Deklarata zëdhënëses së PD, Floriana Garo:
Shqipëria dje shënoi çmimin prej 2.48 euro për litër naftë, duke u renditur e para në Ballkan dhe e dyta në kontinent, pas Danimarkës, me çmimin më të shtrenjtë.
Të dhënat janë marrë nga Buletini Javor i Komisionit Europian dhe rezulton se Shqipëria, për çmimin e karburantit, lë mbrapa vende si Holanda, Gjermania, Norvegjia, por rezulton e fundit për standardin e jetesës.
Nafta 229 lekë nuk është thjesht një produkt dhe një çmim, por është një politikë e vjedhjes me anë të rritjes së taksave.
Fakt është që secili nga vendet kufitare me ne nuk e ka ndryshuar çmimin as dje, as sot: Mali i Zi e shet me 1.87 euro, Kosova me 1.76–1.85 euro, Maqedonia e Veriut me 1.64 euro.
Ukraina, që është vend në luftë, e ka çmimin e naftës 1.35 euro për litër.
Pse, vendet e rajonit e kanë shumë më të lirë çmimin e naftës se Shqipëria?
Kjo vjen për shkak të politikave që ndjekin. Qeveria e Malit të Zi e ka ulur akcizën e naftës deri në 50% në kohë krizash.
Serbia deri në 25% dhe ka aplikuar çmime tavan.
Maqedonia e Veriut aplikon vetëm dy taksa kryesore, akcizë dhe TVSH, ndërsa taksa e qarkullimit merret direkt tek automjetet, dhe jo përmes çmimit për litër të karburantit, duke e mbajtur barrën fiskale më të ulët.
Kosova ka përdorur herë pas here rregullimin e përkohshëm të marzheve dhe çmimeve maksimale të tregtimit përmes vendimeve të ministrisë përgjegjëse për tregtinë.
I vetmi që nuk pranon të marrë asnjë masë, por të vijojë të shtojë barrën fiskale për shqiptarët dhe familjet e tyre, është Edi Rama.
Partia Demokratike, në fushatën elektorale të vitit 2025, premtoi përgjysmimin e taksave të karburantit, ndërkohë që këtë kërkesë ia ka drejtuar publikisht edhe qeverisë Rama.
Në rast se do të ndiqej kjo politikë, çmimi i naftës sot do të ishte 1.71 euro për litër, pra në mesataren e rajonit dhe jo ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë.
Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se çdo ditë që qëndron Rama dhe banda e tij në krye të shtetit, aq më shumë rritet rëndesa ekonomike dhe ulet siguria.
Shqiptarët duhet të kuptojnë se përgjegjës për këtë gjendje nuk janë konfliktet botërore, siç gënjen Rama, sepse e njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe në Maqedoni dhe Kosovë.
Përgjegjës për këtë gjendje është vetëm një njeri dhe e ka emrin Edi Rama.
Prandaj thirrja që demokratët, socialistët dhe të pavarurit t’i bashkohen protestës qytetare merr vlerë sot më shumë se kurrë.
‘Rama, jepe dorëheqjen’ dhe ‘zgjedhje të lira garantuar nga një qeveri kujdestare’, nuk janë ankesa dhe kërkesa, por domosdoshmëri kombëtare!
Gazeta RD