Shqipëria është e pushtuar!

Nga Julia EMIRI

Ka shumë mënyra për ta pushtuar një vend: me ushtri dhe armë, me dorëzim paqësor, me kolonizim, me diplomaci dhe ekonomi, me enklavëzim. Shqipëria nuk është e pushtuar si në kohën e luftrave konvencionale, por de facto është. Nga Durrësi në Zvërnec, nga Butrinti në  Gjadër, nga detet, që kafshohen me “investitorë strategjikë” e mbyten me beton, e deri te malet që po zhvaten me “Paketë”, te gazi i Delvinës apo TEC-i i Vlorës, harta gjeografike dhe ekonomike e Shqipërisë po tjetërsohet.

Tokat, detet, malet po u jepen të huajve apo shqiptarëve grabitës afër qeverisë, të maskuar nën termin kumbues ‘investitorë strategjikë’. Trashëgimia kulturore po jepet me koncesion, tjetërsohet ose zhduket.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë se, pas pak vitesh, nuk do të kenë më Shqipëri. Do të jenë të huaj në vendin e tyre -dhe kjo nuk është metaforë. Është emergjencë.

Çdo sekondë që kalon është rrezik. Çdo sekondë që kalon, Rama jep Shqipërinë.
Nuk po flitet për korrupsion.
Nuk po flitet për abuzim fondesh.
Nuk po flitet për koncesion.

Po flitet për dorëzim të Shqipërisë, nxjerrje të saj në tregun imobiliar. Rama ka kaluar nga zhvatja për të mbajtur pushtetin te pasurimi i një grupi të huajsh që i përdor si kabalë pr-i dhe lobimi për të mos e lëshuar kurrë pushtetin.

Përgjimi i publikuar nga Arben Ahmetaj në “Çim Peka Live”, pasqyron pikërisht mënyrën se si  ndahen dhe përllogariten pasuri, që nuk u përkasin as atyre që i diskutojnë, as qeverisë së Edi Ramës.

Ky përgjim është vetëm një copë në puzzle-in e planit antishqiptar të Ramës, i cili mblidhen rreth boshtit “Shqipëria nuk është e shqiptarëve” -siç ka deklaruar kryeministri, e paprecedentë në historinë botërore.

Ky bosht nuk shfaqet vetëm te një projekt. Shfaqet te shkatërrimi i identitetit, trashëgimisë kulturore, Albanian Files, Reforma Territoriale, te centralizimi i shërbimeve, te çmimet e apartamenteve, te modeli i punësimit, zëvëndësimi i fuqisë punëtore shqiptare me të huaj, te modeli i investitorëve strategjikë, te ndryshimet për zonat e mbrojtura, te Paketa e Maleve, te mënyra si trajtohet prona…

Të gjitha politikat e Ramës tentojnë t’ua bëjnë jetën të pamundur shqiptarëve dhe t’ua lehtësojnë  të huajve dhe “tregtarëve” vendas duke nxitur kështu shpopullimin e Shqipërisë.

Shqiptarët nuk pyeten më për asgjë- për pronat, pasuritë publike apo shtëpitë e tyre. Pamjet e nxjerrjeve me dhunë nga shtëpitë nuk kanë asnjë ndryshim nga pamjet e pushtuesve. Por sot pushtimi nuk ka uniformë e tanke, ka VKM, ligj, status “investitor strategjik”, koncesion, kompani, firmë dhe terma të zbukuruar.

Nëse Rama vazhdon atë që ka nisur, në një të ardhme jo të largët, shqiptarët do të jenë duke u endur rrugëve të botës, si nomadë; emigrantët që do të duan të kthehen nuk do të kenë se ku, dhe ata të mbetur në Shqipëri do të jenë skllevër në vendin e vet. Në kërkim të gjurmëve të identitetit, të historisë, të trashëgimisë, nuk do të mund të gjejnë më ndërtesat, shkrimet e objektet që dikur u përkisnin e që Rama i shkatërroi e vazhdon t’i shkatërrojë. Të gjitha do të jenë asimiluar e do të jetë shumë e vështirë për t’i marrë mbrapsht, në mos e pamundur.

Në këtë situatë, në Shqipëri nuk ka më kampe partiake, nuk ka më kampe bindjesh e mendimesh ndryshe.

Përballë pushtimit, shqiptari gjatë gjithë historisë, ka ngritur krye ose ka bashkëpunuar me pushtuesin. Ti, cili lloj shqiptari je?

Shqipëria është në rrezik.
Shqiptarët janë në rrezik.
Shqipëria është e shqiptarëve dhe vetëm e shqiptarëve.

About Redaksia

Check Also

Gruaja nuk është vetëm kur të duhet për politikë, Iris!

Nga Eralba Kreshpa – Nënkryetare PD Vlorë Iris Luarasi, dje na fole për “dhunën ndaj …