Boçi: Përgjimi i publikuar nga Ahmetaj fundos Ramën! SPAK të nisë menjëherë hetimet!

Deklarata e deputetit të PD, Luçiano Boçi

Përgjimi i publikuar në SyriTV nga nr. 2 i ‘Qeverisë Rama 2’, Arben Ahmetaj, duhet të kishte shkaktuar një tërmet arrestimesh, që sot, nga SPAK.

Shqiptarët dhe organet hetimore mësuan dje, nga përgjimet e organeve ligjzbatuese të vendeve partnere, se Edi Rama e ka gjetur shpejt zëvendësuesin e Ergys Agasit për të koordinuar me krimin e organizuar, siç e pranon koordinatori i ri, ‘për punët e pista të qeverisë’.

Tutori i ri, që do të kujdeset për trafikun e armëve, tenderat, burimet natyrore dhe energjetike, si dhe financat e ‘familjes Rama’, është Ron Yeffet, nëpërmjet kompanisë KAYO dhe kompanisë tjetër nënkontraktore Timak Defence.

‘TIMAK Defence ka 14 punonjës, me një kosto prej 140 mijë eurosh në vit. Kjo kompani ka bërë vetëm 240 mijë lekë pajisje ushtarake. Kapitali i TIMAK Defence është negativ, pra Ron Yeffet nuk ka investuar asgjë, por ka futur tubin në buxhetin e shtetit për të thithur paratë e shqiptarëve. Ka marrë vetëm një tender prej 3.1 milionë eurosh dhe nuk ka investuar asgjë’.

Ky është denoncimi i ish zv/Kryeministrit Ahmetaj, dhe siç figuron në QKB, Timak Defence zotërohet 80% nga Ron Yeffet dhe Arjeta Puca, ndërsa 20% nga shteti shqiptar.

Në përgjimet e zbardhura del qartë se si, një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s ngre një kompani e cila merr armë të trafikuara nga kontrabandistët në Afrikë, u ndryshon stampën në Shqipëri, me qëllim që t’ua shesë vendeve antare të NATO-s.

Ahmetaj denoncoi se, për llogari të Ron Yeffet dhe trafikut të armëve, po grabitet Delvina.

Ahmetaj denoncoi se takimet bëheshin nga Rama dhe koordinoheshin nga Yeffet, ndërsa më pas çdo gjë mbyllej me firmën e ministrit Nufi, ose ‘Ermal Raketës’.

Sipas Ahmetajt, i njëjti koncept si ai i KAYO-s po tentohet të shtrihet edhe në shëndetësi, me anë të një izraelit tjetër, Sani Sanilevic.

Për këtë qëllim u shkarkua edhe Evis Sala, e cila, sipas Ahmetajt, nuk pranoi të firmoste skemën e re të vjedhjes.

Që mbrëmë pas intervistës, në një shtet serioz do të kishin kërcitur dyert dhe prangat. Sot duhet të ishin sekuestruar materialet, duhej të kishte filluar hetimi dhe duhej thirrur për t’u marrë në pyetje Kryeministri, Nufi i raketave dhe të gjithë personat që dalin në përgjimin e publikuar gjatë intervistës së Ahmetajt.

Por, cka nuk ka ndodhur në katër intervista të mëparshme plot me akuza, pista, prova të ish-zv/ kryeministrit, mos prisni të ndodhë as në të pestën.

Partia Demokratike denoncon dhe ngre alarmin, së pari për rënien e shtetit në duar të një familjeje të krimit, tashmë me tentakula dhe synime ndërkombëtare.

Ky kthim i një shteti që qeveris një vend anëtar të NATO në strukturë krimi nuk është më një alarm vetëm për Shqipërinë, por për aleatët, strukturat e sigurisë, institucionet e tyre dhe standardet e BE.

Nëse SPAK nuk vepron për të kapur dhe hetuar personazhet kryesorë të përgjimit në fjalë, dëshmon se është kapur përfundimisht nga Rama dhe rrjeti i interesave të tij.

Edi Rama nuk ka lëvizje tjetër dhe as ‘ngjarje të madhe’ që duhet të krijojë para 15 shtatorit. E vetmja ‘ngjarje e madhe’ është dorëheqja e tij, siç përsërisin prej 100 netësh mijera protestues, poshtë dhe përreth zyrës së tij.

Vetëm një qeveri teknike që përgatit terrenin e zgjedhjeve të lira, një kërkesë e protestës e shpëton Shqipërinë.

Humnera ku po e çon Rama me nënkontraktorët e tij, shqiptarë dhe të huaj, të krimit të organizuar, duhet shmangur dhe kjo është detyrë kombëtare e gjithsecilit, pavarësisht bindjeve dhe partive.

Partia Demokratike ka qenë dhe do të jetë e gatshme, ashtu si më 1991, për ta udhëhequr ripërtëritjen e vetes dhe Shqipërisë, dhe për ta rrëzuar edhe këtë diktatoruc hajdut me maskë artisti progresist.

Koha nuk pret.

About Redaksia

Check Also

Audiopërgjimet e publikuara nga Ahmetaj! PD kërkesë për hetim parlamentar lidhur me aferën KAYO

Përfundon mbledhja e Grupit Parlamentar të PD. Grupi parlamentar vendosi të paraqesë kërkesë për hetim parlamentar …