Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi, ka folur në Kuvend lidhur me audio-përgjimet e publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ngrihen dyshime për trafik armësh.
Këlliçi tha se prej 5 muajsh ka kërkuar informacion nga ministri i Mbrojtjes mbi deklaratën e muajti prill kur ministri e pohoi se këtu prodhohen armë dhe dërgohen në vende në konflikt, jo patenta fiktive. Por edhe pse kanë kaluar 5 muaj nuk kanë marrë ende përgjigje.
Më tej tha se mazhoranca shkeli Kushtetutën duke refuzuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e KAYO-s.
“U bënë 5 muaj që i drejtohemi me shkrim ministrit të Mbrojtjes dhe ai refuzon të kthejë përgjigje. Ditën e sotme në një akt të turpshëm, në konferencën e kryetarëve, mazhoranca ka shkelur sërish Kushtetutën duke mohuar 41 deputetëve të PD-së kërkesën legjitime për të hetuar veprimtarinë e KAYO-s, një kompani kriminale, e cila ka marrë 34 milionë euro të cilat kanë shkuar në xhepin e Ron Yeffet, mikut të Edi Ramës.
Kanë dalë disa audio-përgjime të cilat deri tani nuk rrëzohen as nga kompania vetë dhe nga askush në media, të bëra publike nga një ish-zëvendëskryeministër i këtij vendi. Kjo çështje që është prioritare dhe do të duhet të marrë një drejtim herët a vonë.
Ajo që keni bërë sot tregon përfshirjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit me mikun e tij Ron Yeffet për interesat e tij me trafikun e armëve që prodhohen në vende të cilat janë në konflikt, si Sudani, sillen në Shqipëri sikur janë prodhuar këtu, ripaketohen dhe pastaj trafikohen në mënyrë të paligjshme dhe dërgohen në vende të tjera. Ndërmerrni masa që të zbatohet rregullorja e dakordësuar pak muaj më parë, ku thuhet se deputetët duhet të marrin përgjigje nga institucionet pa vonesë”, tha Këlliçi.
Gazeta RD