Këshilltari i lartë i Trumpit, Ric Grenell, dyshohet se i paraqiti vitin e kaluar një ofertë të bujshme një miliarderi turk, duke i premtuar akses te Presidenti i Shteteve të Bashkuara, pjesëmarrje në “evente VIP” dhe takime me zyrtarë të administratës. Kjo pretendohet në një mesazh tekstual të shqyrtuar nga Axios, për të cilin po zhvillon hetime zyra e këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë.
“Pasi paratë të mbërrijnë te kompania këtu, unë do organizoj dhurimin për Qendrën Kennedy dhe ti do të marrësh pjesë në aktivitetet VIP e do afrohesh me administratën, madje edhe me POTUS-in”, thuhet në mesazhin e datës 3 maj 2025.
Grenell i ka cilësuar akuzat si “gënjeshtra” dhe ka mohuar se e ka dërguar mesazhin.
Zyrtarë të administratës thonë se mesazhi është një provë kyçe në hetimin e urdhëruar nga presidenti Trump për të përcaktuar nëse Grenell ka abuzuar me besimin e presidentit dhe ka keqpërdorur një donacion të mundshëm prej disa milionë dollarësh për Qendrën Kennedy, institucionin që ai drejtonte në atë kohë.
Grenell mbante gjithashtu një tjetër detyrë të caktuar nga Trump: atë të të dërguarit të posaçëm për Venezuelën, ku biznesmeni turk Turhan Mildon kishte gjithashtu kontrata.
“Duhet të të bëjmë ‘fytyrën amerikane’ atje në V”, dyshohet se i shkroi Grenell Mildonit në të njëjtin mesazh të vitit 2025. Sipas burimeve të njohura me hetimin, avokatët e Mildonit i kanë dorëzuar zyrës së këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë këtë mesazh, të paktën një dokument financiar dhe korrespondencë tjetër.
Mildon është i martuar me një tjetër këshilltare të Trumpit: ish-prokuroren federale të SHBA-së për Nju Xhersin, Alina Habba. Më 9 tetor, ajo hyri me vrull në Zyrën Ovale dhe akuzoi Grenellin se e kishte mashtruar bashkëshortin e saj për të bërë një donacion për Qendrën Kennedy, i cili nuk mbërriti kurrë. Këtë e raportoi fillimisht Axios.
Në qendër të hetimit: Një transaksion financiar prej 17,6 milionë dollarësh
Në thelb të skemës së pretenduar qëndron një transaksion financiar që përfshin softuerin e një kompanie private të mbrojtjes me seli në Hjuston dhe Republikën Demokratike të Kongos. Këtë u kanë deklaruar Shtëpisë së Bardhë avokatët e Habba-s dhe Mildonit.
Mildon pretendon se, me udhëzimin e Grenellit, ai transferoi 17,6 milionë dollarë te kompania Texas Armament & Technology. Sipas tij, paratë do ndaheshin afërsisht në dy pjesë: njëra për marrëveshjen me Kongon dhe gati 6 milionë dollarë për Qendrën Kennedy.
Për të mbështetur pretendimet e tij, Mildon paraqiti mesazhin e vitit 2025, ku përmendej donacioni për Qendrën Kennedy dhe “softueri” për Kongon. Në mesazhin drejtuar Mildonit, dërguesi shkruante gjithashtu: “Është dërguar një email për ty. A mund ta kontrollosh, të lutem?”
Edhe ky email iu dorëzua Shtëpisë së Bardhë, së bashku me një dokument financiar të datës 29 maj 2025, që tregonte se 17,6 milionë dollarë ishin transferuar te kompania, e njohur me inicialet TXAT, thanë burimet.
Sipas Habba-s, Mildonit iu deshën 17 muaj për të mësuar se Qendra Kennedy nuk i kishte marrë kurrë paratë që ai mendonte se përfshiheshin në transfertën e kryer me udhëzimin e Grenellit.

Misteri: Nga erdhën paratë dhe për çfarë u përdorën?
Këtu historia bëhet edhe më e paqartë dhe misterioze. Nuk dihet se për çfarë shërbente kontrata me Kongon, si lidhej ajo me Qendrën Kennedy apo cilat ishin hollësitë financiare të marrëveshjes.
Mesazhi nuk përmend shifra financiare, as për TXAT dhe as për Qendrën Kennedy. Megjithatë, një burim i njohur me çështjen tha se dokumente të tjera korrespondence të dorëzuara në Shtëpinë e Bardhë përmbajnë hollësi financiare.
Transaksioni drejt TXAT nuk duket se është kryer nga llogaria bankare e Mildonit, ndryshe nga sa kishte deklaruar fillimisht Habba për Trumpin.
Përkundrazi, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, 17,6 milionë dollarët u transferuan te TXAT nga Ministria e Financave e Kongos, në kryeqytetin Kinshasa. Mildon ka aktivitet biznesi dhe akses në financa në këtë vend.
Një zëdhënës i Mildonit nuk pranoi të komentonte. Nuk u arrit të kontaktoheshin as përfaqësuesit e TXAT dhe as të qeverisë së Kongos.
