Alizoti vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në aktivitet, duke e cilësuar atë si një shenjë të ndryshimit.
Duke e lidhur traditën me të ardhmen, Alizoti nënvizoi se ripërtëritja nuk mund të shkëputet nga vlerat dhe kontributi i qëndrestarëve të PD-së. Në fjalën e tij ai foli edhe për sfidat që, sipas tij, përballon shoqëria shqiptare, duke e mbyllur me një thirrje për shpresë dhe mobilizim të demokratëve.
Tomor Alizoti: Të nderuar demokratë, mirënjohje për këtë entuziazëm dhe këtë pjesëmarrje. Kjo është një shenjë e mirë ndryshimi. Jam i surprizuar nga pjesëmarrja e lartë. Falënderoj doktorin që gjeti kohën të ndajë me ne mesazhe optimiste.
Dëgjova folësit në mënyrë elokunte që folën për të renë, për të ardhmen, unë do flas dy fjalë për të vjetrën. PD-ja ka thelbin e saj që janë qëndrestarët e vjetër të saj. Kur gjithçka ishte kundra PD-së, kur e gjithë koha ishte kundra PD-së, kur dukej që edhe qielli, edhe Zoti ishte kundra PD-së, edhe perandoria kundra PD-së, ishin të vjetërit që i qëndruan PD-së. Ata e mbajtën PD-në gjallë.
E djathta bazohet tek vlerat, traditat. Rrënja e mirë prodhon risi të mirë, kështu që unë nuk do e zgjas shumë, por ngjyra blu ka qenë gjithmonë ngjyra e shpresës në Shqipëri. PD-ja shpëtoi Shqipërinë nga versioni i koçi xoxes, PD-ja do shpëtojë Shqipërinë edhe nga versioni i banalitetit, i llumit që ka mbytur Shqipërinë.
Ju i keni dëgjuar përgjimet e njeriut më të rëndësishëm të shtetit shqiptar. Çfarë keni parë? Vetëm llum! Dhe llumi shkatërron shoqëritë më të mëdhaja, jo Shqipërinë. Kështu që është detyra e ngjyrës blu, e Partisë Demokratike t’i japë shpresën shqiptarëve dhe kjo pjesëmarrje, që njerëzit na shohin gjithë Shqipëria, dhe ata demokratë që janë pak të pezmatuar duhet të dinë që është detyra e kësaj partie, e kësaj force, për t’i sjellë shpresën Shqipërisë.
Unë nuk po e zgjas shumë, po do ftoj kryetarin e partisë se ai di ta bëjë më bukur këtë mesazh.
Ju faleminderit!
Gazeta RD