Shoqëria shqiptare duhet të fillojë betejën me heshtjen e SPAK-ut

Nga Ndriçim KULLA

Ndonjëherë një shoqëri nuk përballet me momentin më të rrezikshëm atëherë kur krimi shfaqet hapur, por atëherë kur krimi fillon të flasë  hapur përpara institucioneve dhe institucionet zgjedhin të heshtin, dhe  në atë çast nuk kemi më vetëm përballjen e zakonshme midis ligjit dhe shkelësit të ligjit, por lind një pyetje shumë më e rëndë: çfarë ndodh me një shtet kur dëshmia e një njeriu që ka qenë brenda mekanizmit të pushtetit, që ka njohur nga afër korridoret e tij, marrëdhëniet e tij, pazaret e tij dhe mënyrën se si janë marrë vendimet, del në dritë dhe përballë saj organi që është krijuar pikërisht për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk bën zë ?

Për këtë duhej të ishte e shqetësuar sot shoqëria shqiptare, jo thjesht për të zëvendësuar prokurorin, jo për të dhënë vendime gjykatash në sheshe dhe as për të shpallur fajtorë njerëz pa proces, por për të kërkuar atë që është shumë më elementare dhe njëkohësisht shumë më e rëndësishme: hetimin e së vërtetës.

Dëshmitë publike të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj e kanë rikthyer këtë shqetësim me një forcë dramatike, sepse ajo që u tha nuk erdhi nga një vëzhgues i largët i politikës, por nga një njeri që ka qenë pjesë e niveleve më të larta të pushtetit dhe që sot ndodhet në një pozicion tërësisht tjetër, përballë vetë sistemit të drejtësisë që ka ngritur akuza ndaj tij. Kjo rrethanë nuk e bën automatikisht të vërtetë çdo gjë që ai thotë, por e bën çdo dëshmi të tij një material që një organ serioz hetimi nuk mund ta kalojë me një ngritje supesh, sepse në një shtet normal çdo deklaratë e tillë duhet të ndahet në dy pjesë të qarta: ajo që duhet provuar dhe ajo që duhet hetuar.

Dhe këtu fillon paradoksi shqiptar.

Nëse një qytetar i zakonshëm bën një kallëzim, institucioni ka detyrimin ta marrë në shqyrtim sipas procedurave të ligjit; nëse një gazetar publikon një dokument, ai mund të bëhet objekt verifikimi; nëse një dëshmitar paraqet një fakt, ai mund të thirret dhe të pyetet; por kur një ish-funksionar i lartë i shtetit del publikisht dhe flet për mënyrën se si, sipas tij, është ushtruar pushteti, për marrëdhënie me njerëz të botës së krimit, për mekanizma të korrupsionit dhe për ndërhyrje në jetën politike, problemi nuk mund të jetë thjesht nëse publiku e beson apo nuk e beson atë.

Pyetja duhet të jetë: a po hetohet?

Sepse drejtësia nuk është sondazh besimi dhe prokuroria nuk është tribunë politike ku zgjidhet versioni më bindës i historisë; drejtësia ka një detyrë shumë më të ftohtë dhe më të vështirë, të marrë një pretendim, ta vendosë përballë dokumentit, dëshmisë, regjistrimit, lëvizjes financiare, komunikimit, kontratës, dëshmitarit tjetër dhe çdo elementi tjetër që mund të vërtetojë ose rrëzojë atë që është thënë.

Kjo është arsyeja pse indiferenca e një institucioni të drejtësisë si Spak sot është bërë më ulëritëse, ku heshtja institucionale krijon një boshllëk ku e vërteta mbetet pezull dhe, në atë boshllëk, qytetari fillon të dyshojë se  nuk është më  drejtësia që po kërkon provën, por prova që po pret drejtësinë.

Këtu qëndron edhe absurdi kafkian i realitetit tone, me pushtetin po e po, por sidomos me sapak.

Klodia Braho na ka thënë disa herë hapur : Na sillni provat.

Ja ku i keni provat e zbardhura z.Braho ku keni humbur?! Zgjidhni duart dhe guxoni.

Prandaj qytetari ka të drejt të pyes: nëse unë kam një informacion, një dokument, një dëshmi apo një regjistrim, a nuk është pikërisht detyra juaj ta merrni atë, ta verifikoni, ta krahasoni dhe të përcaktoni nëse kemi përpara një provë apo një shpifje?

Nëse çdo njeri do të duhej të kryente vetë punën e hetuesit, prokurorit dhe ekspertit financiar përpara se t’i drejtohej drejtësisë, atëherë përse ekzistojnë institucionet e drejtësisë?

Kjo nuk do të thotë se çdo akuzë publike duhet të kthehet automatikisht në dosje penale, por do të thotë se akuzat e rënda, sidomos kur vijnë nga persona që kanë pasur dijeni të drejtpërdrejtë për mekanizmat e pushtetit, meritojnë të kalojnë përmes filtrit të hetimit dhe jo përmes filtrit të indiferencës.

Dhe këtu shfaqet pyetja më e madhe që i bëhet sot  SPAK-ut.

A mjafton të thuhet se drejtësia po funksionon sepse ka arrestime, hetime dhe dosje, apo drejtësia duhet të dëshmojë se është e gatshme të prekë çdo strukturë pushteti kur përpara saj shfaqen dyshime të arsyeshme dhe materiale që mund të verifikohen?

