Nga Iva V.GRILLO
Duket se votimi i ligjit që zhduku me një të ngritur të kartonave të PS-së e mes kundërshtimesh të mëdha 15 bashki, ka krijuar një valë zemërimi por edhe një lloj shtangieje të publikut që lidhet me pyetjen: “si guxoi Rama deri këtu ?”
Ndërkohë që zemërimi është mëse i kuptueshëm, të çuditurit akoma me faktin se si u arrit deri këtu është një çudi në vetvete.
Ligji i “territoriales” nuk është veçse një hallkë tjetër në zinxhirin e ligjeve abuzive e antikushtetuese që janë përpiluar e votuar nga kryeministri Rama e shpura e tij sidomos në 6 vjeçarin e fundit.
Kush mendonte se Rama nuk do të kalonte me forcën e kartonit e kërcënimeve edhe këtë ligj tregon se nuk e ka kuptuar akoma se me kë kemi të bëjmë dhe se çfarë rrezikshmërie paraqet ky individ.
Po kështu, të presësh “hajër” e rebelim nga brenda grupit parlamentar të PS-së është naivitet. Jo më pak se disa muaj më parë kreu i PS u zotua se do të sakatonte këdo që i dilte nga rreshti. Dhe këtë herë patëm rastin të shohim se “sakatimi” i atyre që ngrenë zërin nuk është thjeshtë metaforik, por real…
Shumë kritika ka pasur e ka edhe për opozitën parlamentare, e cila në këtë realitet ku gjithë pushtetet janë të kapura, në mënyrë institucionale është e pazonja për t’a ndalur këtë marrëzi…
E nuk ka si të jetë ndryshe.
Maxhoranca ka të paktën 84 deputetë ushtarë të bindur nën hyqmin e një të marri.
Mund të shtojmë këtu sipas dëshirës plot faktorë të tjerë, por në fund të ditës pyetja mbetet e njëjtë:
Si mund të ndalet në mënyrë institucionale një maxhorancë e kapur nga krimi, e cila pas çdo vendimarrje abuzive të përplas para syve forcën e kartonit dhe “shkëlqimin” në arenën ndërkombëtare 🤔?
Një pyetje e vështirë, sidomos në kontekstin e një situate gjeopolitike e cila dukshëm nuk ia ka ngenë “delikatesave” të tilla si: demokracia, shteti i së drejtës apo shkëputja e lidhjeve të shtetit me krimin.
Ka grupime që mendojnë se i japin përgjigje pyetjes duke i kthyer gjithë bataretë nga opozita, herë nga zhgënjimi me aksionet e saj, herë nga nevoja për t’u shkarkuar emocionalisht e më shpesh se ashtu u volit.
Në fakt nën një regjim narko-autokratik asnjë opozitë nuk duket e bukur… e para sepse hapësirat institucionale të reagimit janë minimale dhe e dyta sepse mendon regjimi se si t’a delegjitimojë çdo aksion opozitar.
Por edhe sikur t’a pranojmë për një moment se opozitarët nuk janë aq të denjë e aq “të bukur” sa do t’i donim, cili është plani B efektiv i shoqërisë për të larguar nga pushteti një diktator?
Them plan për të larguar një diktator, jo thjeshtë plan për të rritur kuota individuale partish e aspirantësh politikë.
Përballja me një diktator të korruptuar që mbahet në pushtet edhe nga super-struktura ndërkombëtare është një mision shumë vështirë i cili ka nevojë pë një presion popullor me një objektiv të qartë e të njehsuar.
Ngado që t’a kthesh këtë diskutim në kushtet e një regjimi antikombëtar dhe një drejtësie që ecën si duke shkelur mbi vezë, plani A, B C…Zh konvergon vetëm në një pikë: front i përbashkët popullor rezistence me objektiv largimin e Ramës.
Të tjerat vijnë më pas…

Gazeta RD