Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë konferencës për shtyp se, deputetët janë të ftuar të bëhen pjesë e protestës së 7 korrikut, ë shkëputen nga Ali-Basha i cili është varianti bis i Lulzim Bashës në raportet me Edi Ramën.
“Deputetët janë të ftuar të rreshtohen me shumicën. Janë të ftuar të japin kontributin e tyre dhe të rreshtohen me shumicën. Të shkëputen nga Ali-Basha i cili është varianti bis i Lulzim Bashës në raportet me Edi Ramën. Vetëm një ndryshim mund të ketë se Bashës i bënte ndonjë telefonatë Rama, kurse për këta ka ngarkuar Taulant Bego Yaris apo Taulant Sharrën”, tha Berisha.
Berisha tha se, qëllimi i protestës është të ngrejë qytetarët në këmbë kundër këtij regjimi armiqësor. “Çdo njeri që i thotë vetes shqiptar, e konstaton këtë. T’i ngremë shqiptarët në këmbë kundër një regjimi që ka futur duart në xhepat e tyre dhe po i varfëron çdo ditë”.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse qytetarët do të kërkojnë të futen te kryeministria ose parlamenti, Berisha tha: “Edi Rama është i vetmi kryeministër që ia mbath para se të fillojnë protestat. Kjo është e vërtetë. Ndiqeni atë ditë, nga tunelet e Skraparit deri në galeritë e Klosit, në asnjë protestë ai nuk ka qëndruar në zyrë. Kemi të bëjmë me një front në këtë protestë. Vendimet merren nga koalicioni, nga fronti”.