Sepse një drejtësi që është e fortë vetëm ndaj atyre që nuk kanë më pushtet nuk është ende drejtësi e plotë.

Drejtësia e vërtetë provohet kur përballë saj shfaqet pushteti.

Dhe pikërisht këtu dëshmitë e Ahmetajt marrin një rëndësi që tejkalon fatin e tij personal. Nuk është e nevojshme që shoqëria ta shpallë atë të pafajshëm dhe as të pranojë çdo fjalë të tij si të vërtetë; mjafton të kërkojë që ato fjalë të mos humbin në ajër, sepse nëse janë të pavërteta duhet të rrëzohen me prova, ndërsa nëse janë të vërteta duhet të ndiqen deri në fund.

Arben Ahmetaj, me deklaratat e tij publike, ka sjellë në skenë një figurë që Shqipëria e njeh prej vitesh: figurën e pushtetit që akuzohet për lidhje të errëta me interesa private dhe kriminale, ndërsa qytetari mbetet gjithmonë përballë një muri ku informacioni humbet nëpër korridoret institucionale.

Por në këtë pikë nuk mjafton më të thuhet se njëri gënjen dhe tjetri thotë të vërtetën.

Në mjegull askush nuk sheh kush hyri, kush doli, kush firmosi, kush përfitoi dhe kush humbi.

Prandaj problemi i SPAK-ut nuk është vetëm nëse ka bërë mjaftueshëm hetime apo jo; problemi është se çfarë perceptimi krijon heshtja e tij në një shoqëri që prej vitesh përballet me akuza të përsëritura për korrupsion, kapje institucionesh dhe lidhje midis politikës, biznesit dhe krimit.

Në një shoqëri të shëndetshme, institucioni i drejtësisë duhet të jetë ai që e ul temperaturën politike duke prodhuar prova, jo ai që e lë temperaturën të rritet duke mos dhënë përgjigje.

Kjo nuk është betejë kundër SPAK-ut si institucion dhe as kundër drejtësisë si ide; përkundrazi, është betejë për ta detyruar drejtësinë të jetë ajo që qytetarët presin prej saj.

Prandaj protesta qytetare, debati publik, gazetaria investigative dhe presioni demokratik nuk duhet të synojnë zëvendësimin e institucioneve, por t’i kujtojnë atyre se pushteti i tyre është i deleguar nga ligji dhe se përgjegjësia e tyre është ndaj qytetarit.

Kjo është arsyeja pse deklaratat e Ahmetajt nuk duhet as të adhurohen dhe as të përqeshen; ato duhet të hapin dosjet e verifikimit, sepse një shoqëri që kërkon të shpëtojë nga errësira nuk mund ta bëjë këtë duke fikur dritën sa herë që shfaqet një dëshmi e pakëndshme.

Dhe nëse pas hetimit del se akuzat kanë qenë të pavërteta, shoqëria duhet ta pranojë këtë.

Por nëse hetimi zbulon se pas tyre qëndrojnë fakte, dokumente dhe marrëdhënie reale, atëherë asnjë pushtet nuk duhet të jetë aq i madh sa ta mbyllë dosjen përpara se të hapet.

Kjo është arsyeja pse sot nuk duhet të bërtasim thjesht: “Akuzojmë SPAK-un!”

Duhet të themi diçka më të thellë:Kërkojmë që SPAK-u të hetojë,sepse realisht nuk heton.

Dhe nëse një ditë historianët do të pyesin se kur filloi të çahej muri i heshtjes në Shqipëri, ndoshta nuk do të jetë një ngjarje e vetme që do t’u japë përgjigje, por grumbullimi i atyre dëshmive që njëra pas tjetrës dolën në dritë dhe përballë të cilave institucionet nuk mundën më të fshiheshin pas formulave procedurale.

Atëherë do të kuptohet edhe diçka tjetër: se demokracia nuk vdes vetëm kur mbyllen parlamentet, ndalohen zgjedhjet apo burgosen kundërshtarët; ajo mund të dobësohet edhe në mënyrë shumë më të heshtur, kur qytetari flet, dokumenti del, dëshmitari paraqitet dhe institucioni që duhet të kërkojë të vërtetën nuk lëviz.

Prandaj, sa nuk është vonë, shoqëria shqiptare duhet ta hapë këtë betejë.

Por me kërkesën më të thjeshtë dhe më të pamëshirshme që mund t’i bëhet çdo pushteti:

Hetojeni të vërtetën.

Sepse në një shtet demokratik askush nuk duhet të ketë frikë nga hetimi. Por një pushtet që ka frikë nga e vërteta ka gjithmonë arsye të ketë frikë nga hetimi.

Dhe kjo është arsyeja pse sot, më shumë se kurrë, duhet të dëgjohet zëri i  Emile Zolasë, jo si një kopje e së shkuarës, por si një parim i së tashmes:

J’accuse – akuzoj jo për të dënuar, por për të kërkuar që e vërteta të dalë përpara.

About Redaksia

Check Also

Gruaja nuk është vetëm kur të duhet për politikë, Iris!

Nga Eralba Kreshpa – Nënkryetare PD Vlorë Iris Luarasi, dje na fole për “dhunën ndaj …