Nga Eralba Kreshpa – Nënkryetare PD Vlorë
Iris Luarasi, dje na fole për “dhunën ndaj grave”.
Na the se një grua nuk duhet të poshtërohet, se kritika është e pranueshme, por jo dhuna dhe fyerja.
Dakord.
Por atëherë po të bëj një pyetje shumë të thjeshtë:
Ku je kur dhuna ndaj grave nuk ndodh para kamerave, por brenda shtëpive, në rrugë, në institucione dhe në jetën e përditshme të grave shqiptare?
Ku ishe kur gratë kërkonin ndihmë?
Ku ishte zëri yt kur gratë humbnin jetën?
Sipas Observatorit të Femicidit pranë Avokatit të Popullit, 37 gra dhe vajza janë vrarë në Shqipëri vetëm gjatë viteve 2021–2024, 27 prej tyre raste të vlerësuara si femicide. Vetëm në vitin 2024 janë analizuar 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave. Në 13 prej tyre, viktimat kishin përjetuar më parë dhunë nga autori. (Shqiptarja)
Këto, Iris, janë gra.
Jo statistika.
Gra me emra.
Gra me nëna.
Gra me fëmijë.
Gra me familje.
Gra që kishin të drejtë të jetonin.
Dhe sot, kur disa gra të dalin përballë teje dhe të drejtojnë pyetje e akuza politike, ti e quan “dhunë” dhe “poshtërim”.
Kritika ndaj një deputeteje nuk është dhuna që përjeton një grua në një shtëpi të mbyllur.
Dhe askush nuk thotë se fyerja apo kërcënimi është i drejtë. Por mos e përdor dhimbjen e grave shqiptare si një mantel politik për të shmangur pyetjet që të bëhen si deputete.
Sepse ato gra dje nuk po të kërkonin të ishe viktimë.
Po të kërkonin llogari.
Po të flisnin si qytetare.
Po të thoshin në sy atë që mendojnë për qeverinë që ti përfaqëson.
Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të jetë një grua në demokraci: e lirë të flasë, e lirë të protestojë, e lirë të kundërshtojë.
Ti thua se mbron gratë.
Mirë.
Atëherë mos mbro vetëm gruan që të drejtohet me respekt.
Mbro edhe gruan që të kundërshton.
Mbro gruan që proteston.
Mbro gruan që nuk ka pushtet.
Mbro nënën që pret në spital.
Mbro vajzën që kërkon një shkollë më të mirë.
Mbro gruan që nuk përballon dot çmimet.
Mbro atë që largohet nga Shqipëria sepse nuk sheh më të ardhme.
Dhe mbi të gjitha, ngri zërin për ato gra që nuk patën më mundësi të flisnin.
Sepse një shoqëri që hesht përpara dhunës së vërtetë ndaj grave dhe bërtet vetëm kur kritikohet një politikane, ka një problem shumë më të madh se një protestë.
Gruaja shqiptare nuk ka nevojë për patronazh politik.
Ka nevojë për drejtësi.
Ka nevojë për siguri.
Ka nevojë për dinjitet.
Ka nevojë për shtet.
Dhe po, Iris, edhe ajo grua që dje të doli përpara dhe të tha në sy atë që mendon për qeverinë tënde, është grua.
Mos e harro këtë vetëm sepse sot ajo grua nuk të duartrokiti.
Mos fol në emër të grave, nëse nuk je gati të dëgjosh edhe gratë që të kundërshtojnë.
Gazeta RD