Kërcënime me jetë nga të fortët, dëshmia e vartëses që “nxin” Belinda Ballukun

Fiks Fare ka siguruar ekskluzivisht dëshmitë e grupit të prokurorëve që po hetojnë zv.kryeministren Belinda Balluku, të dhëna në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mbledhjet e datave 19 dhjetor 2025 dhe 23 shkurt 2026.

Në këto mbledhje, grupi i prokurorëve, të kryesuar nga drejtuesi i SPAK z. Klodian Braho dhe prokurori Dritan Prençi, lexuan para deputetëve dëshminë e Mirzeta Kashnicës, punonjëse në Ministrinë e Infrastrukturës, dhënë para prokurorëve të SPAK-ut, pasi ka bashkëpunuar dhe ka treguar shkeljet e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Prokurori i çështjes Dritan Prençi tregoi detaje nga dosja, duke rrëfyer se dëshmitarja është kërcënuar me jetë, nga të fortë dhe punonjës të kabinetit të ministres. Organi i akuzës kërkoi dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë. Në mbledhjen e datën 19 dhjetor, pavarësisht se prokurorët artikuluan se po kërcënohen dhe intimidohen dëshmitarët, nuk u mor asnjë vendim.

“Në kuadër të cenimit të mbledhjes së provave, por duke pasur parasysh edhe rrethanat e faktit penal, që janë rënduar, organi procedues edhe në këto momente vijon me hetimet, me mbledhjen e provave, prova shkresore dhe dëshmitarë”, tha prokurori i çështjes. Ndërkohë, drejtuesi i SPAK-ut artikuloi se “meraku që kemi ne është që sekreti të ruhet dhe të plotësohen deklaratat”. Prokuroria tha në mbledhjen e dhjetorit se se është një sasi e madhe prej 13 volumesh, të cilat i kanë paraqitur të listuara për t’u aksesuar nga gjithsecili.

Mbledhja e fundvitit të kaluar u shty pa marrë një vendim dhe pa datë se kur do të mblidhej. Më pas, sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh në datë 23 shkurt 2026. Në këtë seancë, prokurorët e SPAK-ut artikuluan se dëshmitarja Mirzeta Kashnica, punonjëse në Ministrinë e Infrastrukturës, është kërcënuar me jetë nga grupe kriminale dhe nga punonjës të kabinetit.

“Në vijim të hetimit, ka rezultuar se, e pandehura Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi i procedurës, ndërkohë që ushtronte detyrën si zëvendëskryeministre e Republikës së Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim penal, konkretisht; shtetases Mirzeta Kashnica, vartëse e saj. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik real në mbledhjen e provave për shkak të detyrës dhe funksionit që ushtron. Është evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët”, tha prokurori Dritan Prençi.

Kërcënimet ndaj dëshmitares janë evidentuar edhe nga Ardian Kalia, avokati i zonjës Balluku.

“Prokuroria e Posaçme pretendon se është shkelur masa e sigurimit nga ana e zonjës dhe se ka intimiduar ose helmuar provat” tha Ardian Kalia, avokat i Ballukut. Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, ka relatuar se dëshmitarja Mirzeta Kashnica, pasi ka bashkëpunuar, është kërcënuar me jetë. Ndërkohë, drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, thotë se mosdhënia e autorizimit për arrestim sjell rrezik për prishjen e provave.

“Te relacioni dhe provat mbështetëse ne kemi paraqitur procesverbalin e transkriptimit të përgjimit të bisedave, të lejuara me vendim të gjykatës, të datës 20.11.2025, mes Mirzeta Kashnica dhe një personi tjetër. Në përmbajtje të këtij transkriptimi, rezultojnë të dhëna për intimidimin e personit, tashmë të marrë të pandehur, Mirzeta Kashnica, por edhe të personit tjetër bashkëbiseduar, e theksoj, me të cilën bisedon zonja, pasi edhe ajo, të cilën nuk po e përmend si emër, është person ndërveprues në procedurën e prokurimit, për të cilën është marrë e pandehur Kashnica”, ka vijuar prokurori Prençi.

Më tej ka shtuar se zonjat janë specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, vartëse të ministres. “E pandehura Mirzeta Kashnica ka pasur një bashkëpunim me organin procedues. Ka përmbajtje, siç edhe duhet të jeni njohur, që zonja është e frikësuar, përmend edhe emrat se nga kush është e frikësuar, emër zyrtar, por edhe persona të fortë në rang grupesh të tjera. Përmend tundimin nëpërmjet korrupsionit që të ndryshojë thëniet apo edhe të zëvendësojë mbrojtësin e saj me një mbrojtjes të pëlqyer nga personat që i vetëofraohen” pohon Dritan Prençi.

