165 milionë lekë për ujësjellësin që nuk sjell ujë në Postribë, revoltohen banorët

Një investim i Bashkisë Shkodër në rrjetin e ujësjellësit në Postribë, i realizuar gjatë vitit 2025, rezulton të jetë kthyer në shqetësim për banorët e zonës, të cilët thonë se, pavarësisht parave të shpenzuara, sot nga tubacionet e vendosura nuk furnizohen me ujë.

Sipas banorëve, për këtë investim janë shpenzuar rreth 165 milionë lekë të vjetra, ndërsa problemi i furnizimit me ujë vijon të mbetet i pazgjidhur.

Banorët pretendojnë se edhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, e ka pranuar se investimi nuk ka funksionuar dhe ka dështuar në përmbushjen e qëllimit për të cilin është realizuar.

Situata ka shtuar zemërimin e banorëve, të cilët paralajmërojnë se do t’i drejtohen SPAK-ut për të kërkuar verifikimin e mënyrës se si janë përdorur fondet publike dhe përgjegjësinë për një investim që, sipas tyre, nuk ka sjellë rezultatin e premtuar.

Banorët shprehen se fondet e shpenzuara për këtë projekt mund të ishin përdorur për zgjidhjen e problematikave të tjera të Postribës, ndërsa sot zona vijon të përballet me mungesën e ujit të pijshëm.

Pyetjet që mbeten për t’u sqaruar janë të shumta: si u realizua një investim prej 165 milionë lekësh të vjetra në një rrjet që nuk furnizon banorët me ujë, pse projekti nuk funksionon dhe kush mban përgjegjësi për përdorimin e parave publike?

Banorët kërkojnë që rasti të hetohet dhe të mbahet përgjegjësi për çdo shkelje të mundshme.

About Redaksia

Check Also

Dorëheqja e Evis Salës/ Këlliçi: I hapi rrugën dorëzimit të Shëndetësisë te miku izraelit i Ramës!

Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi e konsideron dorëheqjen e ministers së Shëndetësisë, Evis Salla si …