngatërron shijet dhe cilësinë e produkteve të asaj kohe me nostalgjinë e moshës.
Ka edhe prej atyre që janë fanatikë në këtë drejtim.
Unë kam polemizuar shpesh me ta, duke ua kundërshtuar si shijen, ashtu edhe cilësinë e shumicës së produkteve që prodhoheshin në vend në ato kohë të errëta.
Por shumicën e herëve nuk ia kam dalë t’i bind. Në fund, e kam mbyllur duke u dhënë të drejtë, pa pasur hiç të drejtë.
Ajo kupa e akullores pesëlekëshe ishte aq e varfër në përmbajtje, sa mezi ruante ngjyrën e bardhë në ngrirje.
Ai dreq qumështi me të cilin prodhohej akullorja niste të hollohej me ujë që nga bariu që e milte nëpër stane e stalla kooperativash, vazhdonte te kafshari që e transportonte drejt baxhove, te baxhieri ku zihej e hidhej nëpër bidona alumini, te magazinieri i tregtisë dhe, më në fund, te akullorebërësja apo shitësja e mëngjezores, kur e blinim ne si produkt përfundimtar.
Edhe për ëmbëlsirat që përgatiteshin në atë punishte kam fakte të para me sytë e mi.
Shoku im i fëmijërisë e kishte shtëpinë në katin e dytë të pallatit ku ishte punishtja e ëmbëlsirave. Nga ballkoni i shtëpisë së tij kemi parë me dhjetëra herë punonjësit, gra e burra, duke dalë nga dyert e pasme me shishe vaji, sheqer, biskota, reçel, vezë e produkte të tjera, të marra nga gramaturat e parashikuara nga teknologët për prodhimin e atyre lloj ëmbëlsirash për të cilat sot zihemi gjithë ditën duke diskutuar shijen dhe cilësinë.
Por le t’i kthehemi prapë tek dhjetë qindarkat që gjeta sot dhe nostalgjisë që më zgjoi ajo monedhë, të cilën ma dhuroi aq bujarisht deti ynë Adriatik.
Aso kohe rroga merrej dy herë në muaj.
Mbaj mend që në pesëmbëdhjetëditëshin e parë rroga e Nanës dhe e Babës, por besoj edhe e gjithë punonjësve dhe nëpunësve të shtetit, ishte pak më e vogël se ajo e të dytit. Diferenca ishte krejt e vogël, por jo aq sa për të mos na përgjysmuar lekët për hallvë, gurabie, akullore, petulla apo byrekë.
Ne ishim tre djem.
Në pesëmbëdhjetëditëshin e parë na jepnin nga një dhjetëlekëshe, domethënë dhjetë monedha dhjetë qindarkëshe që bënin një lek, të cilit ne dhe të gjithë e thërrisnim dhjetë lekësh.
(Siç bëjmë edhe sot e kësaj dite pas gati gjashtëdhjetë vitesh ku ndryshe shkruhet mbi monedha apo kartëmonedha dhe ndryshe lexohet.)
Në të dytin, dy herë më shumë, pra na jepnin nga një njëzetlekëshe.
Mbaj mend që daja Qazim, dritë pastë atje ku ka vite që ka shkuar për t’u bashkuar me të shumtët, më mësoi se kishte edhe prerje tridhjetëlekëshe.
Ai më kishte dhënë dy-tri herë nga këto monedha.
Daja Qazim gjithmonë i kishte xhepat plot me karamele dhe biskota qumështi kur vinte për të fjetur tek ne.
Pak vite më vonë, kur Baba kishte një punë disi më të rëndësishme, vinte thuajse çdo muaj me shërbim: herë në Uzinën Gjeologjike në Tiranë, herë në UEM të Durrësit, e ndodhte të shkonte edhe në Sarandë.
Kur vinte nga Tirana, na sillte simite të bardha dhjetëlekëshe, që ne u thoshim “bukë lepurushi”, djathë bebe në formë trekëndëshi me kokën e viçit mbi të dhe, më rrallë, edhe ndonjë çokollatë.
Ndërsa kur kthehej nga Durrësi apo nga Saranda, gjithmonë na sillte guaska deti me ngjyra të larmishme dhe madhësi të ndryshme.
Ne, aso kohe, guaskat i quanim “veshë peshku”, pasi informacioni ynë për gjallesat e detit ishte krejtësisht i kufizuar.
Koleksionet e mia me “veshë peshku” kanë qenë të famshme atëbotë.
Ngaqë isha edhe më i vogli, kisha të drejtë jo vetëm të zgjidhja, por edhe të kisha më shumë në numër se dy vëllezërit e mi më të mëdhenj.
Të gjitha këto kujtime nga ajo kohë varfërie të skajshme m’i risolli në kujtesë ajo monedhë metalike dhjetë qindarka që gjeta sot buzë Adriatikut, diku në Parkun Natyror të Rrushkullit.
Ajo monedhë s’kishte asnjë vlerë materjale dhe, besoj, askujt nuk i kujton mirëqenien.
Përkundrazi.
Ajo të kujton varfërinë dhe jetën mizerabël që bënin shumica dërrmuese e njerëzve në atë kohë.
Por nostalgjia e moshës dhe bukuria e kujtimeve kanë fuqi hyjnore.
Të bëjnë të harrosh edhe vuajtjen.
Ndoshta prandaj sot, kur flasim për hallvën, gurabien, petullën, akulloren apo byrekun e asaj kohe, kujtojmë më shumë shijen sesa përbërjen; më shumë fëmijërinë sesa varfërinë; më shumë gëzimin sesa mungesën.
Dhe ndoshta kjo është e vetmja magji që koha nuk na e ka marrë.
Gjithçka mund të blesh sot.
Por fëmijërinë dhe rininë nuk i blen dot.
As nuk i kthen dot.
Ajo që mbetet është aroma.
Shija.
Një kujtim.
Dhe ndonjëherë, një monedhë e ndryshkur njëlekëshe që deti ta nxjerr përpara këmbëve, pikërisht atë ditë kur ai vendos të të kthejë pesëdhjetë vjet pas.
Ndoshta nuk ishte vlera e asaj monedhe që më emocionoi.
Ishte ajo që bleu dikur.
Një kupë akulloreje.
Një hallvë.
Një gurabie.
Një petull.
Një byrek.
Dhe, mbi të gjitha, një copëz fëmijërie.
Sepse shija e vërtetë e atyre produkteve sot nuk gjendet më në dyqane.
Gjendet vetëm në kujtesë.
Dhe ajo shije, sado e varfër të ketë qenë në të vërtetë, për ne që e provuam atëherë, do të mbetet gjithmonë e pasur.
Jo nga cilësia.
Nga mosha.
Nga fëmijëria.
Nga koha që nuk kthehet më.
Rrushkull-Hamallaj,
31 Gusht 2026.
Ps. Foton shoqëruese të këtij tregimi ma dhuroj bujarisht IA-ja.

Gazeta RD