Nga ana tjetër, drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, tha se: Duke pasur parasysh bisedën, krijojmë një lloj dyshimi se ekziston rreziku që të jenë dëmtuar provat. Kemi një bisedë konkrete që krijon dyshime serioze që ka ndodhur, sepse bashkëbiseduesit në atë bisedë u referohen pikërisht personave nga kabineti i ministrit. Duke qenë se është kjo mundësi, se mund të mos jesh edhe në funksion, por ke diku një person tjetër që ka pushtet mbi dëshmitarin, që është drejtori i dëshmitarit, për shembull”.

Ndërkohë, prokurori që ka në dorë aktet ndaj zonjës Balluku dhe zyrtarëve të tjerë, tha se “në përmbajtje të asaj çfarë ka prodhuar ky transkriptim i bisedave të përgjuara, bëhet fjalë për intimidim nga persona jozyrtarë. Aty përmenden ‘të fortë’, e përmend vetë zonja, pra persona jozyrtarë. Pastaj, nga personat zyrtarë bëhet fjalë për persona nga kabineti i ministrit, është e shkruar”.

Në fund, prokurori Dritan Prençi rrëfeu në Kuvend dëshminë e Mirzeta Kashnicës. “Tani, në procesverbalin e transkriptimit të përgjimit të datës 16.12.2025, të cilin ne e kemi paraqitur si provë në relacionin, në faqen e parë, nga katër faqe të këtij procesverbali, është dëshmia”, vijoi prokurori, ku në fund lexoi dëshminë e Mirzeta Kashnicës.

“E kam gjetur kush ma kë bërë deri tani. Nuk ia kam thënë asnjërit, përveç asaj te kabineti i ministres, se ajo vinte që më bënin presion, moj motër; më kërcënonin në shtëpi, më dërgonin njerëz. Për Zotin, po më dërgonin njerëz; më sillnin babanë në 10 të darkës, kërcënime për dhjetë ditë; do të heqim mamanë nga puna, motrën, ty. Mirë, i thosha, mua nuk më bën do presion. Ia thashë në sy; mua nuk ma ndjen fare për presion, i thashë. Po, fare i thashë, madje edhe nëse sa lekë do, e ke parasysh, hap gojën. Kjo për personat zyrtarë, kurse pastaj vijon edhe me persona të tjerë”, ka dëshmuar punonjësja Mirzeta Kashnica.

Dëshmia e babait të Mirzeta Krashnicës

Zaim Krasniqi (alias Dhimitër Kashnica), babai i Mirzetës, e cila është marrë e pandehur në të njëjtën dosje me ish-ministren, tregon kalvarin e gjatë të së bijës, kërcënimet me jetë si dhe vetëvrasjen e bashkëshortit të punonjëses.

Historia fillon me një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit, tunelin e Llogorasë, pjesë e aksit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën Vlorë-Sarandë. Por përpara se të bëhej realitet, projekti kaloi në dy procedura tenderimi. Tenderi i parë u hap më 11 dhjetor 2020, me një fond limit prej rreth 19.1 miliardë lekësh. Në garë morën pjesë 6 operatorë ekonomikë, por procedura u anulua në prill 2021, me argumentin se asnjë ofertë nuk ishte në përputhje me dokumentet e tenderit.

Mes ofertave ishte edhe ajo e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, rreth 140 milionë euro, e cila rezultonte oferta më e ulët. Vetëm pak muaj më vonë, më 22 qershor 2021, tenderi u rihap. Këtë herë fondi limit ishte rreth 18.9 miliardë lekë pa TVSH. Në garë u paraqitën 5 oferta dhe fitues u shpall bashkimi i kompanive turke “Intekar” dhe “ASL”, me një ofertë rreth 170 milionë euro pa TVSH. Pikërisht kjo procedurë është sot objekt i hetimit të SPAK.

Sipas SPAK, zonja Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar procedurën nga faza përgatitore deri te lidhja e kontratës. Ndërsa pesë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave ishin Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica. Të gjithë janë marrë të pandehur për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. SPAK pretendon se fituesi ishte paracaktuar dhe se kompanisë fituese iu krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta.

