Këshilli i Sigurisë përforcon alibinë e Ramës për Vlora Hysenin

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mblodhi të hënën me dyer të mbyllura Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas vendosjes në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Posaçme të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat pas përfundimit të takimit, Presidenca kërkoi që institucionet e sigurisë të mos konkurrojnë me njëri-tjetrin, duke i bërë jehonë qëndrimit të kryeministrit Edi Rama se përgjegjësia në rastin e goditjes nga SPAK është tërësisht individuale.

“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas takimit. Në deklaratë bëhet e qartë që Këshilli është një organ thjesht këshillimor.

Përpos Presidentit, një përfaqësuesi të Prokurorit të Përgjithshëm, drejtuesit të SPAK, Klodian Braho dhe kreut të Shtabit të Përgjithshëm, pjesa tjetër e Këshillit të Sigurisë përbëhet nga kryeministri dhe ministra të kabinetit, përfshi edhe kreun e Kuvendit, Niko Peleshi.

Në takimin me dyer të mbyllura nuk pati përfaqësues të opozitës.

Partia Demokratike reagoi ashpër përmes një deklarate, ku e cilësonte Këshillin si një “maskaradë të pështirë, e orkestruar nga po ata krerë institucionesh që e zhytën vendin në këtë humnerë pasigurie, kriminaliteti dhe degradimi”. PD ngriti pikëpyetje mbi legjitimitetin e anëtarëve të Këshillit, duke theksuar se shumica e tyre “janë të kapur mat në përgjime, në pazare të pista dhe në bashkëqeverisje të hapur me krimin”.

Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri e ironizoi takimin dhe e akuzoi Këshillin se po përdorej për të sulmuar Prokurorinë e Posaçme. “Janë mbledhur Rama me ministrat e vet edhe me noterin, Presidentin e Republikës për të gjetur një kleçkë të re për të goditur SPAK-un”, tha Kapri.

Thirrja e Këshillit të Sigurisë vjen pak ditë pasi GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-shefen e SHISH, e cila po hetohet në kuadër të dosjes së njohur si “afera e AKSHI-t”. Vlora Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të të dhënave sekrete, në atë që përbën një ndër goditjet më të rënda në sektorin e inteligjencës shtetërore. Qëndrimi i institucionit të Presidencës duket se sinkronizohet me linjën e mbrojtjes politike të zgjedhur nga Kryeministri Edi Rama, i cili e shkarkoi Hysenin duke u rikthyer tek teza e “përgjegjësisë personale” për të shmangur faturën institucionale. /BIRN

About Redaksia

Check Also

Tabaku: Shqipëria nuk vuan nga ‘republika e prokurorëve’, por nga republika e të korruptuarve

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkon përgjegjësi politike për korrupsionin, transparencë për PPP-të dhe …