“Po përpiqemi të zbulojmë se kujt i përkasin këto para”, tha zyrtari.
Çështja ndërlikohet më tej nga fakti se shifrat e paraqitura nga Habba ndryshuan disa herë pasi ajo informoi Trumpin për vjedhjen e pretenduar të parave të Qendrës Kennedy.
Fillimisht, ajo tha se kontributi për qendrën ishte 17 milionë dollarë. Më pas, pas një bisede me Mildonin, deklaroi se shuma ishte rreth 6 milionë dollarë. Shifra e saktë duket se është 5,6 milionë dollarë.
Qëndrimi i Grenellit: “Akuzat janë absurde”
Grenell, i cili nuk pranoi të komentonte për këtë artikull, i kishte thënë më parë Axios se pretendimet ndaj tij ishin “absurde”.
“Nuk kam kërkuar kurrë që të dërgohet asnjë cent diku tjetër, duke pretenduar se ishte për Qendrën Kennedy, dhe nuk kam marrë kurrë asnjë pagesë prej tij”, deklaroi ai.
“Le të paraqesë prova për ato që thotë, në vend që të bëjë akuza të tilla absurde.”
Kur iu bë e ditur formulimi i saktë i mesazhit, Grenell mohoi me forcë se e kishte dërguar atë, duke vënë në dukje se fjala “center” ishte shkruar në formën britanike “centre”, sipas një burimi të informuar mbi arsyetimin e tij.
Aleatët e Grenellit kanë vënë në pikëpyetje gjithashtu aspekte të ndryshme të jetës së Mildonit, nga aktiviteti i tij si biznesmen dhe rrethi i bashkëpunëtorëve, deri te mosha e tij. Mildon është 29 vjeç, megjithëse disa dokumente tregojnë moshën 25 vjeç. Ata kanë ngritur pikëpyetje edhe për dasmën e tij prej 10 milionë dollarësh muajin e kaluar me Habba-n, 42 vjeçe, me të cilën ai kishte nisur një lidhje vitin e kaluar.
Përplasja mes Grenellit dhe Mildonit
Ndërsa gazeta The New York Times po shqyrtonte aktivitetet e Mildonit në Venezuelë, ai u prish me Grenellin, me të cilin kishte pasur marrëdhënie miqësore që nga viti 2024.
Mildon ishte njohur me Habba-n në vitin 2025, në Qendrën Kennedy.
Më 9 tetor, kur Habba mbërriti në Shtëpinë e Bardhë, ajo ishte “mjaft e acaruar”, tha një zyrtar i administratës. Në një moment, ajo shpërtheu duke thënë: “Grenell i vodhi paratë!”
Megjithatë, problemi ishte se Habba “nuk i kishte të gjitha provat të sistemuara. Ajo shkoi atje pa i pasur të gjitha faktet, duke bërtitur se Grenell kishte vjedhur paratë. Dhe faktet vazhdojnë të ndryshojnë”, tha burimi.
“Kjo nuk do të thotë se Ric Grenell është jashtë rrezikut. Kjo çështje duket shumë e dyshimtë.”
Pas akuzave të Habba-s, Trump thirri në Zyrën Ovale këshilltarin ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, dhe i kërkoi të hetonte pretendimet, thanë burimet.
Më pas, Trump dhe Scharf telefonuan Grenellin, i cili mohoi gjithçka dhe tha se do t’i kishte njoftuar menjëherë të gjithë nëse do kishte marrë vesh për një kontribut prej 17 milionë dollarësh.
“Nuk ka asnjë mundësi që kjo të jetë e vërtetë. Kjo është çmenduri”, i tha Grenell Trumpit në një moment, sipas një burimi të informuar mbi bisedën.
Hetimi vijon
Scharf nisi të dyshonte për pretendimet e Habba-s që në fillim të javës së kaluar, pasi ajo dhe avokatët e Mildonit vonuan fillimisht dorëzimin e dokumenteve që mund të ndihmonin hetimin, tha një burim. Dokumentet u dorëzuan të premten.
Scharf po vazhdon mbledhjen e provave dhe planifikon të verifikojë gjurmët digjitale të mesazhit të vitit 2025. Sipas burimit, një kopje e printuar e mesazhit përmban të njëjtën fotografi të Grenellit që shfaqet në kartën e kontaktit të tij në telefon.
Edhe persona të brendshëm të Qendrës Kennedy kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë, duke deklaruar se e shihnin shpesh Mildonin në aktivitetet ekskluzive të institucionit, çka tregonte se ai ishte një donator i rëndësishëm. Kjo përfshinte edhe paraqitjet e tij në lozhën e zëvendëspresidentit, pranë asaj të presidentit, tha një burim.
“Ja ku Alina mund të jetë duke thënë të vërtetën: Mildoni kishte akses. Por pse iu dha ky akses? A po bënte biznes në Kongo me Ric-un? Pse kishte kaq shumë akses nëse kontributi nuk u pagua kurrë?”, pyeti një prej zyrtarëve të administratës.
“Ka shumë pyetje. Dhe POTUS-i kërkon përgjigje.” Axios
Gazeta RD