Ai tregoi se vajzën e ka me fatkeqësi të madhe. “Vjet i vrau veten burri! Ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Burri ishte shofer i ministrit të Brendshëm, Bled Çuçit. Në atë moment ishin edhe këto problemet me Ballukun pasi ajo firmoste e vuloste çdo gjë” vijon ai. Më tej shton se Mirzeta nuk ka firmosur asnjë gjë, nuk pranonte as dhurata, asgjë. “Kur bëri unazën e tretë, kjo ishte te komisioni që do bëhej konkurrimi. Ishin tre veta që kishin hedhur unazën e tretë. Çupa ime një vit me tabelë me çantë nëpër shi e kontrollonte andej në Yzberisht. Kontrollonte komplet linjën ku do bëhej. Edhe thotë Rama ‘kush është kjo që do bëj këtë unazën, nga është ai që ka bërë unazën e tretë? Nga Fieri – O, provincial qenka?! Çupës sime i iku truri. Dhe ajo ja mbajti këtu (vathë në vesh)” thotë më tej ai.

Më pas tregon edhe momentin që vajza e tij ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme. “Tani që doli Rama të tallej me të në televizor, mori direkt kreun e Spakut në telefon: ‘Jam Mirzeta Krasniqi, dua të të takoj patjetër’. Kjo i vajti direkt brenda pa avokat fare. ‘Bjeri çik letrat këtu – i tha – më ka bere presion’. Por, deri në atë moment, çupa ime s’kishte pranuar asnjë gjë. Mendohu mirë – i tha kreu i SPAK-ut – se kjo që thua ti që më ka bërë presion Balluku, kjo është një akuzë që ne e marrim nga rruga atë dhe e fusim brenda atë. ‘Bjere letrën këtu! – i tha vajza – Mendohu mirë! Jam menduar’ – i tha ajo – ‘përderisa erdha këtu, e kam ndarë mendjen edhe për Ramën dhe për Ballukun’” shton ai.

Një rrëfim i sinqertë, nga një baba e familje që ka vuajtur shumë presionin mbi të bijën. “Edhe tani ka shumë, shumë presione. Çupa ime dhe sot e kësaj dite është në punë ajo dhe ka presione akoma. Ishte javën që shkoi dhe më tha mua ‘Si thua o babi, ta lë punën?! Si do e lësh punën’ – i thashë” pohon ai.

Biseda:

Babai i Mirzetës – Vijnë çupat nga Tirana pasnesër. Nesër vjen një punëtore.

Fiksi – Pse i ke në Tiranë?

Babai i Mirzetës – Po në Tiranë, çupën e kam “Rama IK”.

Fiksi – Pse ku punon çupa jote?

Babai i Mirzetës – Në Kryeministri dhe vete edhe në protestë! Po nga vini juve, mos jeni të infiltruar?

Fiksi – Jo, ne na ra rruga këtej. Po goca mirë?

Babai i Mirzetës – Goca ime ka qenë e pandehura e Ballukut.

Fiksi – Ca thua?

Babai i Mirzetës – Po.

Fiksi – Po pse?

Babai i Mirzetës – Po atje ishte ajo shefe e zyrës. Te komisioni i ofertave.

Fiksi – E pandehur? Po si e kaloi?

Babai i Mirzetës – I ka ngjarë babait. Të tëre u dënuan, vetëm ajo doli e pafajshme. Ajo nuk firmosi për Zvërnecin, nuk firmosi për Llogoranë, nuk firmosi për Sazanin dhe për dy LOT-e sepse ishte shtatzëne ajo kur ishte loti I dhe loti II, nëse jeni në dijeni të këtyre çështjeve. Nuk pranoi dhe e tall Rama. Çupën time tall ai që u hodh gjithandej në tiktok e televizor ‘e morën punonjësen e Ballukut, e ulën në karrige, i lidhën duart, i lidhën një tenije këtu (i referohet gojës) edhe i nxorën një thikë me pika gjaku’ – nëse i keni parë këto të Ramës.

Fiksi – Po pse për vajzën tënde kanë qenë këto?

Babai i Mirzetës – Po për vajzën time!

Fiksi – Kanë ndodhur vërtet këto apo?

Babai i Mirzetës – Shiko, çupa ime është shumë e zgjuar dhe shumë e shkathët. Në atë vend s’e ka çuar as Berisha, as partia dhe as Rama. Ajo konkurroi me 40 veta dhe doli e para.

Babai i Mirzetës – Unazën e tretë të Tiranës çupa ime e ka bërë. Erdhi puna e thërritën atje. Unë i gjeta atë mikun tim, Saimir Vishaj, avokat. Shkoi 2-3 herë atje dhe erdhi puna u bë gjyqi. Ata u dënuan të tërë. Iu gjetën miliona nëpër shpi ose me arrest shtëpie kush paraqitej.

Babai i Mirzetës – E çupa ime shyqyr doli e pafajshme. Se çupen e kam me fatkeqësi të madhe unë.

Fiksi – Pse ça ka?

Babai i Mirzetës – Vjet i vrau veten burri! Ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Burri ishte shofer i ministrit të Brendshëm, Bled Çuçit.

