Të dhënat krahasimore tregojnë se Shqipëria regjistron nivelin më të ulët në rajon për sa i përket diplomimeve në këto degë teknike, duke mbetur dukshëm pas shteteve si Serbia apo Maqedonia e Veriut, dhe shumë larg mesatares së Bashkimit Evropian.
Kjo krizë e kapitalit njerëzor nuk është thjesht një statistikë akademike, por një pengesë e drejtpërdrejtë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe modernizimin e vendit. Sipas FM, rrënjët e këtij problemi nisin që në sistemin e arsimit parauniversitar, ku performanca e nxënësve shqiptarë mbetet thellësisht medikore.
Rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar PISA në matematikë e rendisin Shqipërinë në fund të rajonit, gjë që dëshmon se të rinjtë nuk po pajisen me aftësitë bazë analitike për të ndjekur studime të larta shkencore.
Minim i së ardhmes
Ky hendek arsimor përkthehet në një numër tejet të kufizuar inxhinierësh, programuesish dhe shkencëtarësh që hyjnë çdo vit në tregun e punës.
Pasojat e këtij fenomeni për zhvillimin e Shqipërisë janë të shumëanshme dhe prekin shtyllat kryesore të ekonomisë. Së pari, vendi po përjeton një mospërputhje të thellë strukturore në tregun e punës (skill mismatch).
Ndërsa bota po shkon drejt automatizimit dhe ekonomisë digjitale, Shqipëria prodhon pak profesionistë që mund t’u përgjigjen këtyre kërkesave.
Kjo situatë ushqen shkallën e lartë të të rinjve, që nuk janë në punë, shkollë apo trajnim dhe rrit presionin për emigrim, pasi të rinjtë pa aftësi teknike e kanë të vështirë të integrohen në vende pune me paga të larta.
Së dyti, mungesa e specialistëve STEM po bllokon inovacionin dhe tërheqjen e investimeve të huaja cilësore. Aktivitetet e Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D) në vend janë thuajse inekzistente në sektorin privat dhe mbeten të izoluara vetëm në institucionet publike.
Pa një forcë pune të kualifikuar në teknologji dhe inxhinieri, Shqipëria rrezikon të mbetet e bllokuar në një model ekonomik me produktivitet të ulët, i cili bazohet kryesisht te krahun e lirë të punës dhe shërbimet bazë, duke humbur mundësinë për të prodhuar mallra dhe shërbime me vlerë të shtuar të lartë.
Ky hendek i madh minon aftësinë e vendit për të përfituar plotësisht nga anëtarësimi në BE. Për të thyer këtë cikël negativ, FMN nënvizon se Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma urgjente për modernizimin e kurrikulave arsimore, forcimin e arsimit profesional dhe krijimin e urave lidhëse mes universiteteve dhe sipërmarrjes private.
Vetëm duke investuar në formimin e gjeneratës së re në shkencë dhe teknologji, vendi mund të sigurojë një rritje ekonomike që garanton konvergjencën e shpejtë me standardet europiane./Kapitali
Gazeta RD