Sula: PISA 2025 u shënua me yll, OECD e futi Shqipërinë në ‘raportim të kufizuar’, qeveria fshehu të vërtetën

Deklarata e anëtares së kryesisë së PD, Lili Sula:

Rezultatet e Shqipërisë në testin PISA 2025 janë shënuar me yll (asterisk), gjë që nuk është një hollësi teknike. OECD e ka vendosur Shqipërinë në kategorinë ‘raportim i kufizuar’, sepse mënyra e përzgjedhjes së shkollave nuk plotësoi standardet e PISA-s.

Me fjalë të thjeshta: jo të gjithë nxënësit shqiptarë u përfaqësuan siç duhet në testimin e PISA.  Shkollat që kishin më pak se 21 nxënës të kualifikuar nuk u përfshinë në testim. Sipas raportit, shumë prej tyre ndodhen në zona rurale ose të varfra dhe u shërbejnë nxënësve që historikisht kanë rezultate më të dobëta.

Fakti që këto nxënës lihen jashtë, mesatarja kombëtare del më e lartë nga sa është në të vërtetë. Nga ana tjetër, ky boshllëk nuk mund të rregullohet me përllogaritje statistikore.

Edhe pjesëmarrja e shkollave ishte problematike. Vetëm 76 % e shkollave të përzgjedhura morën pjesë, ndërkohë që standardi i PISA-s kërkon të paktën 85 %. Edhe pas përdorimit të shkollave zëvendësuese, pjesëmarrja mbeti 76 për qind.

Megjithatë, edhe këto rezultate të paplota janë të dobëta:

-Në shkencë, Shqipëria mori 434.5 pikë, kundrejt mesatares së OECD-së prej 482 pikësh;

-Në matematikë mori 433 pikë, kundrejt mesatares prej 463 pikësh;

-Në lexim mori 408 pikë, kundrejt mesatares prej 461 pikësh;

-Më shumë se gjysma e 15-vjeçarëve nuk arrijnë nivelin minimal të njohurive; nivelin 2 në PISA – duke theksuar këtu që aftësitë e të lexuarit janë parakusht për të nxënit.

-Asnjë nxënës shqiptar nuk arriti nivelet më të larta në lexim – nivelin 5 të PISA që korrespondon me notën 8.5-9 dhe 10.

Kjo do të thotë se 50% e nxënësve kanë vështirësi të kuptojnë një tekst, të përdorin matematikën në situata të zakonshme dhe të zbatojnë njohuritë shkencore. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për nota të dobëta, por edhe për analfabetizmin funksional në vend dhe  për aftësitë që u duhen të rinjve në jetë dhe në punë.

Pavarësisht kësaj, Edi Rama dhe ministrja e ‘pikës’, që pas Butrintit po kioskëzon edhe arsimin, u bënë ‘kumbarë’ të rezultateve, pa u treguar qytetarëve se ato janë shënuar me rezervë nga OECD-ja. Ata nuk thanë se nga kampioni mungojnë shkolla të tëra dhe se Shqipëria vazhdon të mbetet shumë poshtë mesatares së vendeve të testuara.

Kryeministri dhe ministria e arsimit nuk u thanë shqiptarëve se në renditjen e përgjithshme të të dhënave të PISA Shqipëria renditet me Kamboxhian, Uzbekistanin, Filipinet duke u shoqëruar me vlerësimin: këto vende renditen nën mesataren globale në të gjitha fushat  PISA për shkak të problemeve që lidhen me varfërinë, pabarazinë dhe burimet e kufizuara arsimore.

Për shkak të këtyre problemeve, OECD nuk raporton as nëse Shqipëria është përmirësuar apo përkeqësuar krahasuar me PISA 2022. Në tabelat krahasuese, të dhënat e Shqipërisë mungojnë.

Prandaj pyetja është e thjeshtë: përse testimi u organizua në një mënyrë që nuk plotësoi standardet e PISA-s? Kush vendosi të linte jashtë shkollat e vogla dhe përse qeveria nuk e bëri publike këtë të vërtetë kur shpalli rezultatet?

Partia Demokratike nuk mund të mjaftohet vetëm me denoncimin e kësaj gjendjeje. Ne kemi një ofertë të qartë për ta nxjerrë arsimin nga kriza.

Qeveria e Partisë Demokratike do të:

-nisë një program kombëtar për leximin, matematikën dhe shkencën, me mbështetje të posaçme për nxënësit që nuk arrijnë nivelin minimal;

-rrisë pagat e mësuesve dhe do ta lidhë përparimin në karrierë me meritën, kualifikimin dhe rezultatet, jo me lidhjet politike;

-depolitizojë emërimet e drejtorëve dhe administratës arsimore;

-investojë në laboratorë, biblioteka, teknologji dhe transport për nxënësit e zonave rurale;

-garantojë që asnjë shkollë e vogël dhe asnjë fëmijë të mos lihet jashtë politikave kombëtare të arsimit;

-rikthejë transparencën në testimet kombëtare dhe ndërkombëtare;

-zhvillojë arsimin profesional në bashkëpunim me biznesin, që të rinjtë të fitojnë aftësi reale dhe mundësi punësimi;

-krijojë programe të posaçme kundër analfabetizmit funksional dhe braktisjes së shkollës;

-mbështesë familjet në nevojë me tekste, ushqim, transport dhe pajisje digjitale për fëmijët.

Synimi ynë është i matshëm: arritja e nivelit mesatar të PISA-s, më pak pabarazi ndërmjet qytetit dhe fshatit dhe një shkollë që u jep fëmijëve dije e mundësi reale.

Partia Demokratike do ta trajtojë arsimin jo si instrument propagande, por si investimin më të rëndësishëm kombëtar.

About Redaksia

Check Also

Deklarata e fortë e Berishës nga SHBA/ Koha e narkoshtetit po merr fund! Shqipëria dhe SHBA do të triumfojnë së bashku!

“Nga toka e lirisë e shpall me besim: Koha e narkoshtetit po merr fund! Shqipëria …