Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë për vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në një postim në platformën X, Tabaku deklaroi se, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës për ta paraqitur lirimin e Veliajt si të kryer, Gjykata e Lartë vendosi që ai të qëndrojë në burg.
“Prej muajsh kanë vënë në lëvizje propagandën dhe të gjithë energjinë e pushtetit për ta paraqitur lirimin e Erion Veliajt si fakt të kryer. Nuk ia dolën”, shkroi Tabaku.
Sipas saj, përgjegjësia politike për mënyrën se si është qeverisur Tirana nuk mund të kufizohet vetëm te Veliaj, pasi ai është mbështetur dhe promovuar vazhdimisht nga kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste.
“Erion Veliaj është produkti politik i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Ata e kandiduan tri herë, e mbështetën dhe e paraqitën si model suksesi. Sot janë bashkëpërgjegjës për mënyrën se si është qeverisur Tirana”, theksoi deputetja demokrate.
Tabaku shtoi se Veliaj ndodhet në bankën e të akuzuarit për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa përgjegjësinë politike ia atribuoi drejtpërdrejt kryeministrit.
“Edi Rama është në bankën e përgjegjësisë politike. Mos u fshih pas Veliajt, zoti Rama. Për Tiranën duhet të përgjigjeni ju dhe Partia Socialiste”, shkroi ajo.
Reagimi i Tabakut vjen pasi më herët gjatë ditës ajo publikoi edhe një video, në të cilën pretendonte se sistemi i ngritur nga Rama ishte angazhuar për të lobuar për lirimin e Veliajt.
Postimin e saj deputetja e mbylli me një mesazh politik për zgjedhjet e ardhshme vendore: “Gjykata foli sot. Në vitin 2027 do të flasë Tirana.”
Gazeta RD