Nisma greke, shembull që duhet ta zbatojmë edhe ne!

Nga Bujar Leskaj

Nisma greke për uljen nga data 31 gusht 2026, të çmimeve të 1660 artikujve të përdorimit të përditshëm me një mesatare 7 përqind(praktikisht heqja e TVSH-së), për një periudhë 2-4 mujore, përfaqëson një shembull të mirë. Kur vendi fqinj ndërhyn për të lehtësuar koston e shportës së konsumatorit, edhe ne duhet me urgjencë të ndërtojmë një mekanizëm për uljen e çmimeve të produkteve bazë, sidomos atyre ushqimore. Për më tepër që tek ne të ardhurat për frymë janë dy herë më pak se në Greqi.
Disa herë, ne si Parti Demokratike kemi sjellë në Kuvend projektligjin për heqjen ose uljen e TVSH-së për produktet ushqimore, si masë për të përballuar shtimin e ndjeshëm dhe mjaft shqetësues të kostos së jetesës dhe rënies së fuqisë blerëse për qindra mijëra familje shqiptare. Pse të mos e zbatojmë tani heqjen e përkohshme të TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe artikujt shkollorë?
Fillimi i shtatorit është periudhë me shpenzime të shtuara për familjet. Në pak javë bashkohen blerjet ushqimore, produktet e higjienës, materialet shkollore, veshjet dhe këpucët për fëmijët, shpenzimet e transportit dhe faturat e tjera familjare. Me të drejtë kryetari i Partisë Demokratike propozoi pardje heqjen e menjëhershme të TVSH-së për ushqimet, mbulimin e shpenzimeve shkollore dhe vendosjen e minimumit jetik.
Disa herë Partia Demokratike ka kërkuar me forcë vendosjen e Minimumit Jetik Zyrtar, duke hasur në shurdhërinë e sektit Rama në pushtet. Si deputet i Partisë Demokratike, më 23 mars 2023 zhvillova një interpelancë në Kuvend, ku kërkova që qeveria të përcaktojë një shifër zyrtare për minimumin jetik brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2023.
Një reduktim mesatar prej 7% sot në qindra produkte të përdorimit të përditshëm nuk është thjesht një statistikë. Për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, çdo përqindje uljeje në shportën bazë ka rëndësi.
Nisma greke është interesante jo vetëm për rezultatin e synuar, por edhe si koncept politik. Mesazhi është: në vend që konsumatori të presë që konkurrenca të ulë vetvetiu çmimet, shteti krijon mekanizma që nxisin uljen e çmimeve dhe e bëjnë atë të matshme e të kontrollueshme.
Kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi tregu ynë ka karakteristika që e bëjnë konkurrencën më pak efektive dhe mundësia e uljes së çmimeve nga konkurrenca është shumë e pakët. Jemi treg relativisht i vogël, me përqendrim të lartë në disa segmente tregu dhe me varësi të konsiderueshme nga importet.
xxx
Nëse një mekanizëm i ngjashëm me nismën greke do të zbatohej tek ne, me krijimin e një shporte bazë me produkte të përditshme, ku tregtarët dhe prodhuesit angazhohen për çmime më të ulëta ose më të qëndrueshme, familjet me të ardhura të pakta dhe modeste do të mbroheshin realisht, pasi shporta do të përfshinte artikujt bazë ushqimorë si buka, mielli, orizi, makaronat, vaji, shqeri, qumështi, djathi etj., si dhe produkte të higjienës dhe artikujt shkollorë.
Kjo do të kishte një avantazh të madh, pasi konsumatori ynë do të dinte se cilat produkte janë pjesë e mekanizmit të çmimeve të favorshme, cilat supermerkato dhe tregje të tjera e zbatojnë dhe do të orientohej drejt tyre.
Veçse kjo, për fat të keq, nuk mund të ndodhë në shtetin e qeverisur nga Rama dhe sekti i tij.

 

About Redaksia

Check Also

Shqipëria, rekord i varfërisë: 34.5% e shportës shkon vetëm për ushqime! Dyfishi i mesatares së BE

Ushqimet vazhdojnë të zënë një pjesë shumë më të madhe të strukturës së konsumit në …