Një avion ushtarak turk është raportuar të jetë ulur mesditën e sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, në një kohë kur Tirana vijon të jetë e përfshirë nga protestat e studentëve dhe të rinjve kundër qeverisë.
Sipas raportimit të redaksisë së Syrit, nga avioni janë parë të zbresin dy autobotë uji, mjete që ngrejnë pikëpyetje për destinacionin dhe përdorimin e tyre të mundshëm, në kushtet e tensioneve të vazhdueshme në kryeqytet.
Lëvizja e avionit raportohet se konfirmohet edhe nga të dhënat e platformës Flightradar24.

Përpara publikimit të lajmit, redaksia e Syrit thotë se i është drejtuar zyrtarisht Ambasadës së Turqisë në Tiranë për një koment mbi këtë zhvillim. Sipas saj, edhe pas rreth katër orësh nuk kishte marrë përgjigje.
Mbërritja e raportuar e avionit vjen në ditën e shtatë të protestave të studentëve dhe të rinjve në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me përplasje të përsëritura me Policinë e Shtetit dhe përdorimin e gazit lotsjellës e autobotëve të ujit.
Gazeta RD