Fiksi – Po tani, kur vrau veten burri i vajzës, ishin këto probleme me Ballukun?

Babai i Mirzetës – Po, po, po ajo firmoste e vuloste çdo gjë. Po t’a kërkosh Mirzeta Kashnica… po t’a klikosh aty!

Fiksi – Po ka pasur presione vajza? Po si ka mundësi doli e pafajshme ajo?

Babai i Mirzetës – Po se ajo nuk firmosi asgjë, nuk pranonte as dhurata, asgjë. Bëj hesap ti, në kabinet janë vetëm 5 veta, nuk lejohet të hyjë asnjëri aty. ‘Kishte raste që dilja jashtë unë babi – tha (i referohet fjalëve të Mirzetës) – dhe kur hyja unë, ata pap – pap direkt bënin muhabete sporti, ndërronin muhabetin. Kur binte telefoni dilnin përjashta’.

Babai i Mirzetës – Ruheshin shumë nga mua se çupa ime është e djathte, nuk është  e majtë.

Babai i Mirzetës – Kemi qenë në dilemë të madhe shumë deri në momentin që prokuroria mbylli letrat, i çoi për gjykim dhe dha dënimet. Shpëtuam pastaj, u liruam, u qetësuam jashtë mase.

Fiksi – Paske kaluar hall të madh dhe me shtet.

Babai i Mirzetës – Me shtet, me shtet dhe dhëmb për dhemb. Kjo e mori inat Ramën.

Kur bëri unazën e tretë, kjo ishte te komisioni që do bëhej konkurrimi se kush do e fitoj. Ishin tre veta që kishin hedhur unazën e tretë. Çupa ime një vit me tabelë me çantë nëpër shi e kontrollonte andej në Yzberisht. Kontrollonte komplet linjën ku do bëhej. Edhe thotë Rama ‘kush është kjo që do bëj këtë unazën, nga është ai që ka bërë unazën e tretë? Nga Fieri – O, provincial qenka?! Çupës sime i iku truri. Dhe ajo ja mbajti këtu (vathë në vesh)

Babai i Mirzetës – Dhe tani që doli Rama që tallej me të në televizor, mori direkt kreun e Spakut në telefon: ‘Jam Mirzeta Krasniqi, dua të të takoj patjetër’. Kjo i vajti direkt brenda pa avokat fare. ‘Bjeri çik letrat këtu – i tha – më ka bere presion’. Por, deri në atë moment, çupa ime s’kishte pranuar asnjë gjë. Mendohu mirë – i tha kreu i SPAK-ut – se kjo që thua ti që më ka bërë presion Balluku, kjo është një akuzë që ne e marrim nga rruga atë dhe e fusim brenda atë. ‘Bjere letrën këtu! – i tha vajza – Mendohu mirë! Jam menduar’ – i tha ajo – ‘përderisa erdha këtu, e kam ndarë mendjen edhe për Ramën dhe për Ballukun’.

Fiksi – Me kë foli te SPAK-u ajo?

Babai i Mirzetës – Ishte Dumani dhe prokurori i çështjes. Ishte ky që i harrova emrin.

Babai i Mirzetës – Një të bërë denoncim ajo, është e vërtet ajo që thotë Rama, vajtën pastaj u kopsiten të tëra dosjet. Do hyjnë tani te Kushtetuesja. Kushtetuesja në Parlament, do t’i hiqet imuniteti dhe tek vendi (burgu).

Fiksi – Po ka pasur presione te mëdha?

Babai i Mirzetës – Shumë, shumë! Çupa ime dhe sot e kësaj dite është në punë ajo  dhe ka presione akoma.

Babai i Mirzetës – Edhe ishte javën që shkoi dhe më tha mua ‘Si thua o babi, ta lë punën?! Si do e lësh punën’ – i thashë.

Fiksi – Po e fortë është që rri akoma në punë, duke pasur presione.

Babai i Mirzetës – Jo është kështu ajo, e di si është!

Fiksi – Po ju keni pasur presione, familja?

Babai i Mirzetës – Po, po.

Fiksi – Edhe ju?

Babai i Mirzetës – Mos pyet më se kalojmë në temë tjetër pastaj. Shumë, shumë, shumë …

Fiksi – Po si arritën deri tek familja?

Babai i Mirzetës – Yyy ç’janë ata …

About Redaksia

Check Also

Rama e përdori për të vjedhur aeroportin/ Kosova e arreston

Ish-bashkëpunëtori i Behgjet Pacollit, biznesmeni Valon Lluka, është ndaluar sot nga Policia e Kosovës. Lluka, ish-drejtori …