Nga Jorida TABAKU
Kam lexuar këto orë statuse pa fund nga ministra dhe deputetë të shumicës që ankohen për kaosin, ankohen për zjarrin në godina. Askush nuk ka dëshirë të shohë dhe përjetojë kaos në Shqipëri, por ndryshe nga ata pyetjen nuk e shtroj me gishtin e akuzës tek studentët.
Ata nuk janë fajtorë për korrupsionin, vjedhjen, batërdisjen dhe përçmimin për sundimin e ligjit, moralin dhe ndershmërinë e një qytetari që kjo shumicë shpalos sa herë sytë shohin nga punët e kësaj shumice. Jo më larg se një vit më parë shqiptarët panë se si tenderat e rrugëve miliona euroshe përcaktoheshin nga tekstet e SMS-ve që dërgonte ministrja e Infrastrukturës dhe ish-zëvendëskryeministrja. Më tej ata panë se si ndërmjetësi i botës së krimit përcaktonte tenderat e AKSHI-t me të cilat ortaku i tij blinte kështjellë në Francë apo vetë ndërmjetësi siguronte pushtetin e arrestit. Se si zyra e tij urdhëronte rindarjen dhe emërtimet e pronave.
Shqiptarët i panë të gjitha siç panë se si avokatia politike dhe vullneti politik e mbrojtën korrupsionin nën mungesë provash, ndërkohë që shqiptarët arrestohen për një avlli pa leje. Zullumi i atyre që qëndrojnë pas këtyre institucioneve ka prodhuar një sistem ku arroganca është vlerë, korrupsioni është pushtet dhe pasurimi i paligjshëm quhet meritokraci.
Kjo ua ka sjellë në majë të hundëve shqiptarëve. Që ky sistem i pandershëm i ka kthyer në shërbëtorë të një pakice për bukën e gojës. Një sistem që nuk i llogarit apo, në rastin më të keq, kur i fut në numërator, i përllogarit si gjallesa pa dinjitet. Prandaj, duket pak e tepruar gjithë kjo tërsëllimë ndaj një rinie që kërcënohet e shantazhohet dyfish: një herë nga patronazhimi i prindërve dhe një herë nga kërcënimi i një Shqipërie që i braktis pa të ardhme.
Ky kërcënim i vetëdijshëm i ka shtyrë shumë të luftojnë për një të drejtë edhe një drejtësi që nuk përputhet me antivlerat e sistemit të ngritur në këto 14 vite! Prandaj, përpara se të ngrihet ky gisht akuzues ndaj atyre që nën shantazh, kërcënim dhe dhunë të përditshme zgjedhin këtë formë për t’u dëgjuar, le të reflektojmë.
Të reflektojmë siç duhet të bënin të enjten e shkuar dhe një të enjte para saj dhe një tjetër para saj e që në fakt duhet ta bëjmë sot! Rruga e zgjidhjes është dorëheqja. Rruga e zgjidhjes janë zgjedhjet me një qeveri tranzitore sepse kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin moral. Rruga e zgjedhjes është një paqe e re sociale. Sa më pak bëhet ky reflektim, aq më e nderë gjendja. Pushteti i një pakice s’mund të jetë gijotina mbi shumicën që kërkon ndryshim.
Gazeta RD