SPAK ka zbuluar fakte të reja penale për Ballukun: Korrupsion dhe pastrim parash

SPAK njofton zyrtarisht se Balluku vijon të jetë e pandehur për 8 raste të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, ndërsa ndaj saj rëndojnë edhe akuzat për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Sipas SPAK, Belinda Balluku është pronarja faktike e pasurisë së sekuestruar, për të cilën prokuroria dyshon se është fshehur përmes dokumentacionit fiktiv të pronësisë.

Prokuroria pretendon se për fshehjen e pronës është përdorur Igli Tare, ish futbollist i Kombëtares, përmes një kontrate sipërmarrjeje të vitit 2020, në vlerën 250 mijë euro.

Sipas hetimeve, ndërtimi i mëtejshëm i vilës është realizuar nga Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, e cila ishte pjesë e bashkimit të kompanive që fitoi tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.

“Ndërsa në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga ana e shtetasit Arbër Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro.

E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë”, thuhet ne njoftimin e  SPAK.

Hetimet e SPAK

Nga kryerja e veprimeve hetimore në vijim të hetimeve paraprake, të shoqëruara edhe me metoda speciale të hetimeve, si dhe nga mbledhja e provave dixhitale dhe provave të tjera, kanë rezultuar të dhëna për fakte penale të reja, nëngarkim të të pandehurës Belinda Balluku.

Konkretisht, nga aktet e administruara kanë rezultuar të prova për veprime të kundraligjshme të të pandehura Belinda Balluku, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2 353 597 373.94 (dy miliardë e treqind e pesëdhjetë e tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e katër) lekë pa tvsh.

Në lidhje me procedurën e prokurimit të sipërcituar, rezulton se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit Arbër Troka, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomikë fitues të kësaj procedure prokurimit, bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construcion” dhe “2T” sh.p.k, duke vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, nenet 18, 19, 21, 42/2, 56, 76, 77, 80, 92, 95 të tij, me ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, nenin 3 të tij, si dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, nenet 7 (pika 1, 2 dhe 9), 26, 27, 47 (pikat 2, 3, 4), 73, 82, 93, të tij.

Nga hetimi rezulton se e pandehura Belinda Balluku ka në pronësi faktike pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, e cila ka rezultuar se është një pasuri e fshehur.

Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipëmarrjes, datë 26.10.2020, nëshumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.

Ndërsa në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga ana e shtetasit Arbër Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro.

E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë.

Për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025.

E pandehura Belinda Balluku, për shkak të detyrës, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në bazë të neneve 3, pika 2, gërma“a”, neni 7, pika 1, të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar, ka pasur detyrimin ligjor për deklarim të kësaj pasurie, por që nuk e ka bërë, me qëllim fshehjen e saj, nëpërmjet krijimit të dokumentacionit të pronësisë në emër të shtetasit Igli Tare.

Për faktet penale të reja në lidhje me pasurinë e paluajtshme“Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, rezulton se:

-E pandehura Belinda Ballku dyshohet se ka kryer veprat penale“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuara nga nenet 260 dhe 257/a, të Kodit Penal, si dhe për veprën penale“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

-Shtetasi Arbër Abazi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.

-Shtetasi Igli Tare dyshohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

-Personi juridik “Alko Impex General Construction” (shoqëri e shtetasit Arbër Abazi) dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.591, datë 09.09.2026, ka vendosur:

-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”mbi pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, me të dhënat e pasurisë së regjistruar Zona Kadastrale 1739, me numër pasurie 68/87/73, Volumi 9, Faqe 148, me sipërfaqe totale 478 m2, prej të cilave 478 m2 truall dhe 142.6 m2 ndërtesë (me përshkrim të veçantë “ sipërfaqe kati përdhe 142.6m2, sipërfaqe kati i parë 128.6m2, sipërfaqe nën parkim1 20.1m2, sipërfaqe nën parkim2 40.2m2).

Akuzat që rëndojnë mbi Ballukun

A- “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (e kryer tetë herë),parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurat e prokurimit me objekt:

1.“Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë).

2.“Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”.

3.“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”.

4.“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”. 5.“Ndërtimi i Unazës sëJashtme Tiranë, Loti 4”.

6. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”.

7.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”.

8.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”;

B- “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.

About Redaksia

Check Also

Protesta e 102/ Profesori: Vetëm me durim dhe rezistencë do ta largojmë Ramën!

Këtë të mërkurë mbahet protesta e 102-të para kryeministrisë, ku kërkohet largimi i qeverisë Rama. …